Sarajevë, aty ku historia nuk harrohet
Nga Ferit Lika
Kujtesa është gjallë…
RRUGA…
Tiranë- Sarajevë
Lëmë pas Tiranën një pasdite të së enjtes së vrenjtur dhe nisemi për në Sarajevë.
Rruga qe e gjatë dhe e lodhshme. Menjëherë sapo kaluam doganën shqiptare të Hani Hotit, rruga fillojë të përkeqësohej. E ngushtë dhe me gropa. E tillë vazhdoi përgjatë gjithë territorit të Malit të Zi. Shpresa për një rrugë më të mirë në kufirin boshnjak u shua, pasi rruga ishte akoma edhe më e keqe, shto edhe faktin se udhëtimi ishte natën, si dhe policët që vonoheshin nëse nuk ju jepje diçka, por këtë pjesë e kishte zgjidhur shoferi me nga një pije energjike. Kështu, Tiranë – Sarajevë zgjati mbi tetë orë. Dikush prej nesh gjatë rrugës, me krenari tha se, rrugët tona janë edhe më të mira.
Debati më i zjarrtë dhe që zgjati më shumë gjatë udhëtimit ishte të folurit me dialekt, duhet apo s’duhet, e në qendër të kritikave u vunë miqtë tanë shkodranë edhe pse ishin shumicë në mikrobus, pak edhe jugorët, dialekti i të cilëve u quajt disi femëror, ndërsa ne të Shqipërisë së mesme shpëtuam disi.
Rruga fillon të përmirësohet ndjeshëm sapo i afrohemi kryeqytetit boshnjak, pas kësaj askush nuk guxoi më ta krahasonte me Shqipërinë, përveç disa rasteve në fshatra, ku sa herë shfaqej ndonjë fshat i gjelbëruar dhe i mbajtur mirë, një shok i yni prej Gjirokastre e krahasonte menjëherë me Libohovën, “ja, kjo qenka fiks si Libohova”.
PARKU I MADH
Vrelo Bosne
Pas një nate të lodhshme udhëtimi, të nesërmen ndalesa e parë ishte parku. Ajri i pastër shtohej sa më shumë i afroheshin parkut të madh, “Vrelo Bosne” (Pranvera e Bosnjës), aty ku rridhte edhe burimi i quajtur “Uji Blu”. Burime e lumenj do të shohim pafund edhe më tej.
Hyrja në park kushtonte 2 KM (1 euro), në fillim të gjithë menduam se paraja boshnjake quhej “kilometra” (KM), por më vonë doli që ishte “Kajem”.
Në rrugën që të çonte te parku, shtrihej lagja e kroatëve, me ndërtesa tradicionale Austro- Hungareze, ndërsa përballë ngrihej një mal i lartë që nuk lejohej të kalonte njeri, pasi ende përbënte rrezik nga minat e vendosura që në kohën e luftës.
Ajo çka u bëri përshtypje të gjithëve ishin shtëpitë pa rrethim (avlli), ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim në Tiranë, apo kudo gjetkë në Shqipëri.
“Vrelo Bosne” ndodhet në rajonin qendror të Bosnje-Hercegovinës, në jugperëndim të Sarajevës, një nga monumentet kryesore natyrore të vendit me një bukuri të rrallë në rajon. Nëpër të mund të kalosh vetëm në këmbë ose me pajton.
Shtigjet dhe rrugët brenda parkut janë ideale për shëtitje nga ku mund të shohësh nga afër burimin e lumit dhe kafshët tipike, rosat dhe mjellmat.
Parku është i larmishëm me bimë barishtore, shkurre dhe pemë të larta dhe i pasur me burime ujore.
Vizitorët mund të shijojnë një kafe në të vetmin lokal të drunjtë të kombinuar bukur me urat e shumta prej druri përreth. Ndërsa për fëmijët, gjendet një kënd i vogël lojërash aty pranë. Në vitin 2006, “Vrelo Bosne” është shpallur monument i natyrës.
Gjatë luftës pemët e parkut u prenë dhe u përdorën për ngrohje, ndërsa në vitin 2000, parkut iu rikthye pamja e mëparshme falë iniciativës së një organizate ekologjike ndërkombëtare e udhëhequr nga të rinjtë vendas.
RRETHIMI…
Kujtesa është gjallë
Teksa futemi në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, shenjat e luftës janë ngado. Pothuajse të gjitha shtëpitë, pallatet janë të mbuluara me rrjeta plumbash. Askush nuk ka marrë mundimin për t’i mbushur ato, përveç disa shtëpi në të rrallë, që edhe këto mendohet të jenë serbë ose kroatë.
Plagët e luftës janë ende të freskëta për boshnjakët e ndoshta këto vrima plumbash nëpër mure janë lënë për të mos harruar vuajtjet që kanë hequr.
Rrethimi i Sarajevës filloi më 6 prill 1992. Ushtria Popullore e Jugosllavisë e mbështetur nga forcat paramilitare të serbëve rebelë, me 18 mijë rezervistë rrethuan qytetin, në një diametër prej rreth 60 kilometrave, me tanke, mortaja-hedhës, topa e snajperë, kushdo që guxonte të lëvizte, ekzekutohej pa hezitim.
Gjatë gjithë rrethimit qyteti ishte i shkëputur nga pjesa tjetër e shtetit. Nuk kishte armë për mbrojtje, ujë, ushqim, rrymë, gaz apo edhe ilaçe. Gjithçka që kishin ishin plumbat, granatat dhe viktimat e përditshme.
Serbët shkatërruan gjithçka që kishin në shënjestër, që nga çerdhet e fëmijëve, maternitetet, shkollat dhe bibliotekat, spitalet dhe objektet fetare, ndërtesat e banimit, institucionet publike, etj. Për gati katër vjet u shkatërruan dhjetëra-mijëra ndërtesa, ndërsa vetëm në shtator 1993 u shkatërruan 35 000 të tjera.
Teksa ecim mësipërmes qytetit vihet re arkitektura e pasur austriake, me rregull dhe hapësira të pafundme gjelbërimi. Ata që na shoqëronin nxitojnë të tregojnë urën ku u krye vrasja e kryedukës Franc Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit të Perandorisë Austro-Hungareze nga serbo–boshnjaku Gavril Princip, me 28 qershor 1914, vrasje që çoi në fillimin e Luftës së Parë Botërore.
Asnjë ndërtim i ri nuk dukej gjëkundi, blloqet e reja të pallateve mund t’i gjeje vetëm jashtë qytetit.
Sarajeva, në historinë moderne është qyteti që ka qëndruar më gjatë i rrethuar, për tre vite e dhjetë muaj. Gjatë rrethimit u vranë 14 011 njerëz, nga të cilët 7 808 në vitin e parë të luftës, 3 392 në vitin e dytë, mes të cilëve 1 601 fëmijë dhe mijëra të plagosur.[1]
Rrjeti televiziv Al Jasira, do të raportonte asokohe se vrasjet ishin bërë aq të zakonshme sa që çdo vdekje e natyrshme është përjetuar si luks.
Rrethimi përfundoi më 29 shkurt 1996. Pas një muaji, më 11 mars, një raketë e hedhur nga Grbavica, që ishte nën kontrollin serb, goditi tramvajin ku vrau një grua dhe plagosi 18 të tjerë. Këto ishin viktimat e fundit të rrethimit.
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi dënoi vetëm tre komandantë serbë për rrethimin: Stanislav Galicin, Dragomir Milosevicin dhe Momcilo Perisicin dhe po gjykohet Radovan Karadzici, ish-kryetar i Republika Srpska, si dhe Ratko Mladic, ish-komandat i forcave të RS-së.
Përveç të vrarëve, mësojmë se, gjatë luftës nga Sarajeva kanë ikur mbi 200 mijë banorë.
