Rëndësia që i ka dhënë Profeti ynë agjërimit
Agjërimin neve na e ka përshkruar dhe na e ka trajtuar me të gjitha hollësitë i Dërguari i Allahut. Këtu do të përpiqemi të përcjellim dy fjalë të bekuara të të Dërguarit të Allahut lidhur me rëndësinë e agjërimit, që na kanë arritur neve.
Sipas rrëfimit të Ebu Hurejres (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ka thënë: “Allahu ka urdhëruar kështu: “Çdo akt i njeriut është për vetë atë, me përjashtim të agjërimit. Shpërblimin e agjërimit e jap unë, sepse njeriu i braktis ngrënien dhe dëshirat trupore vetëm për mua. Për agjëruesin ka dy çaste të gëzuara. Njëri, kur ha iftarin dhe i dyti, kur bashkohet me Zotin. Kundërmimi i gojës së agjëruesit është pranë Allahut më i këndshëm se aroma e parfumit!”27
Po, me këto ndjenja duhet kryer agjërimi! Kundërmimi i gojës së atij që mban agjërim buron nga uria. Fakti që ditën e kiametit, në lartësinë e Zotit, ky kundërmim do të jetë më i ëmbël, më i këndshëm e më i pastër se ai e qelibarit dhe e parfumit të myshkut, është shprehur nga vetë njeriu më fjalëdrejtë, Profeti ynë. Janë disa aroma të cilat u pëlqejnë engjëjve që janë shpirtra të pastër, ndërsa janë duke kryer detyrën e adhurimit ndaj Allahut. Atyre u pëlqejnë aromat e këndshme, nga aroma e trëndafilit te e luleve të tjera, nga aroma e qelibarit te e myshkut.
Në botërat që ne nuk mundemi t’i shohim me sytë e kësaj bote, aromat e mira janë si çelësat që hapin thesaret e fshehta. Edhe kundërmimi i gojës së atij që mban agjërim është njëra nga këto. Kjo është kështu ngaqë agjërimi është një adhurim me përmasa ndërlidhëse mes Allahut dhe robit. Me këtë aspekt të tij, agjërimi duhet trajtuar brenda thellësisë së tij kuptimore, jo thjesht për nga kundërmimi i gojës.
Në një tjetër hadith, të përcjellë nga Ebu Hurejre, Profeti ka thënë: “Çdo gjë ka zekatin e vet. Zekati i kurmit është mbajtja e agjërimit. Mbajtja e agjërimit është gjysma e durimit!”28 Kurse në një vend tjetër, Profeti ka thënë: “Agjërimi është gjysma e durimit, kurse pastërtia, gjysma e besimit.”29
Të durosh për ta bartur në shpinë përgjegjësinë e adhurimit që ta ka ngarkuar Allahu, të mos lëkundesh përballë gjërave të ardhura prej Tij, të mos largohesh nga porta e Tij, ta mbrosh veten e t’i shtrëngosh dhëmbët, etj. përbëjnë gjysmën e besimit. Kurse agjërimi është gjysma e durimit, sepse gjysma tjetër e durimit është shpërndarë në gjëra të tjera. Te agjërimi, nga një aspekt i tij që është ndërprerja e epsheve frymore (egoistike), ka durim ndaj mëkateve, kurse nga një aspekt tjetër i tij që është përballimi i urisë dhe etjes (veçanërisht në mot të nxehtë), ka durim ndaj adhurimit.
Kështu, agjërimi përbën një të katërtën e fesë, pra njërin prej katër adhurimeve: namaz, agjërim, zekat dhe haxh, që janë katër baza të mëdha e të rëndësishme. Dhe siç e bëmë të ditur më sipër, te agjërimi ka durim edhe në përballimin e adhurimit, edhe në përballimin dhe frenimin e kërkesave dhe dëshirave, ndjenjave epshore dhe tekave njerëzore.
