Legjitimiteti i dhikrit të Tesbihëve

Bërja e tesbihatit me zë dhe me xhemat është një ndër praktikat e cila është parë e pranueshme nëpër xhamitë në trojet shqipëtare dhe më gjerë. Për shekuj me radhë është praktikuar nga të parët tanë dhe ka marrë aprovimin e dijeatarëve të kohës. Në lidhje me këtë temë ka qëndrime të ndryshme, prandaj përjashtimi i mendimit të të tjerëve nuk është diçka e pranueshme në islam. Sepse sipas kriterit të vendosur nga dijetarët e metodologjisë së Jurispudencës Islame se; “Nuk ka mohim në çështjet që janë dhënë mendime të ndryshme.” As në këtë çështje nuk mund të jepet një konkluzion përfundimtar, por do të trajtohen shkurtimisht disa nga temat që janë pika kyçe në këtë çështje dhe në pamje të parë duken si problematike. Fillimisht do trajtohet shkurtimisht tema e bidatit e cila është pothuajse termi i cili ka më shumë keqkuptime në kohët e sotme.

     Koncepti i Bidatit (Risi) 

Bidat ne kuptimin leksikor do të thotë risi, nis, bëj diçka të re, filloj, shpik etj, kurse në kuptimin terminologjik do të thotë: ‘ çdo gjë e dalë pas kohës së Pejgamberit (s.a.s) dhe që nuk ka rrënjë (origjinë) në fe.

Dijetarë si Imam Shafiu[1], Imam Neueuiu[2], Imam Shatibiu, Ebu’l-Ferexh Îbnu’l-Xheuzî[3] dhe nga imamët Hanefi Imam Ibn Abidin[4] janë të mendimit se çdo gjë e dalë pas kohës së Pejgamberit (s.a.s) dhe nuk ka origjinë në fe, pra nuk ekzistonte fare si praktikë mund të futet në kategorinë e bidatit.

Dijetarët bidatin e kanë ndarë në dy grupe bidati-hasene (bidati i mirë, i bukur) dhe bidati-sejjie (bidati i keq).

Përshembull: ndërtimi i minareve dhe medreseve është bidat i mirë kurse ndezja e qirijve nëpër varre është bidat i keq. Sipas kësaj bidatet që janë ndaluar me hadithe janë bidate të këqija.

Në lidhje me këtë çështje kemi fjalën e Hz. Omerit kur sheh që ne xhaminë e Pejgamberit (s.a.s) disa persona falnin namazin e teravive me xhemat gjë e cila nuk ishte bërë në kohën e Pejgamberit (s.a.s) ku thotë “Sa bidat I bukur është ky” [5]) me këtë veprim Ai (r.a) ka treguar se bidati mund të ndahet në kategori të ndryshme.

Po ashtu edhe Imam Shafiu ka dhënë mendimin e tij në lidhje me këtë çështje duke thënë: “Bidati ndahet në dy kategori bidat i mirë dhe i keq”. Gjërat që janë të përshtatshme me synetin janë të mira dhe të pranueshme.

Pasi janë dhënë disa shembuj konkretë në lidhje me temën e bidat do të shpjegohet e ndarë në dy ndarje kryesore bërja e dhikrit, duke u ndarë në bërjen e dhikrit me xhemat dhe atë me zë. Ky komentim do të ilustrohet me hadithe të shumtë nga burimet kryesore të shkencës së hadithit.

Bërja e dhikrit me zë

Bërja e dhikrit me zë eshte një veprim që zë vend ne fenë Islame, sepse Pejgamberi (s.a.s) bashkë me shokët e tij të nderuar pas faljes së namazeve farze bënin tekbir, tesbih, tahmid me zë të lartë. Në lidhje me këtë çështje kemi hadithin e transmetuar nga Ibn Abbasi (r.a) që njerëzit në kohën e Pejgamberit (s.a.s) njerezit bënin dhikër me zë pas faljeve të detyrueshme ku thotë:

 كنت أعلم إذا انصرفوا بذلك إذا سمعته

“Unë sa e dëgjoja këtë zë e kuptoja që ata kishin mbaruar namazin”. Dhe në një transmetim tjetër Ibn Abbasi (r.a) thotë: “Unë e kuptoja që Pejgamberi (s.a.s) e kishte mbaruar namazin kur bënte tekbire”[6]

Duke marrë për bazë këtë hadith dhe hadithe të tjera dijetarët kanë arritur në konkluzionin që bërja e dhikrit me zë është e lejuar.

Më poshtë do të sillen mendimet e disa dijetarëve në lidhje me këtë çështje:

Në kapitullin e gjërave të cilat prishin apo janë të papëlqyera në xhami janë: “Lypja në xhami, dhënia e lëmoshës lypësit…recitimi i vjershave në xhami është e tepruar. Në xhami vetëm një person i cili mëson të tjerët mund të ngrejë zërin.”[7]

“Shumica e dijetarëve nuk kanë parë ndonjë problem në ngritjen e zërit në dhikër (tahlil, tesbih)”[8]

“Në lidhje me këtë temë mendimi më i pranueshëm është mendimi: “Përderisa nuk teprohet ngritja e zërit, atëherë ngritja e zërit në dhikër është e lejueshme.”[9]

“Hamevî në librin e tij “Hauashi’l-Eshbah” dhe Bezzazi në librin e tij “Fetva” tregon se bërja e dhikrit me zë është e lejuar.”[10] Mendim ky i parapëlqyer edhe nga dijetari hanefi Hajreddin er-Remli i cili e shpreh në librin e tij “Fetva”.

Al’lame Tahtavî transmeton se dobitë e dhikrit me zë ka hadithe që e mbështesin. Disa dijetarë të tjerë thonë se bërja e dhikrit me zë ka më shumë dobi dhe disa prej tyre janë; të qënit më të ndikueshëm, zgjon zemrën e personit që bën dhikër dhe e shtyen trurin të bëjë meditim (tefekur). Për këto shkaqe dijetarët nuk e kanë parë të papëlqyeshme bërjen e dhikrit me zë nëpër xhami, por krejt e kundërta e parapëlqejnë bërjen e diçkaje të tillë.

Al’lame Alusi në tefsirin e tij Ruhu’l-Meanî transmeton nga libri i Fetvave të Imam Neueuiut ku thotë; Sipas medhhebit Shafi bërja e dhikrit me zë është më e pëlqyeshme se bërja e dhikrit pa zë (në raste kur në mesxhide ka fillestarë dhe me qëllim mësimin e dhikrit të tjerëve.)

Imam El-Bahuti transmeton prej Ibni Tejmijes se ai ka thënë:

“Është e rekomanduar që Tesbihu (Subhan Allah), Tahmidi (Elhamdulilah) dhe Tekbiri (Allahu Ekber) të bëhen me zë të lartë pas çdo namazi.”[11]

Bërja e dhikrit me xhemat

Bërja e tesbihatit me zë në grup siç bëhet nëpër disa xhami në kohët e sotme me dirigjencën e muezinit ose imamit nuk gjendet në kohën kur Bilal Habeshiu bënte muezinin e Pejgamberit (s.a.s) . Në atë kohë duatë e tesbihatit bëheshin personalisht dhe nuk praktikohej nga sahabet. Në kohët e mëvonshme kur njerëzit filluan të largohen nga feja dhe të neglizhojnë shumë gjëra të rëndësishme të fesë dijetarët kanë rënë dakort që bërja e tesbihatit me zë në grup nën drejtimin e muezinit ose imamit është e lejueshme duke dhënë leje (xheuaz).

Tesbihati ashtu siç mund të bëhet në grup po ashtu mund të bëhet edhe personalisht që kjo e fundit është më e pelqyer sepse është diçka e kryer nga Pejgamberi (s.a.s). Sa për çështjen e bërjes së dhikrit me xhemat në kohën e Pejgamberit (s.a.s) mund të themi se; Ai (a.s) i shtynte shokët e tij të nderuar që të bënin çdo gjë në grup si përshembull bërjen e takimeve për biseda fetare, dhikrit dhe ibadeteve dhe mbi të gjitha kënaqesh shumë kur i shihte ata në këtë gjëndje dhe ndonjëherë u jepte sihariqe të ndryshme atyre që i shihte ashtu.

Nëse një grup njerëzish mblidhen për të bërë dhikër dhe nuk e bëjnë me zë atëherë kjo do të ishte e kotë, sepse nëse dhikri do të bëhej pa zë atëherë nuk ka kuptim mbledhja e tyre.[12]

Më poshtë do të ilustrohen edhe me disa shëmbuj nga hadithet e Pejgamberit (a.s)

Në një hadith të transmetuar nga Hz. Muaviye:

خرج رسول الله صلي الله عليه وسلم علي حلقة من أصحابه فقال”ما أجلسكم”؟ قالوا جلسنا نذكر الله تعالي ونحمده علي ما

هدانا للإسلام ومن به علينا .. قال صلي الله عليه وسلم:- آلله-يعني والله- ما أجلسكم إلا ذاك؟ ثم قال أما إني لم استحلفكم

تهمة لكم ولكنه أتاني جبريل فأخبرني أن الله تعالي يباهي بكم الملائكة.

‘Një ditë Pejgamberi(s.a.s) i shikon disa nga shokët e tij të mbledhur në një vend. I shkoi pranë dhe i pyeti; Me çfarë qëllimi erdhët dhe u mblodhët këtu? Ata i thanë, U mblodhëm këtu për të falenderuar dhe për t’i bërë dhikër Allahut (xh.xh) i Cili na ka udhëzuar në një fe si Islami dhe na ka sprovuar në këtë rrugë. Pejgamberi (s.a.s) i pyeti dhe një herë dhe pasi mori një përgjigje me betim prej tyre i thotë kështu: “Mos mendoni se u thashë të betoheni për t’iu fajësuar, por Xhebraili erdhi për të më lajmeruar dhe më tha se Allahu (xh.xh) krenohet me ju para melaikeve të tij.”[13]

Pra siç shihet, edhe pse pas namazit Pejgamberi (a.s) nuk ka bërë dhikër me xhemat, me çdo lloj shkaku që mund të mbidheshin shokët e tij për të bërë dhikër ose tesbih Allahut Ai (a.s) i kishte uruar ata.

Në një transmetim të Ebu Hurejres:

عن أبي هريرة رضي الله عنه قال قال رسول الله صلى الله عليه وسلم إن لله تعالى ملائكة يطوفون في الطرق يلتمسون أهل الذكر فإذا وجدوا قوما يذكرون الله عز وجل تنادوا هلموا إلى حاجتكم فيحفونهم بأجنحتهم إلى السماء الدنيا فيسألهم ربهم وهو أعلم ما يقول عبادي قال يقولون يسبحونك ويكبرونك ويحمدونك ويمجدونك فيقول هل رأوني فيقولون لا والله ما رأوك فيقول كيف لو رأوني قال يقولون لو رأوك كانوا أشد لك عبادة وأشد لك تمجيدا وأكثر لك تسبيحا فيقول فماذا يسألون قال يقولون يسألونك الجنة قال يقول وهل رأوها قال يقولون لا والله يا رب ما رأوها قال يقول فكيف لو رأوها قال يقولون لو أنهم رأوها كانوا أشد عليها حرصا وأشد لها طلبا وأعظم فيها رغبة قال فمم يتعوذون قال يقولون يتعوذون من النار قال فيقول وهل رأوها قال يقولون لا والله ما رأوها فيقول كيف لو رأوها قال يقولون لو رأوها كانوا أشد منها فرارا وأشد لها مخافة قال فيقول فأشهدكم أني قد غفرت لهم قال يقول ملك من الملائكة فيهم فلان ليس منهم إنما جاء لحاجة قال هم الجلساء لا يشقى بهم جليسهم.

Një grup melaikesh të ngarkuar posaçërisht nga Allahu (xh.xh) shikojnë një grup njerëzish të cilët ishin mbledhur për t’i bërë dhikër Allahut (xh.xh), pastaj të gjithë melaiket hapin krahët dhe i mbulojnë të gjithë njerëzit që ndodhen aty me krahët e tyre. Kështu që e gjithë hapësira midis qiellit dhe tokës mbushet me melaike. Ata bashkohen bashkë me ata persona që e lavdërojnë dhe kujtojnë Allahun derisa ata të largohen. Pasi njerëzit shpërndahen melaiket ngjiten në qiell. Allahu edhe pse i di çdo gjë më mirë se melaiket i pyet ato:

-Nga ku po vini?

-Po vimë prej disa robërve që jetojnë në tokë. Ata ishin mbledhur dhe po të bënin Ty tesbih.

-Robërit e mi janë bashkuar dhe çfarë thonë?

– Të lavdërojnë duke thënë Subhanallah, thonë Allahu Ekber duke të pranuar Ty si më të madhin, dëshmojnë duke thënë La ilahe İlallah se nuk ka Zot tjetër përveç Teje dhe të falenderojnë duke thënë Elhamdulilah.

-A më kanë parë ata Mua që më lavdërojnë kështu?

-Jo o Zoti ynë nuk të kanë parë.

-Po të më kishin parë çfarë do të bënin?

-Sikur të kishin parë, do të adhuronin dhe lavdëronin më shumë.

-Çfarë kerkojnë nga Mua?

-Kërkojnë Xhenetin.

– A e kanë parë ata Xhenetin?

– Jo o Zoti ynë nuk e kanë parë.

-Po ta kishin parë Xhenetin çfarë do të bënin?

– Sikur ta kishin parë atë do ta donin dhe do të punonin më shumë për të.

-Prej se frikësohen?

-Frikësohen prej hyrjes në Xhehenem.

-A e kanë parë ata Xhehenemin?

-Jo o Zoti ynë nuk e kanë parë.

-Po ta kishin parë atë çfarë do të bënin?

-Sikur ta kishin parë atë do të frikësoheshin dhe largoheshin më shumë prej tij.

Në fund Allahu (xh.xh) urdhëroi kështu:

-Jini dëshmitarë, Unë i kam falur të gjithë robërit të cilët janë bashkuar për të më falenderuar dhe lavdëruar Mua. Do t’i largoj nga Xhehenemi nga cili frikësohen dhe do t’i fus në Xhenetin të cilin kërkojnë.

Pastaj foli njëri prej Melekëvë dhe tha:

-O Zoti ynë, Ata nuk kishin ardhur të gjithë për të lavdëruar Ty, bashkë me ta ishte dhe një person mëkatar i cili nuk kishte ardhur me atë qëllim.

Allahu (xh.xh) urdhëroi kështu:

-E kam falur dhe atë, ata janë një grup i tillë që falë atyre e kam falur dhe atë”[14]

Në një hadith tjetër të transmetuar nga Shedat b. Eus dhe Ubade b. Samit ku thonë:

كنا عند النبي – صلى الله عليه وسلم – فقال : ” هل فيكم غريب ؟ ” – يعني أهل الكتاب – قلنا : لا يا رسول الله ، فأمر بغلق الباب وقال : ” ارفعوا أيديكم وقولوا : لا إله إلا الله  ” . فرفعنا أيدينا ساعة ، [ ثم وضع رسول الله – صلى الله عليه وسلم – يده ] ، ثم قال : ” الحمد لله ، اللهم إنك بعثتني بهذه الكلمة ، وأمرتني بها، ووعدتني عليها الجنة ، وإنك لا تخلف الميعاد ” . ثم قال : ” ألا أبشروا فإن الله قد غفر لكم