TUNELI I SHPRESËS
Tunel of Hope (Tunel Spasa)
Ndalesa e radhës në itinerarin tonë është “Tuneli i Shpresës” (Tunel of Hope), në periferi të Sarajevës në lagjen Butmir, pranë aeroportit të qytetit. Shumë prej atyre që i mbijetuan rrethimit të qytetit nga forcat serbe, do të thoshin se, gjatë luftës, ky tunel ishte vena e jetës së Sarajevës.
Njëzetë e dy vite më parë, ushtria boshnjake filloi të gërmonte një tunel nën aeroportin e Sarajevës, i cili do të bëhej rruga e vetme e ndihmës për qytetin dhe simbol i rezistencës së tij, duke lidhur qytetin e Sarajevës, më një territor boshnjak pranë Aeroportit, një zonë të kontrolluar nga Kombet e Bashkuara.
Ndërtimi i tij filloi në fshehtësi më 1 mars 1993 nën emrin e koduar “Objekti BD”, i cili do të lidhte lagjet Butmir dhe Dobrinja, dy lagjet boshnjake të mbajtura nën rrethimin serb.
Tuneli u gërmua me dorë, lopata dhe mjete rrethanore, 24-orë në ditë. Hapja e tij nisi nga të dy krahët, deri kur më 30 qershor 1993, dy tunelet u takuan në mes. Përdorimi i tij filloi të nesërmen më 1 korrik 1993.
Në pikën e tij më të thellë, tuneli shkonte 5 m nën pistën e aeroportit. Me gjatësi rreth 800 metra, 1 m i gjerë dhe 1.5 m i lartë, tuneli ishte afër të gjithëve: nga agresori 30-50 metra, ndërsa ushtarët e OKB-së kalonin sipër tij.
Objekti DB atë kohë ishte sekreti më i madh shtetëror. Nëpërmjet tij për herë të parë dolën njësitë që më vonë morën pjesë në zhbllokimin e Sarajevës, ndërsa në qytet u fut rryma, ushqimi, ilaçet, nafta, uji, kabllot e internetit, kabllot e telefonit…
Hyrja nga Dobrinja ishte garazhi i një pallati ndërsa hyrja në anën Butmirit ishte një shtëpi në afërsi të aeroportit, në bodrumin e një shtëpie private, pronë e familjes Kolar. Në të mund të hyje përmes një dere të vogël, me diametër dy me dy metra dhe me gjashtë shkallë çimentoje që zbrisnin poshtë. Të dy hyrjet ruheshin nga trupat boshnjake.
Tuneli që u ndërtua për katër muaj, pas tre vjetësh do të zbulohej nga serbët, të cilët e bombarduan. Edhe pse sot kanë mbetur vetëm 20 m prej tij, janë mjaftueshëm për të treguar gjendjen e asokohshme.
“Shtëpia Muze” ekspozon materialet arkivore, duke përfshirë një film 18-minutësh të gjatë, fotografi të luftës, pajisjet ushtarake, flamujt, uniforma ushtarake, etj.
Tuneli është një kujtesë për të gjithë, dëshmi për të rinjtë, dëshmi se kjo pjesë e historisë nuk do të harrohet kurrë.
Muzeu është duke u kthyer në një nga vendet më të vizituara të kryeqytetit boshnjak nga qindra vizitorë në ditë. Shumë turne udhëtimi në Sarajevë përfshijnë “Tunel of Hope”, si një nga vendet e luftës më me vlerë për t’u vizituar.
ÇARSHIA ORIENTALE DHE XHAMIA
Bar Carsija
Në hyrje të qytetit ngrihet ish-Shtëpia e të Moshuarve, dy katëshe dhe mjaft e gjatë, e kthyer në një gërmadhë nga bombardimet e luftës. Përkrah saj ngrihen billborderat e reklamave moderne, duke krijuar një kontrast të dhimbshëm. Kujtesa është gjallë gjithandej.
Ndalemi në Bar Çarshinë (Bar Carsija), pjesën e vjetër të qytetit, apo “tregu kryesor”. Atu ku ngrihet “Sebilj”, ndërtesa më tipike e kësaj pjese të vjetër të Sarajevës, një çezmë e projektuar në qendër të çarshisë. Tufat e pëllumbave mbi të janë mjaft miqësore me njerëzit, ndërsa turistët e shumtë shpejtojnë të fiksojnë çaste të fluturimit në tyre në foto.
Mwsojmw se po tw kishim qwlluar nw momentin e ushqimit tw tyre do tw kishim parw njw spektalel tw vwrtetw, njw koreografi tw mijëra pëllumbave qw ulen e ngrihen pasi janë ushqyer.
Zona e çarshisë, u formua në mesin e shekullit XV si pjesë tregtare, me stil oriental. Skeleti urban i saj u krijua nga objekte të vogla tregtare. Tregu u ndërtua mbi modelin arab, të quajtur “suk”, çka simbolizon hapësira të shumta të lidhura nga një kompleks i madh rrugësh.
Aty shiten tekstilet, e suvenire të ndryshme, kryesisht mallra të importuara nga Turqia, por gjen edhe prodhime origjinale boshnjake: jelekë, ornamente zbukurimi, suvenire të ndryshme druri, por dhe bakri, të gjitha të punuara me dorë. Larmishmëri dhe aroma pa fund apo edhe qoftet e famshme me pite, të quajtura “ćebap”.
Ezani i myezinit jehon përmes kupolës gjigante dhe minareve të gjera e të larta të xhamisë “Gazi Husref Beu” në qendër të çarshisë. Zëri i tij melodioz diçka mes melankolisë dhe potencës, fuqisë qiellore, na fut në një spiritualitet të këndshëm, relaksues e kenaqësindjellës, deri sa fillon hytbja (ligjërata e së premtes) në boshnjakisht, një gjuhë të pakuptueshme për ne.
Edhe pse s’kuptonim asgjë nga gjuha boshnjake, komunikimi i imamit nuk ishte i bezdisshëm përkundrazi, elokuent i rrjedhshëm, ulje dhe ngritje të vogla intonacioni, tërheqës, a thua i zgjedhur për këtë rast, për të bashkuar njerëz të ndryshëm kombësi të ndryshme nën kupolën e Xhamisë së Madhe në çarshinë e Sarajevës.
Xhamia Gazi Husref Beut, e ndërtuar nw vitet 1530/31, është ndërtesa më e rëndësishme islame në Bosnjë-Hercegovinë. Ajo dallohet për vlerat e saj arkitektonike dhe sistemin e saj multi-kube. Në mes të oborrit ngrihet një shatërvanin pranveror, Kulla e Sahatit dhe përballë saj një mekteb, shkollë fillore myslimane.
Pak më tutje në një kodër të vogël ngrihen varrezat e dëshmorëve dhe varrezat e vjetër osmanë, të paprekur. Mes varrezave të dëshmorëve ngrihej një kupolë e madhe, nën të cilën prehej Alija Izetbegoviç, njeriu më i rëndësishëm në historinë e Bosnjës, ish-president në kohën e luftës, studiues i njohur i fushës islame…
Sarajeva përfshin të dy botët; orientale dhe perëndimore, të cilat kanë lënë shenjat e pashlyeshme përmes kulturës e traditave. Kisha ortodokse e katolike, xhamia, por dhe sinagoga, janë shumë pranë njëra tjetrës.
Një nga ndërtesat simbol, nga më të bukurat që nga periudha e perandorisë Austro-hungareze është edhe bashkia e qytetit. Ajo u hap zyrtarisht në 1896, ndërsa frymëzim në këtë projekt ishte një xhami në Kajro.
URA E MOSTARIT
Kryevepër arkitekturore dhe simbol paqeje
Mostari ndahej në qytetin e vjetër (Old Tawn) dhe atë të ri.
Rruga për të ura e famshme shoqërohet nga një pazar i stilit oriental dhe ky, me suvenire, abazhurë e sixhade e shalle shumëngjyrëshe. Ndërsa ura gati mezi dukej nga dyndja e turistëve. Një gjysmëhënë prej guri, që u bë simbol i qytetit duke i dhënë emrin atij “Most”, që do të thotë urë. Për kohën ajo konsiderohej një mrekulli inxhinierie.
Ajo është ndërtuar për nëntë vjet me radhë, prej vitit 1557 deri në vitin 1566, nën urdhrat e Sulltan Sulejmanit të Madh, nga mjeshtëri turk i ndërtimit Neimar Hajrudin.
Një urë harkore prej guri, gati 30 metra e gjatë, pa mbajtëse mesi, 20 metra mbi lumin e vrullshëm në ngjyrë blu dhe të gjelbër Neretva, një ndërmarrje e guximshme për atë kohë.
Përkundër disa luftërave dhe shumë tërmeteve ura qëndroi 427 vjet. Ajo kontribuoi për mirëqenien e qytetit Mostar nga njëra anë si rrugë lidhëse, e nga ana tjetër si tërheqje turistike. Ura ka përfaqësuar lidhjen midis botës myslimane dhe asaj perëndimore.
Me 9 nëntor të vitit 1993 ura e vjetër e Mostarit u rrëzua, pas disa ditë gjuajtjesh artilerie nga ushtria e kroatëve të Bosnjës. Në luftën mes kroatëve dhe boshnjakëve përreth Mostarit, ura e vjetër nuk kishte asnjë rëndësi strategjike. Bëhej fjalë thjeshtë për shkatërrimin e një simboli të kulturës osmane.
Aji u rindërtua për 7 vjet me një fond prej 15 milion dollarësh të dhuruara nga UNESCO, Banka Botërore dhe disa vende dhuruese. Sot ura e Mostarit qëndron përsëri më këmbë. Ajo është punuar me saktësi të madhe sipas së vjetrës. Secili gur është nxjerrë nga pjesët e urës së shkatërruar dhe është skalitur me dorë.
Për urën thuhet se të dashuruarit, (djali) duhej të hidhej nga ura për të vërtetuar dashurinë që kishte ndaj partneres. Edhe gjatë vizitës sonë një djalë boshnjak pas i mblodhi para turistëve u hodh nga ura në lum edhe pse ishte ditë me shi, duke dhuruar spektakël.
BLAGAJ
Një mrekulli e natyrës
Ndalesa jonë e fundit ishte Blagaj, një fshat në rajonin jugor të Bosnje-Hercegovinës, 7 km nga Mostari.
Pamja që shfaqej ishte madhështore. Një luginë e gjelbëruar dhe një shkëmb i madh rrëzë të cilit buronte lumi i dytë në Europë për nga sasia e ujit që nxirrte për sekondë, lumi Buna.
Shpella nga ku buronte lumi ishte një si galeri e nëndheshme, e thellë dhe gjatë me dhoma nëntokësore, e cila renditet në mesin e pesë shpellave më interesante në Evropë.
Në krah të shpellës ku buron lumi Buna ngrihej teqja historike “Tekija Blagaj”, e ndërtuar rreth vitit 1520, me elementë të arkitekturës osmane dhe stil mesdhetar. Ajo është shpallur monument kulture.
Tekija Blagaj është një monument i rëndësishëm i periudhës së hershme osmane në Bosnjë-Hercegovinë. Aty u vendosën dervishët osmanë për të përhapur islamin, kohë më parë se të zbarkonte ushtria e Perandorisë Osmane.
Përgjatë gjithë lumit ngriheshin restorante dhe çajhane prej druri, pa ia prishur bukurinë natyrës. Pjata e preferuar ishte peshku.
KTHIMI
Kthimi nga Mali i Zi u bë nga bregu, rruga ishte më e gjatë, e ngushtë por e mirë, me fusha me vreshta të mëdha dhe përreth me kodra të thata e të zhveshura. Edhe gjatë kthimit për në Shqipëri, vazhdoi debati mbi përdorimin dialekteve.
[1] Sipas të dhënave të Qendrës së Kërkimit dhe Dokumentimit (IDC),