Pse është bërë obligim agjërimi?

Allahu (xh.sh) ka thënë në Kuran: “O ju që keni besuar! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu sikurse u ishte bërë obligim edhe atyre përpara jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)

Gjithashtu, është e ditur se Profeti (a.s) ka thënë: “Agjërimi është një mburojë që e mbron njeriun nga Zjarri, ashtu sikurse mburoja që e mbron atë në luftë.”

Agjërimi është një adhurim i tillë që e ruan njeriun nga të gjitha dëshirat e kota dhe ia shton atij sinqeritetin. Është shumë e rëndësishme që njeriu t’i rezistojë urisë, etjes dhe dëshirave të nefsit. Besimtarët që i besojnë Allahut do t’ia dalin të luftojnë mirë në këtë betejë dhe do të tregohen më të fortë në sajë të agjërimit.

Ramazani vjen çdo vit 10 apo 11 ditë më herët, përderisa ai bazohet sipas kalendarit hënor. Kështu, njeriu agjëron edhe gjatë ditëve të ftohta, po ashtu edhe në ditët më të nxehta. Në një farë kuptimi, besimtari bën premtimin: “Jam gati të përmbush urdhrin e Allahut edhe në ditët më të ftohta, po ashtu edhe në ato më të nxehta.”

Ndër të tjera, është shumë e rëndësishme për besimtarin që gjatë një muaji të edukojë veten e tij nëpërmjet largimit nga epshet, në mënyrë që të arrijë gradën e devotshmërisë.

Shtirja s’mund të jetë pjesë e agjërimit. Natyra dhe karakteristikat e agjërimit dhe agjëruesit mund të përshkruhen si më poshtë:

“Agjërimi është mburojë. Kështu, personi që agjëron duhet të qëndrojë larg marrëdhënieve bashkëshortore dhe larg sjelljeve e veprimeve të pahijshme. Nëse dikush e sulmon apo grindet me të, le t’i thotë dy herë: “Unë jam duke agjëruar.” Profeti shtoi: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu sesa aroma e parfumit më të mirë! (Allahu thotë rreth personit që agjëron), ‘Ai ka lënë ushqimin, pijen dhe dëshirat e tij vetëm për kënaqësinë Time. Agjërimi është vetëm për Mua dhe Unë do të shpërblej për të.”

Postime të ngashme