Adhurimi më i rëndësishëm!

Namazi është kushti i dytë dhe më i rëndësishmi i fesë islame pas shqiptimit të Fjalës së Dëshmisë (Shehadetit). Falja e tij në pesë kohë të caktuara të ditës është farz për çdo mysliman, që mendërisht është i shëndoshë dhe ka arritur në moshën e pjekurisë gjinore, qoftë mashkull, qoftë femër.

“Namazi është falja e rregullt e myslimanit, që fillon me tekbirin fillestar dhe përfundon me dhënien selam.” Përpara se të fillohet namazi duhet të jemi të bindur se ai është adhurim (ibadet) dhe se nuk është thjesht formalitet. Duhet ditur se namazi është forma më e lartë e komunikimit në vijueshmëri të njeriut me Krijuesin e tij.

Namazi i falur pesë kohë në ditë luan një rol të rëndësishëm në sistemimin e jetës së besimtarit. Falja e vazhdueshme në kohë të caktuara, përveç të tjerash, e disiplinon atë nga ana shpirtërore dhe fizike.

Namazi është i vetmi detyrim që është bërë farz në qiell, kur Pejgamberi a.s. ishte në Miraxh, andaj namazi është miraxhi i besimtarit, ymetit të Muhamed Mustafasë a.s.

Kuptimi i namazit është t’i bësh lavdërime, madhërime dhe falënderime Allahut të Gjithëfuqishëm. Domethënë të shprehësh shenjtërinë e Krijuesit Madhështor me fjalë e me vepra, duke thënë “SubhanAllah” (Lavdia i takon Allahut), të shprehësh madhërimin e Tij përpara përsosmërisë së Tij me fjalë e veprim, duke thënë “Allahu Ekber” (Allahu është i Madh) si dhe të përmendësh falënderimin përpara bukurisë së Tij me zemër, me gjuhë e me trup, duke thënë “El-hamdu lil’lah” (Falënderimi i takon Allahut).

Gjithashtu, rruga për në Ditën e Kiametit, – me ballin lart para Allahut xh.sh., me vështrim të ndriçuar, me shenjat e abdesit dhe sexhdes nëpër gjymtyrë, me duart dhe fytyrën krejt të pastër, me ndërgjegje të kulluar po aq sa të botëve të brendshme të banorëve të qiellit, – kalon nëpër namaz dhe nëpër veprimet para kryerjes së faljes.

Zoti urdhëron kështu në Kur’an:

فَاعْبُدْنِي وَ أَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي

Më adhuro Mua dhe fale namazin për të më përmendur Mua.” (Taha :14)

قَدْ أَفْلَحَ الْمُؤْمِنُونَ، الَّذِينَ هُمْ فِي صَلَاتِهِمْ خَاشِعُونَ

Me të vërtetë besimtarët janë të shpëtuar, ata të cilët janë të përulur në namazin e tyre.” (Mu’minun :1-2)

Namazi e largon njeriun nga ligësitë dhe e çon në shpëtim.

إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاءِ وَ الْمُنْكَرِ وَ لَذِكْرُ اللَّهِ أَكْبَرُ وَ اللَّهُ يَعْلَمُ مَا تَصْنَعُونَ

Padyshim, namazi të largon nga paturpësia e ligësia. Sigurisht, të përkujtosh Allahun është më i madhi adhurim! Allahu e di se ç’bëni.” (Ankebut :45)

Ndikimi i namazit në jetën tonë të përditshme

Zbatimi i urdhrave të Allahut njeriut i jep prehje e qetësi. Namazi është urdhër i Allahut, prandaj, para së gjithash dhe mbi gjithçka, namazi duhet falur për të arritur kënaqësinë e Tij dhe me zbatimin e këtij urdhri ndihemi të qetë.

Falja e namazit, që i plotëson kriteret shpirtërore dhe materiale,  ndikon padyshim në largimin e njeriut prej ligësive. Kështu, Zoti ynë i Lartmadhëruar, në Kur’an, urdhëron: “Pa dyshim, namazi të largon nga e keqja”. (Ankebut :45). Ky ajet sqaron, gjithashtu, se njeriu që fal namaz duhet të qëndrojë larg sjelljeve të këqija.

Në Kur’an, gjithashtu, thuhet: “Fal namaz për të më kujtuar Mua!” (Taha:14) Faktin që urdhrin për namaz Allahu nuk e dërgoi mbi tokë me anë të një meleku, por ia njoftoi Pejgamberit a.s. Vetë natën e Miraxhit, kur ai doli përpara Tij, tregon rëndësinë dhe kuptimin e këtij adhurimi për jetën fetare dhe shpirtërore të myslimanit.

Mosfalja e namazit

Besimtari islam, i cili i plotëson kushtet për faljen e namazit, asnjëherë nuk ka arsyetim për mosfaljen e namazit. Mosfalja e namazit nga përtacia konsiderohet prej mëkateve të mëdha, e për këtë Allahu xh.sh. thotë:

مَا سَلَكَكُمْ فِي سَقَرَ قَالُوا لَمْ نَكُ مِنَ الْمُصَلِّينَ

Ç’ju solli juve në Sekar? Ata thonë: Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin.” (Mudethir :43)

Ai që nuk e fal namazin nga përtacia apo pakujdesia, konsiderohet fasik, e jo kafir (jobesimtar). Personit të tillë i përcaktohen sanksione burgimi derisa të pendohet apo të vdesë. Nëse vdes nga ky sanksion, atij i falet namazi i xhenazes dhe varroset në varrezat e myslimanëve.

Kushtet e obligueshmërisë së namazit

Që namazi të jetë farz për dikë, detyrimisht duhen plotësuar këto kushte:

  1. Të jetë mysliman,
  2. Të jetë psikikisht i shëndoshë,
  3. Të jetë i moshës madhore.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: