Përjetësia, çfarë ndodh më pas?

Pavarësisht nëse besojnë apo jo, të gjithë njerëzit do të ringjallen pas vdekjes, për të jetuar përjetësisht, dhe kjo si pasqyrim i mëshirës së pafundme të Krijuesit.

Në Kur’an, Zoti premton dhe njofton për organizimin e quajtur “Mahsher”, grumbullimi i njerëzve të ringjallur pas vdekjes për të dhënë llogari dhe fillimin e jetës tjetër. Ky premtim është garancia më e madhe se do të ketë një botë tjetër.

“Atë ditë i fryhet bririt dhe ju vini grumbuj-grumbuj. Dyert e qiellit do të hapen” (Kur’an, Nebe, 78/18, 19)

Besimtarët besojnë që ka një jetë tjetër, sikurse kjo jetë e madje më e kompletuar, ndërkohë që ateistët pretendojnë që me vdekjen mbaron gjithçka për njeriun.

Vendgrumbullimi i llogaridhënies është vendi ku njerëzit do të ringjallen shpirtërisht dhe trupërisht.

Rezultati më i rëndësishëm i krijimit të universit është jeta. E vetë jeta nuk mund të përkufizohet vetëm tek kjo jetë kalimtare, e shkurtër, dhe e mundimshme e kësaj bote. Ai që beson se Zoti është i Drejtë, është i Mëshirshëm, është i Gjithëpushtetshëm, dhe i Gjithëditur nuk mund ta pranojë se vdekja është asgjësim total për njeriun. Kjo është kundër drejtësisë, urtësisë e mëshirës hyjnore.

Në terminologjinë Islame Ahireti është jeta e dytë që do të fillojë pas shpërthimit të kiametit dhe do të vazhdojë pafundësisht, ku përfshihen të gjitha ngjarjet dhe etapat e quajtura ringjallja, grumbullimi, llogaridhënia, peshorja, ura, parajsa (xheneti) ose ferri (xhehenemi).

Në fakt, vdekja nuk është fundi, por fillimi i një përjetësie.

Vendbanimi i shpirtit pas ndarjes prej trupit dhe prej botës tokësore quhet berzah, që do të thotë ndërmjetësi, vend ndërmjet botëve. Në jetën e berzahut (varrit), shpirtrat trajtohen sipas punëve që kanë bërë në këtë botë, nga ku kuptojnë se ku do të shkojnë pas ringjalljes.

Jeta e berzahut vazhdon deri në ardhjen e Ditës së Gjykimit, kur engjëlli Israfil i bie Bririt dhe njerëzit që të gjithë do të ringjallen dhe do të dalin nga varret. Shpirtrat do të bashkohen me trupat, dhe njerëzit do të mblidhen në pritje të Gjyqit Suprem.

“Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshore të drejta, e askujt nuk i bëhet asnjë padrejtësi” (Kur’an, El Enbija, 21: 47).

Mëkatarët që nuk e besuan Allahun dhe i bënë shok Atij, pas Gjyqit do të çohen në Xhehenem, ku do të zënë shkallë të ndryshme në varësi të peshës së mëkateve. Besimtarët do të shpihen në Xhenet, por që të mbërrijnë deri aty, do t’u duhet të kalojnë nëpër Urën (Sirat), që varet mbi greminën, poshtë së cilës ndodhet Xhehenemi e matanë së cilës ndodhet Xheneti.
Besimtarët që nuk i kanë bërë shok Allahut, por që kanë kryer mëkate, nuk mund të kalojnë dot nëpër këtë Urë, ata do të bien në Xhehenem, por nuk do të qëndrojnë aty përgjithmonë. Falë Mëshirës së Allahut, pas vuajtjes së dënimit ata do të hyjnë në Xhenet.

Koha se kur do të bëhet Gjykimi nuk dihet, atë e di vetëm Allahu.

“Ty të pyesin për kiametin: “Kur do të ndodhë ai?” Po në çfarë gjendje je ti që t’ua përkujtosh atë? Vetëm te Zoti yt është dijenia për të” ( Kur’an, En Naziatë , 42-44).

Ashtu siç është xheneti bëhet faktor për t’i shtyrë njerëzit drejt majave të larta, edhe xhehenemi është shkak që njerëzit ende të paformuar ta kontrollojnë jetën e tyre nga frika e tij.
Po, xhehenemi është si një zjarr i ndezur në një rrugë të rrezikshme. Ai e ruan njeriun për të mos hyrë në atë rrugë. Kurse xheneti është një sofër e shtruar në rrugën e drejtë e të orientuar dhe e fton njeriun në atë rrugë.

Pas besimit në një Zot të vetëm, ajo çka e rregullon jetën dhe e vendos atë në një regjim të caktuar për të siguruar qetësinë e përgjithshme të njerëzimit është besimi në ringjallje dhe llogaridhënie, në jetën pas vdekjes.

Besimi se do të shpërblehet një ditë e motivon njeriun e mirë për punë; ideja e ndëshkimit për mëkatet e frenon të riun të jetë dhunues e i shkujdesur; frika e llogaridhënies e frenon njeriun të bëjë keq edhe atje ku askush nuk mund ta shikojë; besimi se do të takohet përsëri në botën tjetër e ngushëllon një fëmijë që ka humbur një të afërm apo një të moshuar që pret të emigrojë nga kjo jetë.
Kjo botë është e përkohshme, atje është përjetësia. Ai që mohoi, do të vuajë në përjetësi, ndërsa ai që besoi do të jetojë i lumtur në pafundësi.

©URTËSI.AL

Postime të ngashme

%d bloggers like this: