Kaderi

Nga Ali Zaimi

Kader do të thotë matje, prerje, formësim, trajtësim.Njohja dhe caktimi nga ana e Allahut qysh më parë i çdo gjëje që ka ndodhur dhe do të ndodhë në botë, quhet kader.

Ndërsa Kada-ja është dalja në shesh, kryerja e gjërave të njohura dhe të përcaktuara nga Zoti qysh më parë. Bashkë me këtë, të njohura dhe të paracaktuara janë edhe koha, vendi dhe rrethanat apo kushtet përkatëse.

Në një kuptim, kaderi dhe kadaja janë e njëjta gjë, kurse në një kuptim tjetër, kaderi është paracaktimi (vendimi i paracaktuar) i Allahut, kurse kadaja është ekzekutimi i këtij paracaktimi.

Allahu është në dijeni të gjithçkaje, Ai e di se ç’ndodh në qiell dhe në tokë. Asgjë nuk mund të fshihet prej Tij, dhe fati i të gjitha krijesave është i ditur prej Tij përpara se Ai t’i krijonte ato. Në Kuran thuhet: “Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det, Ai di për çdo gjeth që bie, dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin (në Shkrimet e Shenjta) e qartë (Levhi Mahfudh)” (sure 6 El En’amë; 59).

Gjithashtu, kaderi është përputhja dhe koherenca mes asaj cka arrin dhe fiton njeriu dhe asaj cka krijon Allahu. Thënë ndryshe, kur njeriu nis e i futet një pune, Allahu, po deshi, e krijon atë punë. Pra, kaderi është njohja eternale (pafillimisht më parë) nga Allahu me dijen e tij të pafundme e këtyre dy specifikave kryesore si dhe,gjithashtu, përcaktimi dhe miratimi eternal i tyre (para se të ndodhin) nga ana e Tij.

Allahu e zotëron mundësinë e të ndryshuarit të njerëzve, Ai mund t’i ndryshojë ata që të gjithë, pa asnjë përjashtim, duke e vënë gjithsecilin në rrugën e mbarë, në rrugën e të drejtës e të arsyes, por është dëshira e Tij që njerëzit, gjithsecili njeri, të bëjnë zgjedhjen e tyre në mënyrë të pavarur dhe të jenë provë për njëri-tjetrin. Në Kuran thuhet: “E sikur të donte Zoti yt, ata nuk do ta bënin atë (armiqësinë)” (sure 6 El En’amë (“Gjëja e gjallë”), ajeti 112); “Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një feje” (surja Hudë, ajeti 118).

Kaderi nuk mund të mendohet pa vënë në llogari vullnetin dhe arritjen e vetë njeriut.

Njeriu dallohet prej krijesave të tjera, sepse ka pranuar të mbajë përgjegjësi për fjalët dhe për veprat e tij. Atij i është lejuar njohja e botës që e rrethon, i është lejuar të vendosë aty rregullat e veta, kurse për kryerjen e paqortueshme të detyrimeve që i janë ngarkuar nga Allahu, i është premtuar një dhuratë bujare në jetën e ardhme, të përtejme. Por që t’ia dalë mbanë një misioni të tillë, njeriu duhet të bëjë zgjedhjen e duhur në çështjet e besimit, prandaj dhe Allahu i dhuroi atij lirinë e vullnetit: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le ta besojë, e kush të dojë, le ta mohojë” (El Kehf 18: 29).

Në shumë vende të Kuranit theksohet se njeriu ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij, të vendosë në mënyrë të pavarur se si duhet të veprojë, ndonëse, në fund të fundit, edhe vetë vullneti i njeriut i nënshtrohet vullnetit të Allahut: “Po ju nuk mundeni (ta dëshironi këtë), në qoftë se nuk e dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (sure 81 Et Tekvir (“Shtrëngimi”), ajeti 29). Në qoftë se një njeri ka ndër mend të kryej një veprim të mirë, atëherë është Allahu ai që ia lejon atij këtë ta bëjë, duke u treguar me të i mëshirshëm dhe dashamirë dhe duke i premtuar shpërblim; në qoftë se ai ka ndër mend të kryejë një veprim të keq, atëherë është Allahu ai që ia lejon atij edhe këtë, duke u treguar me të i paanshëm, por duke bërë kujdes për dhënien e ndëshkimit të merituar për mosbindje porosive të Allahut dhe për shkuarje kundër vullnetit të mirë të Tij. Allahu kurrë nuk u bëhet pengesë njerëzve në  kryerjen e punëve të mira, por Ai ata nuk i përmban në rastet e keqbërjeve, duke treguar vetëm mëshirë ndaj tyre. Në këtë mënyrë krijimi i gjërave në dukje negative në të vërtetë nuk janë negative. I keq është veprimi i tyre jo krijimi.

Pra njeriu nuk është plotësisht I zoti I fatit të vetë, por as kukull në duart e fatit. Allahu i ka dhënë njeriut pushtet të kufizuar dhe liri të madhe, ku përfshihet edhe liria e zgjedhjes. Kjo e bën secilin individ përgjegjës për veprimet e tij. Në qoftë se dikush vendos të godasë me grusht një gur ai nuk mund të ankohet për padrejtësi kur plagos dorën. Ai e di që guri egziston dhe është i fortë për dorën.  Ky është realiteti i ligjeve qëZoti ka vendosur në natyrë. Megjithatë e vërteta është se Zoti është në gjendje ta largojë gurin para se grushti që niset të mbërrijë atë. Po ashtu Allahu caktoi normat morale. Prandaj nu nuk mund të ankohemi për padrejtësi në qoftë se ndëshkohemi kur nuk i bindemi apo i injorojmë këto norma.

Pra koncepti i kaderit është një tregues që na bën të qartë se duhet të kërkojmë harmoninë me ligjet e Allahut që kanë të bëjnë me natyrën njerëzire dhe me natyrën në përgjithësi dhe me ndërgjegje duhet ti bindemi vullnetit të Tij. Gjithsesi kaderi në konceptin islam nuk na e heq të drejtën e zgjedhjes.

Prapseprapë megjithëse cdo gjë është caktuar sipas rregullave, Profeti a.s tregon se me anë të lutjevetë sinqerta, njerëzit mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve, duke përmbysur ndonjëherë atë që zakonisht është e natyrshme bazuar në ligjet e Allahut shkak – pasojë.

Njohja nga Allahu, si i Gjithëditur i të shkuarës dhe të ardhmes nuk nënkupton që ai i bën njerëzit të zgjedhin një rrugë të caktuar.

Në gjithësi sundon një kader aq i gjerë dhe gjithpërfshirës, saqë asgjë nuk mund të përfytyrohet jashtë tij. Në gjithësi sundojnë në mënyrë evidente kaderi, plani, programi, masa dhe ekuilibri. “Ne e krijuam çdo gjë sipas përmasave të caktuara!” (Kamer: 49)

Me qëllim që njeriu, nga njëra anë, të shpëtojë nga kryenecësia, ndërsa nga ana tjetër të mos i shmanget përgjegjësive, por të sigurojë barazpeshën dhe proporcionalitetin e duhur në jetë, cështja e kaderit dhe vullnetit kanë hyrë mes gjashtë parimeve besimore. Për shembull njeriu ndonjëherë ja atribuon vetes të gjitha arritjet duke harruar favoret që Allahu i bën, dhe mburret “unë e bëra, unë e gjeta, unë fitova, unë e zgjidha” etj. Në këto raste kaderi i del përpara e i thotë: “Është Allahu që ju krijon ju dhe veprat tuaja!” (Saffat, 37:96). Nga ana tjetër njeriun mund ta kaplojë pesimizmi dhe të mendojë: “meqë është Allahu që më ka krijuar edhe mua edhe veprat e mija atëherë cili është faji im te mëkatet e mia?” Aty, përballë këtij rreziku vullneti i vetë i del përpara dhe i thotë : “Je i përgjegjshëm. Sikurse ke përgjegjësi të besosh e të kryesh adhurimet, je përgjegjës edhe për mëkatet që ke kryer.” Në këtë mënyrë njeriu arrin të sigurojë drejtpeshimin e duhur.

Ndërkohë nuk duhet harruar se e kaluara dhe fatkeqësitë shihen nga këndvështrimi i kaderit, kurse e ardhmja dhe mëkatet, nga këndvështrimi i vullnetit. Pra njeriu mendon për fatkeqësitë që “paskan qenë kader”  dhe nuk bie në vorbullën e pesimizmit; ndërsa të ardhmen e shikon nga këndvështrimi i vullnetit dhe nuk ja ngarkon mëkatet kaderit, por është i përgjegjshëm dhe i kujdesshëm të qëndrojë larg tyre.

Kurani, me ajetin “çdo e mirë që të vjen është nga Allahu, kurse çdo e keqe, nga vetja jote”[1], tërheq vëmendjen mbi faktin se Allahu është zotëruesi i vërtetë i të gjitha mirësive, bukurive dhe dobive, kurse të gjitha të këqijat dhe mëkatet burojnë nga vetja (egoja) e njeriut.

Te njeriu që i beson kaderit nuk ndodh as më i vogli pesimizëm dhe lëshim. Pastaj, njeriu që i beson kaderit, kur arrin sukses, nuk heq dorë nga thjeshtësia e modestia dhe nuk e humbet veten me dehjen e fitores. Në ajetin e mëposhtëm shprehet në mënyrë koncize se besimi te kaderi jo vetëm që përbën burim force për njeriun përballë fatkeqësive, por edhe e shpëton atë nga krenaria:

S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë! (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë!” (Hadid, 57/22-23)

Duhet pasur parasysh se kaderi nuk është cështje dijeje dhe veprimi, por ndërgjegjeje dhe statusi. Ndërsa ekzistenca e Allahut, profetësia dhe cështjet kuranore mund të shpjegohen me analiza shkencore, për ta njohur kaderin me vetëdijen e ihsanit, sikur e shihni si akt të Allahut, ju duhet të trazoni fletët e ndërgjegjes. Prandaj kaderi është parë si një subjekt delikat nga dijetarët islamë, që të bën të të rrëshqasin këmbët.

Allahu e ka krijuar gjithë ç’është në Gjithësi, përfshi dhe bëmat e njeriut dhe synimet e përpjekjet e tij: “E Allahu ju krijoi juve dhe atë që e punoni” (Es Safatë, 37: 96). Sipas Kuranit dhe Sunetit, qëndrimet dhe sjelljet e njerëzve përcaktohen prej synimeve dhe prej mundësive që ata kanë. Allahu ua selit njerëzve në zemrat e tyre dëshirat dhe u krijon atyre kushte, që këto dëshira të bëhen realitet. Është Ai që e krijon shkakun, i cili mishërohet në rezultat. Prandaj dhe thuhet se veprimet e çdo lloji i kryejnë njerëzit, por krijohen nga Allahu, nga Krijuesi i Vetëm i gjithçkaje që ekziston.

Në kaderin islam ka vullnet dhe qëllim. Vlerësimi i ndriçimit na jep shpresë dhe qetësi, ne nuk biem në boshllëk dhe pesimizëm. Besimi te kaderi për atë që e ka këtë besim, është shprehje e vetëdijes se nuk ka mbetur vetëm edhe kur çdo gjë t’i jetë konsumuar, kur çdo gjë që mund t’i vinte dore, t’i jetë mbaruar, se nuk është braktisur në shurdhërinë dhe pandjeshmërinë e materies dhe se mbështetja më e lartë ndodhet bashkë me të. Lidhja pas Allahut nuk do të thotë zbritje e vullnetit në zero, përkundrazi, vënie e vullnetit në veprim edhe para situatave të papritura, madje, pamundësive!

Meqë kush i beson kaderit, është mbështetur te Allahu, ia hyn çdo pune në jetë dhe gjatë gjithë jetës ecën nga suksesi në sukses pa e humbur forcën dhe guximin. Edhe sikur të ndodhë që të mos ketë sukses, duke menduar se në atë mungesë suksesi apo dështimi do të ketë një urtësi, përpiqet ta provojë të njëjtën gjë edhe në rrugë të tjera; edhe po s’e bëri këtë, mendon se i tillë ka qenë kaderi dhe vazhdon në udhën e vet pa e humbur vendosmërinë dhe vullnetin.

Meqë besimtari që i ka besuar kaderit e di se pjesën e vet të rrizkut (të mirave) e ka të caktuar, për rrjedhojë, nuk do të mund ta fusë në dorë pjesën e të tjerëve çfarëdo që të bëjë, nuk e dhunon të drejtën e tjetrit, nuk tregon ambicie dhe nuk tregon zili.

Prandaj, njeriu që i beson kaderit, duke pasur parasysh edhe tërheqjen e vëmendjes që bën Kurani duke thënë, Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët!” (Nisa, 4/32), nuk i vë syrin gjësë së tjetrit. Sepse ai e di se një veprim i tillë është zemërim ndaj kaderit dhe kadasë së Allahut, shikim me sy të keq i dhuntisë së Tij të përpjesëtuar mes robve të Tij, konsideratë e pakëndshme për drejtësinë e vendosur me urtësi prej Tij, për pasojë, faj të kryer ndaj thelbit të teuhidit, prandaj shmanget nga ai veprim.

Personi që beson se çdo gjë del në shesh me anë të kaderit, kadasë, vendimit dhe vullnetit të Allahut, edhe nëse e bën përgjegjës dikë që ka kryer faj kundër tij, tregohet më tolerant ndaj fajtorit. Besimtari i cili e vlerëson këtë ngjarje edhe nga këndvështrimi i kaderit, e ka më të lehtë ta falë tjetrin.

Në dëmin ose dhimbjen që i ka shkaktuar dikush tjetër, besimtari merr parasysh se është edhe pjesa e mëkateve të veta, pra, duke menduar se gjendja e krijuar mund të jetë edhe ndëshkim për të për një mëkat të kryer prej tij më parë, bën dhe duhet të bëjë një vetëllogari. Me të vërtetë, Kurani thotë: Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (Shura, 42/30) Kështu, shpëton më lehtë nga neveria dhe urrejtja që do të ndjente ndaj tjetrit.

 

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: