Kur mund t’i fal namazet e mbetura kaza?

Pyetje:
– Si mund ti fal namazet e mbetura kaza?

– P.sh, sot pasi kam përfunduar me namazet ditore, pas jatcisë a mund të fal namaz kaza, apo duhet falur pas çdo vakti?

– Si duhet të bëj nijet për namazet kaza; a duhet të thërras ezanin dhe ikametin për këto namaze?

 

Përgjigje;

Të nderuar vëllezër!

Falja e namazit në kohën e tij quhet (eda) kryerje, kurse pasi kalon koha e tij quhet (kaza) i prapambetur, një namaz i prishur për njdonjë arsye të caktuar, kryerja e tij quhet përsëritje e namazit (iade). Një namaz ngelet kaza ose me vetëdije ose prej një shkaku të caktuar. Braktisja e namazit dhe falja e tij kaza me vetëdije është një gjynah i madh. Por edhe nëse një namaz nuk falet në kohën e tij, duhet të kryhet më pas, pasi mosfalja e tij e ngarkon njeriun me gjynahe, dhe nëse vdes pa e kryer falur atëherë ai do të merret në llogari për atë namaz të pafalur.

Një namaz edhe pse është falur kaza, përsëri nuk e zë vendin e namazit që falet në kohën e tij, prandaj besimtari duhet të pendohet dhe të kërkojë falje prej Allahut. Namazet të cilët janë lënë pa falur prej një justifikimi legjitim si; harresa, gjumi etj duhet të falen menjëherë sapo ky justifikim të kalojë pa kaluar shumë kohë.

Ka disa justifikime të cilat e ndalojnë personin të falë namaz gjatë kësaj periudhe. Si periodat e femrave dhe lehonia e tyre. Mosfalja e ndonjërit nga pesë vaktet në kohën e tyre, atëherë falja e tyre kaza bëhet obligim (farz), kazaja e vitrit është detyrim (vaxhip), kazaja e suneteve është sunet. Suneti i vetëm i cili mund të falet kaza është suneti i sabahut. Nëse sabahu nuk është falur në kohën e tij, atëherë mund të falet bashkë me sunetin e tij 45 minuta pasi ka lindur dielli deri 45 minuta para namazit të drekës, por pasi futet koha e drekës atëherë suneti i sabahut nuk mund të falet, vetëm farzi mund të falet.

Namazet e lëna kaza falen në të njëjtën formë siç falen në kohën e tyre përkatëse. Nuk është përcaktuar një kohë e caktuar për faljen e një namazi, p.sh, namazi i Ikindisë duhet të falet kaza vetëm në Ikindi, por mund të falet në çdo kohë.  Por për faljen e namazeve kaza duhen patur kujdes kohët e papëlqyera (mekruh) për faljen e namazit. Këto janë 45 minuta pasi ka lindur dielli, 45 minuta para se të perëndojë dhe afërsisht 30 minuta para se të futet koha e namazit të drekës. Në kohët e tjera mund të falet namazi kaza.

– Si falen namazet kaza? 

Një person i cili ka më shumë se gjashtë ose më shumë namaze të pafalur në kohen e tyre, atëherë nuk është i detyruar t’i falë sipas rradhës. P.sh, Nëqoftëse është futur koha e namazit të drekës dhe ai person nuk ka falur akoma namazin e sabahut, ai nuk duhet të falë sabahun  e pastaj të falë drekën, por fillimisht fal drekën pastaj bën kaza namazin e sabahut. Por nëse një person ka më pak se gjashtë namaze të lëna kaza, atëherë ai është i detyruar t’i falë ato sipas rradhës. P.sh, nuk mund të falë drekën Nëqoftëse nuk ka falur akoma namazin e sabahut, fillimisht fal namazin e lënë kaza (sabahun), pastaj fal namazin e drekës. Namazet e lëna kaza nuk kanë një kohë të përcaktuar, mund të falen në çdo kohë, përveç tri kohëve të papëlqyera (mekruh).

– Si duhet të bëj nijet për namazet kaza?

Përshembull; “Bëra nijet (qëllim) për hir të Allahut të fal namazin e pafalur (drekës) të cilin nuk munda ta fal.” Ose duke bërë qëllim: “Bëj nijet të fal namazin e fundit të pafalur të drekës, ose namazin e parë të drekës së pafalur.” Duke i paksuar kështu kohët e pafalura të namazeve.

Ose më thjeshtë; “Po fal namazin e pafalur të drekës ose një namazi tjetër.”

 – A thirret ezani apo ikameti para një namazi kaza?

Para faljes së një namazi kaza fillimisht thirret ezani (edhe me zë të ulët), pastaj thirret ikameti. Nëqoftëse do të falen disa namaze të lëna kaza, atëherë mjafton një ezan, por thirrja e ikametit para çdo namazi të lënë kaza është sunet.

Një person i cili nuk i di sa namaze ka pa falur, atëherë bën një llogari sesa namaze i janë mbetur dhe duke caktuar një numër (më shumë) dhe pastaj fillon t’i falë kaza.

Personat të cilët kanë lënë pa falur të njëjtin namaz, mund ta falin namazin kaza sëbashku. Por nëse kanë lënë vakte të ndryshme pa falur, atëherë i falin veç e veç.

Parapëlqehet që namazet kaza të falen në shtëpi dhe jo në xhami, sepse lënia e namazit në kohën e tij është gjynah, prandaj përhapja e gjynahit me të tjerët është diçka jo e pëlqyeshme…

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: