• July 12, 2020

Shpëtimtari ynë!

Sikur natyra fizike, që me kalimin e kohës, e bjerr vlerën e saj të gjallërisë, po kështu edhe jeta kulturore e humb shpirtin e vërtetësisë duke rënë në letargjinë e vdekjes. Pikërisht, në një kohë të tillë shihet nevoja e ardhjes së një personi, që të zgjojë botën!

Koha kish ardhur, që një shpëtimtar të dukej në horizont, për të flakur tutje injorancën e për ta shndërruar atë në një epokë të lumturisë. Dhe ai erdhi, erdhi në momentin e duhur, ashtu siç ishte paracaktuar.

Në të vërtetë dëshira për t’i ngjarë atij njeriu, që Zoti kishte zgjedhur si model, si shembull, duhet të përbënte një qëllim dhe ashtu ngjau. Ashtu ngjau me shokët e tij, ashtu ngjau me ata që erdhën pas tyre, brez pas brezi dhe ashtu po ngjet edhe sot.

Me drejtpeshimin e sjellë nga ai, do të shpëtonte njeriu nga qëndrimet ekstremiste të indiferencës e teprimit dhe do të gjente kahjen e duhur! As jeta e një asketi, por as ajo e një skllavi nuk përbënte udhën që ai këshillonte apo që dhe vepronte. Ai zgjodhi për ne udhën e mesme, aty ku ne duhet të ecim gjithmonë.

Jetesa e tij në një harmoni të plotë, si tingujt e një melodie hyjnore, të folurit si një poezi e përkryer, lakonik dhe bindës, e bëjnë atë të pakrahasueshëm dhe shembullin më të përkryer! Kur flet ai, e tërë qenia ngre veshë e dëgjon!

Ndjesitë tona lidhen pas tij, jeta jonë merr kuptim vetëm duke ecur në gjurmët që ai la pas. Ardhja e tij i përftoi materies kuptim, për ta nxjerrë nga gjendja e të qenit në kaos. Çdo gjë që mësuam, ne prej tij e mësuam dhe materia hipi në fronin e urtësisë, e filloi bashkudhëtimin me shpirtëroren.

“Edhe sikur të më vënë hënën në njërën pëllëmbë e diellin në tjetrën, nuk heq dorë nga kjo kauzë”, kështu pra, ai ishte njeriu i kauzës e kauza e tij ishte kumtimi i revelatës hyjnore, kauza e tij ishte shpëtimi ynë.

Ai nuk priti kurrë asnjë shpërblim shpirtëror a material si kundërvlerë të shërbimit të kryer. Kauza e tij ishte urdhër për të dhe ai po kryente vetëm detyrën.

Ai, mbreti i profetëve, që në lindje ka thënë “Ummeti” (njerëzit e mi) dhe në Ditën e Ringjalljes ashtu do thotë. Ndërsa portat e xhenetit të hapura kat më kat presin të nderohen me ardhjen e tij, ai parapëlqen të përjetojë çastet më të turbullta të ringjalljes pas katastrofës, me qëllim që të marrë me vete dhe Umetin, bashkësinë e tij, përfshi edhe atë më mëkatarin. Ky është ndërmjetësi, ky është shpëtimtari ynë.

E gjithë jeta e tij e mbushur me tablo vullnetarizmi e sakrifice duhet të shërbejë si një shembull për të gjithë ne. Ai dhe të gjithë profetët e tjerë nuk kërkuan asgjë nga sendet e kësaj bote apo tjetrës si kundërvlerë të shërbimeve që patën kryer. Ata i janë dorëzuar Zotit të tyre me të gjithë qenien. Ai është Profeti i fundit që errësirën e bëri dritë, që injorancën e luftoi me dije, padrejtësinë me drejtësi, arrogancën dhe prepotencën me butësi e urtësi.

E ndërsa ditët tona po shpërndahen si gjethet e zverdhura në vjeshtë, vetishëm lind pyetja: a po sakrifikojmë ne për kauzën tonë? A po ecim sot ne në gjurmët e Profetit tonë? A po i shërbejmë vetes duke i shërbyer kauzës së tij? Sepse kauza e tij nuk ish e tij, por e jona!

Postime të mëparshëm

Optimizmi

Postime të rradhës

Në kërkim të dashurisë sublime