Çdo punë e bërë për hir të Allahut ka, patjetër, mirësinë (sevabin) e vet. As që mund të mendohet se një punë e bërë për hir të Allahut mbetet pa shpërblim! Por kur vjen fjala për agjërimin, shpërblimi i tij është i pakrahasueshëm. Ebu Umame (r.a.) thotë kështu: “I kërkova të Dërguarit të Allahut të më thotë një punë të domosdoshme për ta bërë. Ai më tha: “Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!” Ia përsërita kërkesën për të dytën herë të Dërguarit të Allahut. Dhe ai më tha për të dytën herë: “Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!” Por unë ia përsërita edhe një herë tjetër kërkesën dhe ai më dha për të tretën herë të njëjtën përgjigje: “Mbaj agjërim, sepse ai s’ka të krahasuar!”30
Në një hadith tjetër, përsëri mbi agjërimin, Profeti ka thënë kështu: “Te Allahu nuk ka adhurim tjetër që të ketë shpërblim sa agjërimi!”31 Kurse në raste të tjera ka thënë: “Cilin ushqim apo pije që ia dëshiron njeriut vetja, t’ia pengojë agjërimi, Zoti ia shpërblen njeriut në xhenet nga frutat dhe burimet e xhenetit!”32 “Në xhenet është një portë nga hyjnë vetëm ata që mbajnë agjërim!”33 “Po qe se ai që agjëron, e siguron ushqimin e vet nga gjërat hallall, nuk i kërkohet llogari në jetën e pasme (ahiret)!”34 “Gjumi i agjëruesit vlerësohet si adhurim, kurse heshtja, si tesbih (madhërim i Zotit). Mirësive dhe adhurimeve të tij u jepet shpërblim shumëfish. Allahu ia pranon lutjet dhe ia fal mëkatet!”35
Ditën e kiametit, agjërimi do të bëjë shefaat, domethënë, do të ndërhyjë për faljen e agjëruesit duke iu lutur Zotit: “O Zot! Unë e pengova atë ditën nga ushqimi dhe kënaqësitë, prandaj pranoma ndërhyrjen për të!” Dhe Zoti do t’ia pranojë agjërimit këtë lutje dhe do t’i japë leje për të ndërhyrë në të mirë të agjëruesit!”36
Agjërimi është njëri nga kushtet e Islamit. Si për të gjitha adhurimet, edhe agjërimin, muslimanët e mbajnë pa menduar për dobitë e tij. Zoti na e thotë këtë kështu në Kur’an: “Unë i krijova xhindet dhe njerëzit vetëm për të më adhuruar mua!”37 Pra, qëllimi i ekzistencës së njeriut është të bëjë adhurim. Shpërblimi i adhurimeve pritet nga Allahu. Fryti i adhurimeve është shpirtëror, pra dobia e tyre do të shihet në jetën e pasme (ahiret).
Dobitë materiale që sjellin me vete disa adhurime, kurrsesi s’mund të jenë shkaqe dhe qëllime të atyre adhurimeve. Ndërkaq, po të mbahet parasysh se veprimet për të cilat ka urdhra hyjnorë që të kryhen, janë gjëra të dobishme për njerëzit. Kurse veprimet për të cilat ka urdhra hyjnorë që të mos kryhen ose, e thënë ndryshe, të cilat përbëjnë ndalime hyjnore, janë të dëmshme për njerëzit, pra, po të mbahet parasysh kjo, mund të thuhet se mendimi dhe hulumtimi i urtësive të urdhrave dhe ndalimeve hyjnore është një faktor që e forcon besimin.
Fundja, dobitë dhe interesat që na vijnë pa i menduar fare pasi t’i kemi kryer adhurimet, janë domosdoshmëri e urtësisë së Allahut që është Hakim, i Urtë! Në propozimet e Tij për ne fshihen shumë e shumë urtësi. Ashtu si për namazin, zekatin dhe haxhin, dobitë që i përfton njeriut në këtë botë, edhe për agjërimin duhen vlerësuar gjithmonë nga kjo perspektivë.