Ishim në praninë e Pejgamberit (s.a.s) dhe Ai na tha a ka midis jush të huaj (pjestar të Ehli Kitabit). Ne i thamë jo o i Dërguari i Allahut. Dhe pastaj na urdhëroi të mbyllnim dyert. Dhe na tha; “Ngrini duart dhe thoni Lâ ilâhe illallâh. I ngritëm duart për një farë kohe dhe thamë Lâ ilâhe illallâh. Pejgamberi (a.s) i uli duart dhe tha:  “Falenderimi i takon Allahut. O Zoti im! Ti më dërgove mua me këtë fjalë dhe me këtë më urdhërove, dhe xhenetin mbi këtë fjalë ma premtove. Nuk ka dyshim që Ti kurrë nuk e shkel premtimin e dhënë” Bëri lutje. Pastaj na tha: “Lumturohuni! Pa dyshim që Allahu (xh.xh) ju ka falur ju”.[15]

Imam Hakimi ka qartësuar se një ndër transmetuesit e këtij hadithi i cili është Ismail b. Ajash nuk është mirë më kujtesën, por prapë thotë se është i përshtatshëm me kushtet e tij (të marrjes së një hadithi)

Imam Dhehebiu tregon që një ndër transmetuesit i cili është Rashid b. Davud është parë i dobët nga Imam Darekuti, por Imam Dahim e ka pranuar si “Sika” të besueshëm.[16]

Siç shihet hadithi është në një gradë që mund të pranohet si Sahih. Dhe mbi të gjitha Hafiz Hejthemi, Ahmed ibn Hambel, Taberani dhe Bezzar kanë gjykuar se të gjthë transmetuesit në këtë hadith janë “Sika” të besueshëm.

Ky hadith ka disa çështje:

  • Pyetja e Pejgamberit (s.a.s) “A ka ndonjë të huaj midis jush (Ehli Kitab)”. Ketu Pejgamberi (s.a.s) sikur ka dashur t’i tregojë për një çështje të veçantë shokëvë të tij dhe nuk ka dashur që të jetë asnjë i huaj midis tyre që ti dëgjojë këto. Muhadithët kanë qartësuar se në përgjithësi në Medine nëpër këto mexhlise të vetmit “të huaj” ishin pjestarët e Ehli Kitabit (Ithtarët e Librit). Dhe sipas kësaj thënia e fjalës së Dëshmisë “Lâ ilâhe illallâh” e cila eshtë simboli i një besimi të pastër dhe në momentin kur të fliste ose të përmendte për mirësitë e kësaj fjale në atë ambient mund të ndodheshin edhe të huaj dhe pas urdhërit “Ngrini duart dhe thoni Lâ ilâhe illallâh” kjo mund ti detyronte të huajt aty për të përmendur fjalën e pastër të akides islame. Për këtë arsye ndoshta Pejgamberi (a.s) ka bërë atë pyetje dhe ka kërkuar mbylljen e dyerve, për të mos rënë në kundërshtim me parimet e Kuranit duke zbatuar këtu dhe urdhërin e Kuranit “Nuk ka detyrim në fe”[17]
  •  “Urdhërimi për mbylljen e dyerve” marrja e kësaj mase të tillë është për tu siguruar për mosndodhjen e të huajve në atë ambient dhe për të eliminuar mundësinë për të ardhur të tjerë nga jashtë. Por Pse? Me shumë mundësi sepse Pejgamberi (s.a.s) donte ti jepte sihariqin e faljes së tyre nga ana e Allahut (xh.xh) dhe si parapërgatitje e kësaj i ka thënë të bëjnë dhikrin “Lâ ilâhe illallâh”. Dhe për arsye se ndoshta personat që do të vinin nga jashtë edhe pse mund të ishin myslimanë sihariqi i dhënë nuk mund ti përfshinte.
  •  I ngritëm duart për një farë kohe dhe thamë “Lâ ilâhe illallâh” kuptojmë që praktika që bëhet në disa xhami në xhemat dhe me zë nën dirigjencën e një personi është me bazë ne synetin e Pejgamberit (s.a.s).

Në një hadith tjetër:

عن أبى مسلم اغَرِّ قال: أشْهَدُ عَلى أبى هريرةَ وأبى سعيد رَضِى اللّهُ عَنْهُما أنّهمَا شَهِدا عَلى رسول اللّهِ  أنه قال: َ يَقْعُدُ قَوْمٌ يَذْكُرُونَ اللّهَ تعالى إَّحَفّتْهُمُ الملاَئِكَةُ وَغَشِيَتْهُمُ الرَّحْمَةُ وَنَزَلَتْ عَلَيْهِمُ السَّكِينَةُ وَذَكَرَهُمُ اللّهُ فِيمَنْ عِنْدَهُ.

Ebu Muslim el-Egarr thotë: Unë dëshmoj se Ebu Hurejra dhe Ebu Said (r.a) kanë dëshmuar se Pejgamberi (s.a.s) ka thënë: “Nëse një grup njerëzish ulen për të përmenduar Allahun e Lartmadhëruar, engjëjt i rrethojnë ata dhe i mbështjellin me mëshirë, mbi ta bie një qetësi dhe Allahu i përmend ata tek engjëjt e medhenj.”[18]

عن أبى هريرة رَضِى اللّهُ عَنْهُ أن النبىّ  قال: يقولُ اللّه تعالى: أنا عند ظن عبدي بي ، وأنا معه إذا ذكرني ، فإن ذكرني في نفسه ذكرته في نفسي ، وإن ذكرني في ملإ ذكرته في ملإ خير منهم ، وإن تقرب إلي بشبر تقربت إليه ذراعا ، وإن تقرب إلي ذراعا تقربت إليه باعا ، وإن أتاني يمشي أتيته هرولة.

Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi (s.a.s) ka thënë se: Allahu (xh.xh) thotë: “Unë jam pranë robit Tim ashtu siç ai më mendon mua. Unë jam me të kur ai më përmend nëse më përmend përbrenda edhe Unë e përmend përbrenda nëse më përmend brenda një grupi njerëzish edhe Unë e përmend atë në një grup më të mirë se ai. Nëse ai më afrohet një pëllëmbë Unë i afrohem një kut; kush më afrohet një kut, Unë i afrohem atij një pash. Kurse kush më vjen duke ecur, Unë i shkoj atij duke vrapuar.”[19]

Transmetohet nga Ibn Amri (r.a): “O i Dërguar i Allahut cilat janë përfitimet e mexhliseve (kuvendeve) të dhikrit? Pejgamberi (a.s) u përgjigj: “ Është xheneti.”[20]

Transmetohet nga Enesi (r.a) në rrugë merfu se Pejgamberi (s.a.s) ka thënë: “Parapëlqej të bashkohem bashkë me një grup të cilët i bëjnë dhikër Allahut sesa të liroj katër robër prej Hebrenjëve. Parapëlqej të ulem në një kuvend që përmend Allahun (xh.xh) prej namazit të ikindisë deri në perëndim të diellit sesa të liroj katër robër.”[21]

Tregon Enes bin Malik se:“Abdullah bin Rahaua sa herë që takohej me ndonjë nga shokët e Pejgamberit (a.s) i thoshte: “Eja të besojmë një orë Zotin tonë ( dmth të përmendim Allahun).” Një ditë kur të njëjtën gjë ia thotë njërit prej shokëve të Pejgamberit (a.s), ai nxehet dhe shkon te Pejgamberi (a.s) dhe i thotë: Pa shiko çka thotë Ibn Rahaua, Na fton të besojmë një orë duke hequr dorë prej besimit që solle Ti.” Kur i thotë këtë Pejgamberi (a.s) i thotë: “Allahu e mëshiroftë Ibn Rahauan! Ai dëshiron kuvendet e dhikrit të cilat edhe engjëjt xhelozohen prej tyre.”[22]

Transmeton Enes bin Malik (r.a) se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Nëse një grup mblidhet për të bërë dhikër vetëm për të përfituar kënaqësinë e Allahut, atyre u zbret një lajmëtar (engjëll) nga qielli dhe u thotë: “Ngrihuni sepse gjynahet tuaja u falën, ato janë kthyer në sevape për ju.”[23]

Në një transmetim tjetër nga Enes bin Malik i cili tregon se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Kur të arrini në kopshtet e xheneti kullosni (përfitoni) në to.” E pyesin sahabet se çfarë janë kopshtet e xhenetit? Ai i thotë: “Ato janë Kuvendet e Dhikrit.”[24]

Përgatiti: Marius Tafani

[1] Ibn Haxher, Fethu’l-Bârî XIII, 213.

[2] Aliju’l-Kârî, Mirkâtu’l-Mefâtih Sherhu Mishkâti’l-Mesâbih, I, 368; Nesâî, III, 188-189 (Sherhi i Imam Sujutiut).

[3] İbnu’l-Xheuzî, Telbisu Iblîs, fq.16.

[4] İbn Âbidin, Reddu’I-Muhtar, 1,561-562.

[5] Buhârî, Teravih, 1.

[6] Buhari, Ezan, 155.

[7] Haskafi. Durru`l-Muhtar.

[8] Ajni, në librin e tij “Kunje”.

[9] Ebu’l-Hasenât Muhammed Abdulhaj el-Leknuî.,“Sibâhatu’l-Fikr fi’l-Xhehri bi’dh-Dhikr”.

[10] Bezzazî, Fetva, vëll 6, fq 378.

[11] El-Bahuti, Kashaf el-Kina.

[12] Ebu’l-Hasenât Muhammed Abdulhaj el-Leknuî.,“Sibâhatu’l-Fikr fi’l-Xhehri bi’dh-Dhikr”.

[13] Muslim, Dhikr 40.

[14]  Transmeton Buhariu, Muslimi.

[15] Ahmed b. Hanbel, Musned, IV, 124; Hejthemî, Mexhmau’z-Zevâid, I, 19; Hâkim, Mustedrek, I, 501.

[16] shk. Dhehebi Talhis-Hakim, Mustedrek në të njëjtin vend.

[17] Bakare, 2, 25.

[18] Muslim, Dhikr 39, Tirmidhî, Dauât 7.

[19] Buhârî, Teuhid 50; Muslim, Dhikr 2, Tirmidhî, Dauât 142.

[20] Ahmed b. Hanbel, Musned, 1. 177.190; Hejthemî, Mexhmau’z- Zevâid, vëll 10, fq 78. ( e ka transmetuar Ahmed dhe Taberani, me zinxhir hasen) Mundhiri, Tergib, 111/213.

[21] Ebu Dâvud, Sunen, İlm, IV/73, Ebu Ja’la nga Enesi (r.a) me një zinxhir transmetimi hasen.

[22] Ahmed b. Hanbel, Musned, III/265; Mundhiri, et-Tergib, III/211 (Zinxhir Hasen ) Hejthemi, Mexhmua’z Zeuâid, X,76.

[23] Ahmed b. Hanbeİ. Musned 3, 142; Hejthemi, Mexhmau’z-Zevâid. X,76, Ahmed, Ebu Ja`lâ, Bezzar dhe Taberani kanë transmetuar edhe transmetimin e Eusat’it. Në transmetimin e Ahmed b. Hanbel’it gjendet Mejmun b. Musa el-Mere. Dijetarët e hadithit e tregojnë si të besueshëm (Sika), por ka edhe problem. Transmetuesit e tjerë të Ahmed b. Hanbel’it janë transmetues që arrijnë në gradën e sahihut. Kurse Bejhakîu e ka transmetuar nga Abdullah b. Mugafet.

[24]Tirmidhî, Sunen, Dauât, V, 532 (Hadithi me këtë zinxhir është hasen garib, sepse është transmetuar vetëm nga Enes bin Malik.); Ahmed b. Hanbel, Musned, III, 150.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: