Ramazani te shqiptarët
Për afro çerek shekulli regjimi monist privoi shqiptarët nga e drejta dhe liria e besimit. Pavarësisht insistimit dhe represionit të vazhdueshëm mbi fenë dhe institucionet fetare, ai sistem nuk e pati forcën e pretenduar, për të shuar dritën e besimit në zemrat e shqiptarëve, nuk pati forcën të ndalonte as ritet, të cilat praktikoheshin fshehurazi.
Rënia e këtij regjimi dhe fillimi i demokracisë, solli ripërtëritjen e besimit dhe riorganizimin e institucioneve fetare. E tashmë, që prej dy dekadash, shqiptarët praktikojnë besimin e tyre si qytetarë të lirë, të një vendi demokratik.
Që në vitin e parë të lejimit të fesë, në Ramazanin e vitit 1990, u ringjall praktika e agjërimit. Tashmë myslimanët kishin mundësi të dilnin hapur e të praktikonin fenë e tyre. Askush nuk mund t’i ndalonte, ndëshkonte apo t’i gjykonte.
Të moshuarit tregojnë se më parë përgatitja e shtëpisë fillonte qysh herët. Shtëpia pastrohej në çdo cep të saj, pazari bëhej ditë më parë, caktoheshin ditët se kur dhe kush do të ftohej e se ku do të shkohej gjatë këtij muaji të rëndësishëm.
Në vazhdim të traditës, që në ditët e para të këtij muaji, myslimanët shkojnë për vizitë te njëri-tjetri. Ata bashkohen në grupe për të kaluar një pjesë të kohës, duke biseduar çështje feje e morali, apo duke kënduar Kuran e përmendur Krijuesin.
Gjatë këtyre viteve, në qytete e fshatra, Komuniteti Mysliman, individë e shoqata, shtrojnë iftare masive ose përgatisin pako me ushqime, me qëllim që të gjithë ta gëzojnë këtë muaj.
Gjatë këtij muaji, ndjenja e dashurisë, harmonisë, ndihmës dhe solidaritetit për njëri tjetrin apo për njerëzit në nevojë shtohet më shumë se kurrë.
Në muajin Ramazan fytyrat e njerëzve shndërrohen në fytyra engjëllore, ndërsa zemrat drejtohen me përmallim te Zoti, duke larguar edhe grimcën më të vogël të urrejtjes e shpërfilljes.
E dhe sot e kësaj dite, tradita e pritjes së Ramazanit ruhet me fanatizëm si në qytete ashtu edhe në fshatra dhe çdo ditë e më shumë shtohen të rinjtë të cilët praktikojnë ritet e fesë islame, mes të cilave edhe agjërimin.
Lexim Kurani, namazi i Teravive, kuzhina e veçantë e këtij muaji, sofrat e stolisura në iftare e syfyre, sjellin një rigjallërim të jetës dhe një atmosferë sa shpirtërore aq edhe festive.
©URTESI.AL