Kushtet e detyrimit të haxhit

Që ibadeti i haxhit të jetë i farz për një individ, së pari ky duhet të jetë mysliman, me aftësi normale mendore e të ketë mbërritur moshën e pjekurisë, të jetë i lirë; të ketë mundësi të mjaftueshme fizike e financiare për të bërë haxhin. Kjo mundësi apo realizueshmëri, në librat e fikhut shprehet me termin “istitaat”. Që dikush të jetë i ngarkuar me detyrimin e ibadetit të haxhit, krahas atyre që u përmendën më sipër, kërkohet të jetë mbërritur edhe koha e duhur për ta çuar në vend këtë detyrim. Nëse dikush, pavarësisht nga përmbushja e të gjitha kushteve të sipërpërmendura, vdes pa e mbërritur dot stinën e haxhit, konsiderohet të jetë ndarë nga jeta pa qenë i ngarkuar me përgjegjësinë e të shkuarit në haxh. Ibadeti i haxhit kryhet në muajt e haxhit. Muajt e haxhit, mbështetur në kalendarin hënor, janë shevali, dhilkadeja dhe dhjetë ditët e para të dhilhixhesë. Jashtë kësaj periudhe, nuk mund të hyhet në ihram për detyrimin e haxhit dhe nuk mund të zbatohen ruknet e haxhit. Mundësia dhe aftësia për të kryer haxhin ka kuptimin që individi që do të shkojë në haxh të jetë në gjendje të mjaftueshme financiare për të siguruar jetesën e njerëzve e të familjarëve që ka në ngarkim sipas nivelit shoqëror që u përshtatet, që nga largimi e gjer në kthim. Brenda konceptit të mundësisë, ka nga ata që kanë përmendur edhe sigurinë fizike, sigurinë e pronës dhe atë të udhëtimit. Dijetarët e medhhebit hanefi, duke iu referuar shprehjes së përmendur në ajetin e shenjtë të Kuranit, “ata që mund të gjejnë rrugë e u mjafton fuqia për të shkuar në haxh…”, kanë pohuar se ajo përfshin elementet e “mundësisë fizike, financiare dhe të sigurisë së rrugës.” Nëse njëri nga kushtet që e bën të detyrueshëm haxhin nuk përmbushet, atëherë haxhi nuk është farz dhe nuk përbën një detyrim për t’u zbatuar.

Postime të ngashme