Mirësia dhe vlera e haxhit
Haxhi ka plot dobi vetjake dhe shoqërore. Më kryesoret janë këto që vijojnë: haxhi mundëson që individit t’i falen mëkatet dhe zemra e tij të pastrohet prej gjynaheve. Profeti i nderuar paqja qoftë mbi Të në një hadith të tij thotë: “Kushdo që për hir të Allahut kryen bën haxh dhe u shmanget fjalëve dhe sjelljeve të pahijshme e nuk përlyhet prej mëkatesh, kthehet i pastruar prej mëkateve sikur sapo të ketë lindur prej nënës.” Në të tjera hadithe të tij, ai thotë: “Shpërblimi i haxhit të pranuar nuk është asgjë tjetër veç parajsës”, “Edhe në umre, pastrohen mëkatet e kryera në kohën që ndan njërën umre nga tjetra.” Pyetjes “Cila nga veprat është më e mirësishmja?”, Profeti ynë i është përgjigjur: “Besimi tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij.” I pyetur: “Po më pas?”, është përgjigjur: “Xhihadi në rrugën e Allahut”. I pyetur sërish: “Po më pas?”, ka urdhëruar e ka thënë: “Haxhi i pranuar.” Vlerat e besimtarëve që kryejnë haxhin, në vështrimin e Allahut janë shumë të larta. Profeti ynë i nderuar e ka shprehur këtë të vërtetë duke pohuar: “Ata që kryejnë haxhin dhe umren janë mysafirët e Allahut. Nëse i drejtohen Allahut me lutje, ai ua pranon. Në iu drejtofshin me pendesë, ai i fal.” Në një tjetër hadith, që thotë: “Kryejini njërën pas tjetrës haxhin dhe umren, sepse haxhi dhe umreja i asgjësojnë varfërinë (për shkak të tregtisë që mund të bëhet) dhe gjynahet siç pastron kaceku hekurin, arin dhe argjendin prej ndryshkut”, na jepet sihariqi se haxhi, krahas pastrimit prej mëkateve, bëhet shkak që njeriu të shpëtojë edhe prej varfërisë.
Vlerat e haxhit
Haxhi dhe umreja bëhen shkak që tempulli i shenjtë i Qabesë çdo vit të mbushet me shend e gjallëri. Haxhi e pastron egon e njeriut prej mëkateve, e bën atë të dëlirë, e pajis me kthjelltësi besimi, i çel dyert e një jete të re; përforcon jetën shpirtërore të njeriut, konsolidon besimin që ai ndien kundrejt mëshirës dhe faljes hyjnore. Haxhi forcon e rrit besimin, ndihmon në ripërtëritjen e besës së dhënë Allahut, çon drejt asaj pendese të fuqishme që nuk shkelet lehtë, e pastron krejt shpirtin duke rafinuar ndjenjat dhe thuajse i jep krahë atij. Haxhi i kujton njeriut të kaluarën e shkëlqyer të Islamit. Ai i sjell ndërmend besimtarit Profetin tonë paqja qoftë mbi Të, që me moralin dhe me veprat e tij ndriçoi botën, si dhe sakrificat dhe heroizmat e sahabëve të tij të zgjedhur dhe të njerëzve të shenjtë që i pasuan ata në mënyrën më të bukur. Për më tepër, haxhi e mëson njeriun me durim, me vetëdisiplinë dhe bëhet shkak që ai të fitojë ndërgjegjen e bindjes ndaj urdhëresave hyjnore. Përmes ritualit të haxhit, njeriu e falënderon më mirë Zotin e vet, gjen rrugën e të qenit më thellësisht mirënjohës për mirësitë e pasurisë, të shëndetit e të mirëqenies që Zoti i ka dhuruar. Për sa u përket vlerave shoqërore, haxhi, pa marrë parasysh ndarje në baza ngjyre, gjuhe, race, kombësie, kulture, pozite shoqërore e posti politik, bashkon me një qëllim të vetëm miliona myslimanë duke u bërë shkak për krijimin e një tabloje fort të gjallë të barazisë e të vëllazërisë. Të gjithë haxhinjtë, të pasur e të varfër, të fuqishëm e të dobët, të veshur njëlloj, duke ndjekur të njëjtat rregulla, duke iu nënshtruar të njëjtave vështirësi, duke lëvizur në të njëjtat kushte, kalojnë nëpër një edukim të barazisë fizike e të vëllazërisë. Teksa një besimtar i pasur që ka në zotërim pasuri të mëdha, sikurse dhe një besimtar më i varfër e që përjeton shumë vështirësi ekonomike, çelin së bashku duart për t’u lutur në Arafat e ecin pranë e pranë në tavaf rrotull Qabesë, ibadeti i haxhit u mëson njerëzve që të mos mburren me pozitën shoqërore e politike, me begatinë e me pasurinë, por të njihen e të shoqërohen me myslimanë të tjerë. Rituali i haxhit lë te myslimanët kujtime të thella që nuk do të fshihen gjatë gjithë jetës. Në sajë të haxhit, mes myslimanëve që vijnë e bashkohen nga vende të ndryshme të botës lindin njohje e ndërveprime të bukura. Myslimani që kryen haxhin zhvillon cilësi të bukura si durimi, kapërcimi i vështirësive, të mbështeturit dhe të ndihmuarit e ndërsjellë dhe përshtatja me rregulla të caktuara. Haxhi i mbart vizitorët në kohë katërmbëdhjetë shekuj më parë. Ai i bën ata të takohen në ëndërrim me Profetin e Profetëve, u kujton atyre ato beteja të mëdha që janë zhvilluar në ato vende. Haxhi e bën njeriun të përjetojë një panoramë që i përket parajsës dhe i shfaq të vërtetën se në këtë botë s’është veçse një mysafir.