Kujdesu për shpirtin dhe plotësoji virtytet e tij
Ramazani është një kohë e mbushur me mësime dhe urtësi, nga të cilat gjithsecili mund të përfitojë për të bërë një përmirësim apo ndryshim në jetën e tij. Teksa ditët e këtij muaji i kalojmë me agjërim, ne duhet të mendojmë edhe për kuptimet e thella të këtij adhurimi kaq të veçantë. Pse e lëmë trupin të uritur gjatë muajit të Ramazanit? Pse gjatë agjërimit tonë trupi herë herë dobësohet dhe dëshirat e egos bëhen gjithnjë e më të lehta?
Një nga përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të themi se lidhet drejtpërdrejt me kuptimin e pozitës esenciale që ka shpirti brenda trupit të njeriut. Të gjithë besojmë se shpirti është krijuar para trupit tonë dhe se ai do të vazhdojë të jetojë edhe pasi trupi ynë të ketë vdekur. Që këtu marrim një këndvështrim se shpirti është esencial te njeriu dhe është një element dallues i natyrës së tij. Në fakt, është për shkak të këtij shpirti që Allahu (xh.sh) i urdhëroi engjëjt t’i përulen, t’i bien në sexhde Ademit (a.s). “Kur ta formoj atë dhe kur t’i fryj prej shpirtit Tim, atëherë bjerini në sexhde atij!”
Poeti ka thënë: “Kujdesu për shpirtin dhe plotësoji virtytet e tij, sepse ti je njeri në sajë të shpirtit dhe jo të trupit tënd.” Ramazani është një kohë e favorshme për t’u kujdesur për shpirtin dhe për ta ushqyer atë. Në kohën që mbajmë trupin të uritur, ne s’bëjmë gjë tjetër veçse ushqejmë shpirtin. Teksa trupi ynë dobësohet, shpirti shkëlqen dhe fuqizohet më tepër.
Ky ushtrim i agjërimit për ushqimin dhe forcimin e shpirtit duhet të jetë prezent në jetën tonë edhe pas muajit të begatë të Ramazanit. Kur kuptojmë që lumturia e vërtetë qëndron në atë lumturinë shpirtërore, atëherë ne duhet të përpiqemi të kujdesemi sa më tepër për këtë element thelbësor të natyrës sonë, që na bën vërtet njerëz. Ushqimi i shpirtit gjendet te besimi në Zot, përmendja e Tij, lutja, pendimi, leximi i Kuranit dhe të gjitha punët e tjera të mira të sugjeruara nga feja.