Komunikimi në Islam

(Rëndësia që i jep islami të komunikuarit. Vetë islami është një komunikim, mënyra se si profeti i zgjidhte fjalët kur u drejtohej shokëve, idhujtarëve, familjarëve.)

Objektet e kultit islam kanë një rëndësi të madhe në jetën e një individi apo shoqërie, pasi religjioni/feja shihet si i lidhur mjaft ngushtë me njeriun, me botën e tij  të brendshme/shpirtërore. Njeriu besimtar, në sjellje, në marrëdhëniet e tij në shoqëri, në jetën e përditshme, reflekton rregullat dhe përcaktimet kanonike të fesë përkatëse.

Rëndësia e objekteve të kultit islam shtohet edhe për faktin se ata ndihmojnë në forcimin e besimit fetar te njerëzit; konsolidimin e lidhjes së besimtarëve me objektin dhe Krijuesin. Kulti fetar bashkëpunon ngushtë me elementet e tjera të fesë dhe ndihmon në forcimin e besimit fetar te njerëzit, në konsolidimin e lidhjes së besimtarëve me objektin.

Objektet e kultit komunikojnë përmes ritualeve, veprimet e të cilave mund të përfshijnë të folurit, të kënduarit, përmbajtja nga mosveprime të ndryshme, etj.

Komunikimi përmes objekteve të kultit ka lindur që me ndërtimin e Qabesë në Mekë. Ajo është shtëpia e parë që u komunikoi dhe i komunikon miliona e miliardave njerëzve në të gjithë botën, mesazhin e Islamit në të gjitha kohërat.

Arkitektura islame, kryesisht xhamitë, me format dhe zbukurimet e shumëllojshme dhe arti islam në tërësi, paraqet në mënyrë unikale kuptimin dhe domethënien shpirtërore të këtij objekti religjioz.

Xhamia është një hapësirë ​​e shenjtë, është një pasqyrim i besimit të thellë në fjalën hyjnore; simbol i besimit të gjallë Islam, besimi në Zotin dhe besimi në Gjithëpushtetshmërinë e Tij. Ajo është gjithashtu vendi i realizimit të lutjes dhe të të gjitha riteve të Islamit. Këtyre elementeve simbolike i shtohen komponentët e hapësirës së shenjtë të xhamisë: minaret, salla e lutjes me mihrabin e saj dhe minberi. Këto objekte, pjesë të xhamisë mbështesin shenjtërinë e xhamisë. Secili prej këtyre elementeve ka funksionin e vet të “shenjtë”. Salla e lutjeve është vendi i devotshmërisë dhe të përkushtimit. Minarja dhe minberi përfaqësojnë lartësi drejt qiellit për thirrjen për lutje ose për lutjen rituale dhe / ose për “predikim” ritual apo hytbe (khutba). Minberi, podiumi i parë i thirrjes për të udhëzuar gjithë njerëzimin në rrugën e së vërtetës, për t’i komunikuar njerëzimit të Vërtetën Absolute. Aty mblidhen njerëzit dhe komunikojnë me njëri-tjetrin, aty ata dëgjojnë se si duhet ta ndërtojnë jetën e tyre, se si duhet të shërbejnë në të mirë të shoqërisë, vetes dhe vendit në të cilin jetojnë.

Në qytetet myslimane njerëzit shpesh mblidheshin rreth xhamive për të diskutuar çështje që i shqetësonin apo për të ndarë gëzimet mes tyre.

Minarja lartohet ashtu e hollë e gjatë për të treguar madhështinë apo ngjitjen drejt qiellit, drejt mëshirës së Zotit. Minaret janë përshkruar si “porta mes qiellit dhe tokës”, dhe si përngjasim i shkronjës arabe Elif ( ا ), e cila është një vijë e drejtë vertikale. Minarja është një pjesë e arkitekturës së xhamive, aty komunikohet me besimtarët dhe u kujtohet se ka ardhur koha e lutjes. Aty komunikohet se njeriu, pavarësisht të gjithave ka nevojë për t’iu lutur Krijuesit të tij. Gjithashtu gjuha me të cilën këndohet, tërheq vëmendjen dhe bëhet e pëlqyeshme pasi ritmi dhe melodia e arabishtes është impresionuese.

Komunikimi përmes kaligrafisë është gati hipnotizues për njeriun, pasi Kur’ani për besimtarin është qetësues; një rrezatim i Diellit Hyjnor mbi shkretëtirën njerëzore.

Arti islam i tregon botës ndjesore të njeriut synimin më të lartë të shpirtit dhe depërton në bukuritë e brendshme. Pra, arti është një tablo që i përshkruan njeriut thellësinë e botës së brendshme. Kjo botë madhështore, me faltoret e saj të ngritura, me minaret si gishta dëshmie që tregojnë botën e përtejme dhe me motivet e dizajnet e bekuara në ballë të mermerëve, me artin e shumëllojshëm të shkrimit është shndërruar në një galeri bukurish që nuk ngopesh së pari, rrjedhojë kjo e shoqërimit të besimit nga arti.

Në artin dhe arkitekturën islame, artisti mysliman për të shprehur “unitetin e ekzistencës” apo “unitetin e të vërtetës”, ka në dispozicion tre mjete: gjeometrinë, e cila e përkthen unitetin në rendin hapësinor; ritmin, i cili e zbulon atë në rendin kohor dhe në hapësirë; dritën, e cila është për formimet e dukshme çfarë Qenia është. “Zoti është drita e qiejve dhe e tokës”,

Në këndvështrimin sociologjik, feja përfaqëson një lidhje të fortë mes individit dhe grupit më të gjerë shoqëror. Këta faktorë përbëjnë bazën e bashkimit dhe janë shprehje e kuptimeve kolektive. E premtja për myslimanët, e njohur ndryshe xhuma (nga arabishtja, që do të thotë dita e tubimit) është një ditë lutje të përbashkëta.

Në momentin kur këndohet Ezani përmes së cilit tregohet ekzistenca e një Zoti të vetëm, Muhamedit si i dërguari i Tij dhe thirrja për namaz, besimtari këndon (në heshtje) një lutje, ku madhëron Zotin dhe i dërgon salavate Profetit. Në thelb ky është një lloj komunikimi që realizohet mes myezinit dhe besimtarit dhe besimtarit me Krijuesin. Myezini thërret, besimtari përgjigjet, fjalët e myezinit bëjnë që besimtari të vendosë lidhjen e tij me Krijuesin.

Komunikimi verbal ka qenë dhe është mjaft i përshtatshëm për diskutimin e çështjeve publike, në mikromjedise dhe makromjedise shoqërore. Një komunikim i tillë realizohet më së miri nëpër objektet e kultit, veçanërisht atij islam. Pothuajse çdo ditë nëpër xhami në orare të caktuara zhvillohen biseda, diskutime, orë mësimi mbi çështjet e fesë dhe ato sociale e shoqërore të para në prizmin fetar e jo vetëm. Ndërsa një shembull i suksesshëm i komunikimit verbal është edhe dita e premte (xhuma), shumica e mesazheve që përcillen në këtë ditë verbalisht nëpërmjet fjalëve me fillim dhe mbarim të përcaktuar qartë.

Hytbeja. Përmes saj, një ditë në javë, besimtarët e mbledhur në një mjedis, sqarohen kryesisht për çështjet fetare, por edhe për çështje të tjera që do t’ua lehtësonin jetën dhe do t’ua përmirësonin marrëdhëniet. Në parim hytbeja është menduar për realizimin e këtij qëllimi, (nga shkollat juridike islame – Hanefi, Shafi, Maliki, Hambeli), prandaj mbahet në një gjuhë të kuptueshme për xhematin.

Rruga për të komunikuar me Zotin transcendent është lutja. Njeriu kërkon qetësinë shpirtërore përmes lutjes dhe pendimit. Lutja manifestohet në dy forma: njëra është përmes lutjes individuale me vullnet të lirë në çdo kohë dhe në çdo moment; tjetra është lutja e urdhëruar e cila realizohet përmes ritualit të faljes.

Namazi është lidhja e njeriut me Zotin e tij, me të zemra merr fuqi ndërsa shpirti ndien qetësi dhe vendosmëri. Ai është ngritje shpirtërore, pasi me të ngrihet shpirti i besimtarit. “Besimtari kur është në namaz komunikon me Zotin e tij.”(Hadith)

Namazi i falur pesë herë në ditë luan rol të madh në disiplinimin e jetës së besimtarit. Kryerja e vazhdueshme e namazit në kohë të caktuara e mëson besimtarin me disiplinë shpirtërisht dhe trupërisht, materialisht dhe kuptimisht. Veçanërisht lidhja pas imamit në namazet me xhemat u mëson besimtarëve një disiplinë ushtarake. Kur imami thotë “Allahu Ekber”, atëherë është ai që flet dhe që i lutet Zotit me zë të lartë. Në të njëjtën kohë ai kryen detyrën e dorëzanisë për besimtarët. Tekbiret e imamit, si direktiva, e bëjnë tërë xhematin të ulet e të ngrihet. Nga ky këndvështrim, në xhemat ka një disiplinë morale e shpirtërore të lartë e sublime.

Feja Islame i ka dhënë rëndësi të madhe bashkimit dhe unitetit. Nxitja e faljes së namazit në mënyrë të përbashkët, pesë herë në ditë, konsiderimi i domosdoshmi faljes kolektivisht të namazit të xhumasë një herë në javë dhe të namazeve të bajrameve dy herë në vit, kanë kuptimin edhe të një preteksti që myslimanët të takohen dhe të bisedojnë hallet si dhe të ndihmojnë njëri tjetrin.

Arkitektura islame në Shqipëri është e shquar për domethënien e saj të hapësirës dhe të pastërtisë, ku përveç imagjinatës, motiveve dhe formave arabe, perse e turke, paraqet më së shumti edhe elementin autokton, duke u komunikuar njerëzve mesazhin universal. Ato u ndërtuan në zemrat e lagjeve të qytetarëve dhe shpesh ato shërbyen për të formuar qendrat apo bërthamat urbane të qyteteve. Xhamitë i shërbejnë masës së gjerë të qytetarëve ndaj edhe marrin zhvillim të madh arkitektonik.

Pa dyshim, arkitektura është identiteti solemn i popujve dhe qytetërimeve. Arkitektura është një strukturë unike apo dalluese që bëhet pikë referimi për një mjedis, monument që simbolizon identitetin, formën dhe tingullin e një shoqërie të caktuar, monument që në mënyrë kolektive përfaqëson imazhin që një shoqëri mbart.

Ato lehtësojnë, nxisin dhe stimulojnë adhurimin apo dhe aktivitetet e myslimanëve në çdo moment të jetës së tyre tokësore. Arkitektura Islame vjen në ekzistencë nën patronazhin e perceptimeve islame; të Zotit, njeriut, natyrës, jetës, vdekjes dhe Ahiretit. Në këtë mënyrë, kjo arkitekturë është një materializim fizik i mesazhit Islam. Ajo gjithashtu përfaqëson identitetin e kulturës dhe civilizimit islam.

Në kushtet e mungesës së shtetit shqiptar (1912-1939), apo të ekzistencës së tij të dobët, institucionet fetare (ndër to edhe xhamitë), kryenin funksionet e administrimit të jetës shoqërore të besimtarëve.

Feja Islame bashkonte në vetvete parimet shpirtërore dhe shekullore, synonte të depërtonte në të gjithë sferat e jetës e të veprimtarisë së besimtarit. Dispozitat e saj përfshinin veprimtarinë ideologjike, shtetërore, politike, administrative, fiskale, ushtarake, juridike e familjare.

Në objektet e kultit islam, përkatësisht xhamitë por jo vetëm, komunikohej ajo se si një person besimtar duhet të ishte i dobishëm për veten, shoqërinë, vendin dhe kombin.

Në periudhën mes viteve (1912-1944) ajo çka komunikohej në objektet e kultit islam përveç fesë ishte edhe ndjenja e atdhetarizmit, ku kërkohej mbrojtja e atdheut nga pushtuesit. Në këtë periudhë nëpër xhami komunikohej rreziku i ateizmit të imponuar që do të sillte më vonë komunizmi, komunikohej dhe nxiteshin njerëzit të arsimoheshin dhe të përgatiteshin për vete, fenë dhe kombin e tyre, etj.

Në ditët e sotme në objektet e kultit islam, predikohet më së shumti rreziku i prekjes së shoqërisë, sidomos të rinjve, nga problemet dhe plagët e kohës.

Predikimi dhe këshilla duhet të jenë të tilla që ta zbusin zemrën e të zënë vend në ndjesi. Ligjëruesi duhet të jetë njeri edhe i mendjes edhe i zemrës. Ai që nuk mund të mendojë me mendjen e vet e të ndiejë me zemrën e vet, nuk mund të tregojë.

Në podiumin e caktuar posaçërisht, për të biseduar me xhematin (myslimanët) në xhami, ditën të Premte, imami u drejtohet të pranishmëve për problemet kryesore që ai ka menduar të bashkëbisedojë si mësime, këshilla, thirrje etj.

Në përfundim do donim të theksonim se religjioni/feja si formë e vetëdijes shoqërore, me forcimin e vetëdijes së solidaritetit, me kontrollin e shoqërisë, afrimin e përgjigjeve për shumë pyetje dhe mistere, dhe me ndihmën psikologjike që u jep njerëzve ka arritur të mbijetojë dhe të jetë një nga vlerat kryesore të njerëzimit; ka arritur të bëhet pjesë e kulturës së shumë popujve dhe të ketë ndikim në moralin, mënyrat e sjelljes dhe vetëdijen e popujve. Feja, në kuptimin e ngushtë sjell paqe, jep shpresë, iu jep njerëzve identitet dhe qëllim jetësor.

Ferit Lika

Postime të ngashme

%d bloggers like this: