Cilat ishin përpjekjet dhe zelli i Profetit (s.a.s.) dhe i myslimanëve të parë për shpëtimin e besimit të të tjerëve?

Kjo është një nga specifikat që duhet shpjeguar si një temë krejtësisht më vete, të cilën jam përpjekur edhe më parë ta paraqes në formë të pjesshme, veçanërisht duke u përqendruar në aspektin e sahabeve në lidhje me këtë temë. Në fakt, unë jam nga ata që e pranojnë se dhënia e nja dy shembujve prej sahabeve në çdo bisedë, fjalim dhe shkrim, është shpirti dhe jeta e temës përkatëse. Për mua, sahabet janë kriter dhe unë të gjitha konkluzionet i jap në raport me ngjasimin me ta. Gjatë gjithë jetës sime i pranova si nëpunës trafiku në rrugën e dritës. Dhe besova se në një rrugë ku ecet me simbolet dhe shenjat e tyre, arrihet në portën e njeriut më të madh si intelektual. Dhe, me sa pata mundësi, këtë mendim e bëra synim final të jetës sime. Po qe se duhet që edhe besimtarët t’i vlerësojmë sipas një klasifikimi të tillë, ua kam shprehur gjithmonë shokëve të afërt dhe miqve t’ia hyjnë një klasifikimi të tillë duke e pranuar si kriter afërsinë apo largësinë ndaj tyre. Kush e di se sa herë e kanë rrahur në shpirtrat e tyre lexuesit e këtyre rreshtave këtë temë të treguar e të stërtreguar, duke arritur t’i njohin ata në nivel shumë të përparuar. Krahas pranimit të kësaj, meqë u pyeta, po përpiqem të them ca gjëra me urimin që t’i vlejnë çështjes.

Së pari, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pastaj edhe sahabet, shokët e tij, qysh kur në shpirtra iu tharmua ideja e besimit dhe e fesë, e bënë qëllim dhe ideal të jetës t’u flasin të tjerëve për çështjet fetare, ta fusin fenë dhe besimin në jetë dhe, në këtë rrugë, t’i çojnë njerëzit në shpëtim. Fundja, po qe se nuk ka shërbim ndaj besimit dhe fesë, edhe jeta, edhe qenia në jetë nuk ka kuptim. Si përfaqësues dhe zëvendës të Allahut mbi tokë, ne jemi të detyruar të ndërhyjmë në të gjitha ndodhitë me ndjenjën dhe mendimin fetar. Nëse një ujë rrjedh nga lart poshtë dhe feja na urdhëron ta bëjmë të rrjedhë nga poshtë lart, ne jemi të ngarkuar me përgjegjësinë për t’u përpjekur gjersa të bëhet ashtu siç na urdhëron feja! Ja pra, nëse mundemi ta kuptojmë këtë përgjegjësinë tonë, do të thotë se ekzistenca jone e ka një urtësi dhe jeta jonë e ka një kuptim. Në të kundërt, jeta jonë është e kotë dhe ekzistenca jonë është e panevojshme.

Kjo vetëdije dhe ky mendim ndodheshin te Profeti në nivelin më të lartë. Në disa vende të tij, Kurani, edhe për t’ia tërhequr Profetit vëmendjen, edhe për të na bërë të shohim pozitën e tij të lartë, na parashtronte ajete që fillonin me fjalën pyetëse “feleal’leke, a mos” (Kehf, 6; Shuara, 3). “A mos do ta shkatërrosh veten? A mos do ta vdesësh veten?” Ngrihesh në mëngjes dhe sheh fytyra që s’besojnë, bie të flesh dhe përfytyrimet e tyre të dalin para syve dhe ti, i dëshpëruar nga mungesa e lidhjes dhe komunikimit me njerëzit, mblidhesh kruspull e përpëlitesh në ankth. Ndërkaq, e harron jetën tënde të lartë dhe pothuaj vjen në një gjendje vetëvrasjeje. Ngaqë njerëzit nuk marrin formë sipas këtyre fjalëve të larta e sipas përmbajtjes së tyre ndriçuese, rënkon pa pushim, dëshpërohesh dhe përpëlitesh aq sa duket se do të shkrihesh si qiri…” Këto fjalë përshkohen nga kuptimi dhe porosia dhe, njëkohësisht, nga një konsideratë serioze dhe e lartë: “Lërja punën kaderit dhe dorëzoju Allahut dhe mos e mundo aq shumë veten!” Këtu duket sikur kërkohet të thuhet kështu: “O Profet! Ti ke një shpirt të lartë. Në të ardhmen ky shpirt do të kthehet në një burim të tillë që çdo njeri do të vrapojë te ai për të pirë sa të ngopet e për ta mbushur enën e vet. Prandaj, duro në emër të asaj dite të madhe e mos e mundo shumë veten. Ti duhesh. Ti bëj detyrën tënde dhe mos u përzje në punën e Zotit…” Dhe kushedi sa kuptime të tjera shprehin këto ajete, mendime që ne nuk mundemi t’i rrokim, kurse ai mundte…

