Optimizmi

Fjala arabe “rexha” (shpresë) ka kuptimin e të besuarit të plotë në faljen, bujarinë, mirësinë, fisnikërinë, mëshirën dhe madhështinë e Allahut. Antonimi i saj është “je’s” dhe shpreh mungesë të shpresës. Shpresa është afria që ndien zemra kundrejt diçkaje që do të ndodhë në të ardhmen dhe për të cilën ushqehet dëshirë që të ndodhë. Nga ana tjetër, frika, megjithëse është e lidhur me të ardhmen, nuk ka të bëjë me frikën dhe me diçka që shpresohet të ndodhë në një të ardhme. Jeta e zemrës vijon përmes shpresës. Pra, zemra rron me shpresë. Shpresa është besim me plot dëlirësi e pastërti i njeriut në bujarinë e Allahut. Ai, me gjuhën e Profetit që e dërgoi si mëshirë për botët, na e bën kështu të njohur bujarinë e Vet: “O robi im! Për sa kohë që më adhuron Mua, që ke shpresë tek Unë dhe nuk më shoqëron kurrfarë ortaku në adhurim, Unë t’i fal gabimet dhe mëkatet. Edhe në më ardhsh me gabime e mëkate plot sa krejt toka, Unë të pres me falje në po ato përmasa, tregoj mëshirë dhe nuk shqetësohem.”[1]

Allahu (xh.xh.) thotë se në jetën e besimtarit nuk ka vend për mungesë shprese: “Ty të dhamë sihariqin e së vërtetës, mos u bëj ndër të pashpresët”, thanë. Dhe ai tha: “Përveç të zvetënuarve, kush tjetër e pret shpresën nga mëshira e Zotit?” (Hixhr, 55-56) “Thuaj: O robërit e Mi, që veten e keni ngarkuar me plot gabime! Mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai fal shumë dhe është i Mëshirshëm!” (Zumer, 53) “Është Ai që e lëshon shiun pasi ata i kanë humbur shpresat; dhe Ai shtrin mëshirën e vet. Ai është Mbikëqyrësi, i Lëvduari.” (Shura, 28)

Fakti se Allahu është i mëshirshëm e i dhembshur, përbën për besimtarin burimin më themelor të shpresës. Në Kuran, besmeleja përmendet 114 herë. Ajo që shprehet nëpërmjet besmelesë është “Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Veç kësaj, Kurani e vlerëson qenien i pashpresë si një lloj dhune që njeriu e ushtron ndaj vetvetes (Zumer, 53). Natyrisht, te njeriu nuk ekziston vetëm ndjenja e shpresës. Tek ai gjenden edhe frika e mungesa e shpresës dhe shpesh njeriu zhytet në vorbullën e të qenit i pashpresë. Për këtë arsye, në mënyrë që njeriu të mos mbetet në shtjellat e brendshme shpirtërore e mendore, para së gjithash është e nevojshme që të zotërojë një besim të qëndrueshëm, një dorëzim e nënshtrim të plotë ndaj Zotit. Pra, besimi (akide), nënshtrimi (teslim) dhe mbështetja te Zoti (tevekkul) balancojnë ndjenjat e mungesës së shpresës te besimtari dhe e vendosin atë mbi baza të shëndosha.

Shpresa ka të bëjë me zbulimin prej njeriut të shpirtit të vet dhe me perceptimin e pushtetit që ai zotëron. Me këtë perceptim, njeriu kalon në marrëdhënie me Pushtetin e Pafundëm përtej kozmosit dhe me të ia del që të mbërrijë një forcë që i mjafton për gjithçka. Në sajë të gjithë kësaj, grimca diellore, pika e ujit, çdo pjesë e së tërës kthehet në një frymë të gjithësisë.

Profeti Adem (paqja qoftë mbi të!), në një kohë kur qielli iu err, vullneti iu thye dhe shpirti i erdhi në buzë, u shkund me shpresë, tha: “I bëra keq vetes sime” (Araf, 23) dhe shpëtoi. Ndërsa Shejtani, mungesën e shpresës, gjakun e qelbin që i rridhte prej shpirti i mbajti e i shllapuriti brenda vetes dhe së fundi u mbyt në to.

Çdo ushtar i shpirtit ka dalë në rrugë me një pishtar prej shprese, ka kapërcyer me të tufanet, ka luftuar me furtunat e është përleshur me dallgët. Te dikush shpresa është kthyer në një syth nga të Xhudit, te dikush tjetër në vreshta nga të Iremit, te dikush në një Jethrib që bëhet Medinë. Në këtë luginë, çdo hero i shpresës është bërë njëkohësisht i dashur i lartësisë së të Vërtetës e flamur i njerëzisë.

Një skllav prej fisesh berbere që ndizet prej shpresës e vullnetit, u ka sjellë një famë të re kolonave të Herkulit dhe është kthyer në heroin legjendar të vendeve të përtejdetit; një komandant djalosh që vetëtin shpresë ka lozur me epokat dhe ka mbërritur në lartësi të tilla që pakkush në historinë e njerëzimit i ka cekur. Veç kësaj, në një epokë kur gjithçka kishte marrë fund, kur trupi i kombit ishte përkulur, kur krenaria ishte thyer, vërehet se si shpresa merr një trajtë legjendare që, sipas shkallës së besimit, ai që e shtie në dorë, mund të sfidojë gjithësinë; edhe në iu prefshin krahët e në iu prishtë fluturimi, ai vazhdon rrugën pa më të voglën mëdyshje; në skamje, duke shpërfaqur dukje e fisnikëri kamjeje e begatie, u bëhet jetë shpirtrave të vdekur.

Me shpresë, përshkohen udhët e gjata; me shpresë, kapërcehen lumenj gjaku e qelbi dhe veç me shpresë mbërrihet në paqe e qetësi. Ata që janë mposhtur në botën e shpresës, edhe në praktikë mund të thuhet se janë mposhtur. Sa e sa burra ka që janë vënë në udhë plot guxim e mençuri, por që për shkak të dobësisë së besimit e të shpresës, kanë mbetur në mes të rrugës. Një tërmet i lehtë a një furtunë kalimtare t’u mbërrijë, apo një përmbytje që vjen e ikën, i merr me vete edhe forcën, edhe vullnetin. Po ashtu, është e dhimbshme gjendja e atyre që, pasi e kanë lidhur veten me shpresën, më vonë kanë rënë e janë mbytur në kënetën e mungesës së shpresës.

Një shpirt i dashuruar me ngjyrën që nuk zbehet, me dritën që nuk shuhet e diellin që nuk perëndon (Enam, 76-79), shndrit në agullimin e mëngjesit në një ditë shumëngjyrëshe porsi kopshtet e Parajsës. Tek të tillët rendin diejt në horizonte që nuk njohin errësirë, ndërsa stinët që këmbehen, porsi mahshere panoramash të larmishme e të magjishme, ndjekin paprerë njëra-tjetrën. Apo secili si një pemë madhështore, me shtatin hedhur drejt qiellit e me rrënjë pas rrënjësh zbritur në thellësitë e tokës, nuk ndikohen aspak as prej rreptësisë së borës e të breshrit, as prej uturimës së tufanit e të furtunës. Këto ditë të lidhura me përjetësinë e të mbushura plot me shpresë, si në verë e në vapë, si në të ftohtë e në dimër, mbushin shportat plot fruta dhe vënë, kështu, në vend atë çka pritet prej një të tillë peme madhështore.

Ne, si një njerëzim i tërë, që mbahet e nuk ligështohet, që qëndron e nuk thyhet dhe që nuk e humbet kurrë shpresën, kemi nevojë për udhërrëfyes siç kemi nevojë për bukë, për ujë e për ajër. Ndërsa me ata që e nisin udhën plot zell dhe pasi nuk e gjejnë atë që presin e dëshirojnë, ose bien në honin e mungesës së shpresës, ose nisin të ankohen për Krijuesin, janë milje e milje larg nesh dhe ne jemi milje e milje larg tyre.

Baraspesha mes optimizmit dhe pesimizmit.

Në të emër të vazhdimësisë së besimit e të idealizmit, është shumë e rëndësishme që këto ndjenja të përfaqësohen në masën dhe në drejtimin e duhur. Pasi besimi është tjetër gjë, arritja e ekuilibrit në besim është tjetër gjë dhe kthimi i atij ekuilibri në një baraspeshë të përhershme është tjetër gjë. Së pari, Feja jonë na këshillon rrugën e mesme në çdo kohë e në çdo vend. Zoti i Madhëruar urdhëron e thotë: “Unë ju kam bërë një bashkësi të së mesmes…” (Bekare, 143) Kjo shpreh nevojën e përfaqësimit të një bashkësie që t’u qëndrojë sa më larg që të jetë e mundur të gjitha ekstremeve dhe që edhe në drejtim të mendjes, edhe të ndjenjave, edhe të shpirtit, të përfaqësojë të moderuarën. Kështu, në duatë e ibadetet që kryejmë, duke thënë më e pakta dyzet herë në ditë “Na udhëzo në rrugën e drejtë!” (Fatiha, 6), dëshirojmë prej Zotit të na mbajë në atë rrugë. Për më tepër, jetojmë në një kohë kur ekstremet shpërfaqen kudo e në shkallën më të tepruar. Veçanërisht në një kohë të tillë, pa gëzuar ndihmën e Allahut, është krejt e pamundur që të jetojmë në të drejtën.

Në ditët tona, gjithashtu, është e mundur të bëhet fjalë për mungesën e baraspeshës që vërehet në çështjen e marrëdhënies frikë-shpresë. Shumica e njerëzve që janë në pozitën e udhërrëfyesit për njerëzit, duke i vënë këta të fundit vetëm përballë Parajsës dhe Ferrit, në këto çështje i shtyjnë njerëzit ose në mungesë të plotë shprese, ose në vetëbesim të tepruar. Ndërsa njeriu, nga njëra anë, duhet të sillet me kujdes shumë të madh për të kryer më së miri veprat e veta dhe, nga ana tjetër, duhet të ruajë vetëdijen se asnjëherë nuk do të jetë në gjendje ta falënderojë e lëvdojë sa ç’duhet Zotin e Lartësuar për të mirat që i ka dhuruar dhe se asnjëherë nuk do të jetë në gjendje të shpëtojë vetëm në sajë të veprave të veta. Profeti ynë ka thënë: “Askush nuk shpëton dot me veprën e vet.” Kur sahabët e pyetën: “As ti, o i Dërguar i Allahut?”, ai u përgjigj: “Po… Po të mos jetë për mirësinë dhe bekimin e Allahut, as unë nuk shpëtoj dot.”[2]

Për këtë arsye, mendime si: “E ç’mëkate kam unë? Përkundrazi, unë në këtë moshë kam besuar, kam falur namaz, kam agjëruar… Atëherë Allahu mua nuk më dënon”, janë shprehje e një kryelartësie e mungese respekti ndaj Allahut. Nga ana tjetër, edhe të mendosh më të keqen për veten duke rënë në mungesë shprese e duke rënë në mendime si: “S’ka shpresë për mua! Fundja deri më sot nuk kam bërë kurrfarë të mire. Sido që të jetë, do të shkoj në ferr, prandaj edhe nuk ia vlen të përpiqem më kot!”, përbën një mungesë respekti më vete, një shprehje kryelartësie më vete.

Kështu, për të ruajtur baraspeshën, nuk mjafton vetëm që të besojmë. Në këtë çështje, drejtimi i duhur në adhurimin ndaj Allahut mund të arrihet vetëm nëse njohim shprehjet e sakta në lidhje me besimin dhe nëse i vëmë në zbatim ato. Përndryshe, përcaktimi i drejtimit të duhur si në ndjenja e mendime, ashtu edhe në zgjidhjen e problemeve dhe në arritjen e së drejtës mbetet shumë i vështirë. [3]

 


[1] Tirmidhi, Daavat, 99; Musned, V, 148.

[2] Buhari, Rikak, 18; Muslim, Munafikin, 71, 75.

[3] Kushejri, Risale, 270; M. F. Gülen, Prizma III, 31.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: