Agjërimi dhe lidhja e tij me sinqeritetin

Sinqeriteti është një prej elementeve thelbësorë të mbërritjes së cilësisë të devotshmërisë, e cila është edhe qëllimi i epërm i agjërimit. Çdo vepër që bën njeriu duhet të ketë në esencë sinqeritetin, si kusht i patjetërsueshëm i pranimit të çdo gjëje që ne bëjmë. Agjërimi është një adhurim i tillë, i cili na ndihmon ta përvetësojmë më tej këtë cilësi dhe të kuptojmë rëndësinë e saj në jetën tonë.

Vetë natyra e agjërimit, ka të përfshirë brenda vetes cilësinë e sinqeritetit. Është fakt i kryer se agjërimi është një vepër midis robit dhe Zotit të tij dhe askush tjetër s’mund të jetë në dijeni të plotë për të. Ndoshta disa vepra të tjera njeriu e ka të lehtë t’i përziejë me cilësinë e qortuar të dukjes, shtirjes, por te agjërimi çështja është tërësisht ndryshe. Është provuar që ky adhurim, nuk mund të bëhet kurrsesi për ndonjë qëllim tjetër, përveç atij të mbërritjes të kënaqësisë së Krijuesit.

Brenda sinqeritetit gjenden edhe tre elementë të tjerë shumë të rëndësishëm, të cilët dalin në pah të gjithë së bashku gjatë adhurimit të agjërimit. Sinqeriteti përbëhet nga “mehabbe” (dashuria për Allahun), “raxhe’u” (shpresa) dhe “hauf” (droja ndaj Krijuesit). Njeriu kur mban agjërimin i demonstron që të tria këto cilësi.

Braktisja që ai i bën ushqimit, pijes dhe veseve të tjera të cilat ia dëmtojnë agjërimin, tregojnë dashurinë e madhe që ai ka për Krijuesin, e cila i bën që t’i braktisë këto gjëra. Përderisa i braktis ato, tregon se dashuria e tij për Zotit është më e madhe sesa gjërat materiale të kësaj bote.

Kur agjërojmë ne shpresojmë për një shpërblim më të madh sesa ngrënia e pirja dhe kjo është pikërisht shpresa që kemi në bujarinë dhe mëshirën e Zotit tonë. Ai vetë ka thënë: “Agjërimi është vetëm për Mua dhe Unë do ta jap shpërblimin për të.”

Aspekti tjetër i sinqeritetit, që na shtyn gjithashtu t’i bëjmë disa vepra është edhe droja që kemi ndaj Krijuesit të Gjithësisë dhe dënimit të Tij. Allahu është posedues i madhështisë dhe i bujarisë. Frika është element i rëndësishëm që na shtyn t’i kryejmë adhurimet tona. Frika më e madhe e besimtarit është të mos të privohet nga dashuria e Zotit dhe mëshira e Tij. Frika e tij më e madhe është të mos të bëhet prej atyre që tërhoqën mbi vete zemërimin hyjnor, për shkak të largimit nga rruga e drejtë.

Agjërimi është një adhurim që trajnon në një mënyrë të shkëlqyer sinqeritetin tonë. Ai është një lidhje intime, private, që robi i thjeshtë ka me Zotin e tij. Ai na rikujton se duhet të jemi të sinqertë në çdo vepër tonën dhe se Zoti është ai që meriton t’i kushtohet çdo adhurim. Ai është vëzhguesi ynë, njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes dhe i Vetmi që meriton të adhurohet.

 

Postime të ngashme