Edhe nga kjo konsideratë e lartë e Zotit për Profetin, kuptojmë se gjithë halli dhe vuajtja e Profetit ishte t’ua tregonte njerëzve të vërtetat e larta që kishte sjellë. Si një re e ngarkuar me shi, ai ndodhej vazhdimisht i mbushur me këtë hall. Megjithëse ishte si i dehur me shfaqjet e Zotit, unë nuk mund ta përdor këtë figurë për një profet, por po të ishte fjala për ndonjë tjetër, do të thosha: “i dehuri i kësaj dëshire”! Asnjë çështje tjetër nuk afrohej apo ftohej në horizontin e tij veç kësaj kauze të madhe. Prandaj ndodhte që të mos i ndjente aspak fyerjet apo mundimet fizike që i bëheshin. Shpeshherë i pyeste shokët besnikë që i kishte pranë, se ç’ndodhte, dhe përqendrohej në ngjarjen vetëm pse dëgjonte ngashërimet e shokëve dhe për t’i ngushëlluar.

I hidhnin sende të këqija në atë fytyrën që edhe engjëjt druheshin t’ia vështronin, i vinin sende të ndyra në atë kokën që ishte ngjitur në qiejt më të lartë, i vinin gjemba në rrugën nga kalonte për t’ia shpuar ato këmbë të bekuara ose e gjuanin me gurë… Të gjitha këto ndodhnin, kurse ai jetonte sikur të mos kishte dijeni aspak për to. E dëgjonte Hz. Omerin të ngashërehej dhe e pyeste: “Pse qan, o Omer?” E shihte Ebu Hurejren të qante i përthyer më dysh dhe i shoshte: “Ç’të bëri të qash, o Ebu Hurejre?” Ose, kur shihte vajzën e dashur, Fatime, pjesën e shpirtit të vet, t’i dilnin lotë nga sytë, e pyeste pse qante dhe, kur e merrte vesh shkakun, e qetësonte me këto fjalë: “Mos qaj, bija ime, Allahu do ta bëjë të çmuar këtë fe! Mos qaj, se Allahu nuk do ta humbë tët atë!”

Po, Allahu nuk e humbi atë. Ai jetoi gjer më sot në çdo zemër besimtare si një trëndafil xheneti dhe do të vazhdojë të jetojë edhe pas kësaj. Kështu silleshin edhe shokët e tij besnikë. E vetmja bashkësi që do të mund ta pranonte dhe bënte udhëzues për vete çdo njeri dhe çdo shtresë në botë, është bashkësia e sahabeve. Ne jemi roje besnike të portës së tyre. Edhe shpresa jonë është që Zoti të na bashkojë pas ringjalljes me këtë mendim.

Unë e pranoj veten si më mëkatarin e besimtarëve. Megjithëkëtë, po qe se ndonjëri prej tyre e merr mundimin të më shfaqet dhe unë e shoh në ëndërr, të nesërmen nuk më nxë vendi dhe më duket sikur do të fluturoj nga gëzimi.

Meqë e pranoj këtë si një favor të madh, ngrij nga frika dhe s’dua t’ia tregoj askujt. Por ndonjëherë ndodh që, duke e kapërcyer frikën, por prapë, pa e pasur në dorë, ia tregoj ndonjërit prej shokëve të mi të afërt. Dhe i them: “Sot përsëri njëri prej atyre yjeve u shfaq në horizontin e një të pamerituari…” Ja, të tillë janë ata për ne!

Sahabet, shokët e Profetit, e reflektuan dritën profetike me anë të pasqyrave të zemrave. Ata u bënë pasqyrë e vërtetë e dritës profetike duke e përfaqësuar atë në plot kuptimin e fjalës. Duke u lidhur pa asnjë lëshim pas Kryeimamit, e morën atë pishtar të vërtetë që digjej në zemrën e imamit të tyre, e bënë që të digjej edhe në zemrat e veta dhe, pastaj, me ndihmën e Zotit, e mbytën njerëzimin në dritë!

Misioni profetik i profetit Muhamed i mbështetur nga afër dhe me një përkushtim të plotë nga sahabet, shokët e tij, ishte, në atë kohë, një lëvizje kushtuar shpëtimit të njerëzimit, që u përfaqësua me cilësinë e saj më të lartë. Gjërat që kemi parë te ata na krijojnë opinionin se kjo lëvizje mund të realizohet edhe sot. Sepse e dimë se historia është përsëritje e po atyre bëmave. Dhe nuk ka asnjë shkak që ajo periudhë të mos përsëritet. Dhe, në dashtë Zoti, do të përsëritet. Opinioni im është se ne po shkojmë hap pas hapi drejt asaj pike!

Është fakt se para fare pak kohe sa mund të themi “dje”, ishim të detyruar që të gjithë shembujt t’i jepnim nga sahabet. Kurse sot kemi mundësi të japim shembuj edhe nga periudha jonë, edhe nga e përditshmja. Fundja, të vetëdijshëm apo jo, të gjithë ne i kemi pritur këto ditë. Tanimë na është realizuar dëshira që, duke dhënë shembullin e parë nga shekulli i lumtur dhe të dytin, nga dita jonë, t’i bashkojmë këto dy hallka.

Le ta konkretizoj çështjen me një shembull: një grup shokësh që shumica do t’i kishte zili për anën ekonomike dhe pozitën, ndërsa nuk e kishin shijuar ende jetën dhe të gjitha të mirat e kësaj bote i kishin ndër këmbë, kishin bërë një listë dhe ma kishin sjellë mua. Ishte një listë emrash me një shënim në fund: “Për dashurinë e Allahut, lutuni për ne që të biem dëshmorë për fenë!”

Ja, kjo do të thotë riekzistencë e sahabeve. U luta për një kohë të gjatë për ta. U luta që ta shpenzonin jetën për fenë dhe që frymën e fundit ta jepnin me Fjalën e Dëshmisë, që është mënyra më me fitim e vdekjes. Pastaj, pa e parë nëse e meritoja, e shkrova emrin tim në fund të tyre. Dhe, duke i bërë ata ndërmjetës për faljen time, iu luta favorit të gjerë të Zotit që të më bënte pjesëtar të arritjes së tyre. Gjendja e atyre të rinjve dhe e mijëra të tjerëve si ta, na bën ziliqarë, na e çon zemrën peshë dhe na premton shumë gjëra!

Kur i shohim ata, na ngjallet shpresa dhe themi se kjo punë do të zërë. Sepse tashmë ka të rinj që mund ta përfaqësojnë atë kuptim të lartë në thellësitë e shpirtrave dhe sipas pozitës dhe vlerës së tij, gjë që është mirësi e pafund e Zotit tonë për ne. Tashmë janë shtuar ata që u rrahin tëmthat kur bien për të fjetur. Sot ka mijëra të rinj që e ndjejnë në shpirt ankthin e mosbesimit dhe të mosbesimtarëve. Kështu, përballë sahabeve të shkëlqyer që përbëjnë polin e parë, është një brez i ri që ka vendosur ta marrë përsipër kauzën e madhe, të bëjë punë të mëdha siç kanë bërë ata dhe, të frymëzuar nga fryma e Hz. Muhamedit (s.a.s.), që përpiqen ta zënë vendin e tyre në shërbim. Zoti mos na i vëntë re të metat e mos na çoftë në zhgënjim!

Duke e përmbledhur çështjen, themi se ata u lartësuan dhe u ngjitën qiejve me anë të cilësive të larta si vetëmohimi dhe braktisja e të gjitha dëshirave materialo-shpirtërore për hir të shërbimit. Po qe se sytë na kërkojnë në horizont të njëjtat gjëra, do të na duhet të ndajmë me ta të njëjtin mendim dhe të njëjtën gjendje shpirtërore!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: