Disa arsyetime mbi ringjalljen dhe jetën e përtejme (Ahiretin)

Ringjallja 2

Nga Ali Zaimi

Argumenti dhe garancia më e madhe mbi jetën e ahiretit është premtimi i Zotit për robtë e vet. Duke theksuar në shumë vende se çdo frymë do të vdesë, nuk mund të shmanget vdekja, Allahu është ai që e jep vdekjen dhe se, në fund, kthimi do të jetë te Ai, Kurani bën të ditur se ringjallja pas vdekjes është domosdoshmëri e premtimit të Allahut. Kështu çdokush që beson Allahun dhe Kuranin si fjalë të Tij, i beson edhe ringjalljes pas vdekjes, sepse Zoti nuk ka asnjë mangësi që të mos e përmbushë dot premtimin.

“Ajo që po ju premtohet juve është mëse e vërtetë! Nuk ka asnjë dyshim se edhe llogaridhënia, edhe ndëshkimi do të realizohen patjetër!”  

Ai që i jep njeriut ndjenjën e përjetësisë, padyshim që ka krijuar edhe një vend ku njeriu do të mbesë i përjetshëm. Ne shohim që Zoti ka dhënë urinë, por ka dërguar ushqime, ka dhënë etjen, por ka dërguar ujin, ka dhënë dëshirën e fortë për përjetësi, e do ta japë edhe përjetësinë…

Zoti, që i jep përgjigje lutjes së çdo krijese, nga milingona tek elefanti, që me dhembshuri e bën nënën shërbyese të foshnjës së saj, a do ta linte pa përgjigje dëshirën për përjetësi të njeriut, që është më i vlerësuari në univers?

Rezultati më i rëndësishëm i krijimit të universit është jeta. E vetë jeta nuk mund të përkufizohet vetëm tek kjo jetë kalimtare, e shkurtër, e mangët dhe e mundimshme e kësaj bote. Ai që beson se Zoti është i Drejtë, është i Mëshirshëm, është i Gjithëpushtetshëm, dhe i Gjithëditur nuk mund ta pranojë se vdekja është asgjësim total për njeriun. Kjo është kundër drejtësisë, urtësisë e mëshirës hyjnore. Të mohosh ringjalljen do të thotë ti atribuosh Zotit dobësi, do të thotë të mohosh cilësitë dhe emrat e Tij, i Gjithëditur, i Dashur, i Urtë, i Fuqishmi Absolut, etj.

Zoti në këtë botë, megjithë ndarjen në klasën e të bindurve dhe kryengritësve të normave të Tij, çdo njeriu i jep mirësi. Pra do të ketë një vend tjetër ku do të shpërblehen të bindurit e do të ndëshkohen kryengritësit, me qëllim që të përmbushet drejtësia hyjnore.

Shumë tiranë e diktatorë vazhdojnë tiraninë e tyre deri në vdekje në këtë botë, e madje disa edhe varrosen me ceremoni. Drejtësia dhe urtësia Hyjnore kërkon që të ketë një vend ku ata të gjykohen siç e meritojnë.

Për çdo vlerë të kësaj bote e që ekziston në këtë botë, është vënë një njësi llogaritëse, një kriter ose etalon që të mund ta masë. Por jo për mendjen, shpirtin, ndjenjën, arsyen dhe përfundimet e tyre. Ne nuk kemi në dorë ndonjë kriter që të mund ta masë produktin e mendjes. Për shembull, mendjet e mëdha si Shekspiri apo Hygoi, Imam Gazaliu apo Bediuzamani nuk e kanë marrë dot në këtë botë produktin ose shpërblimin e mendjes së tyre. E le të mendojmë pastaj zgjuarsinë e një profeti. Për shembull, le të mendojmë produktet e mendjes dhe të ndjenjave transcendentale të profetit Muhamed (s.a.s.). Veçanërisht le të mbledhim bashkë ndjenjat e të gjithë profetëve dhe të mbajmë parasysh se për këta nuk është vënë ndonjë kriter apo peshore. Ky mendim dhe meditim do të na çojë ne në këtë përfundim: Do të vihet një peshore ku do të peshohen këto ndjenja! Po të mos bëhet këtu kjo, padyshim se do të bëhet në një botë tjetër!

“Ditën e kiametit, Ne do të ngremë peshoret e drejtësisë dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. Njeriu do të marrë shpërblimin e punës së tij edhe sikur ajo të jetë sa një grimcë. Ne mjaftojmë si llogarimarrës!” (Enbija, 21/47)

Njerëzit më të zgjedhur të Zotit, profetët, jetojnë në këtë botë mes brengave dhe vështirësish të mëdha. Drejtësia, Urtësia dhe Nderi i Allahut kërkon të ketë një vend ku ata të vlerësohen e të shpërblehen. E pikërisht kjo është jeta e Ahiretit.

Pesë shtyllat e besimit, së bashku me të gjitha provat e tyre, tregojnë dhe bëjnë të domosdoshme ekzistencën e ringjalljes dhe të botës së Ahiretit.

Kur ubej Bin Halef, këmbëngulës në mohim, duke i treguar Profetit tonë një kockë të thatë e pyet: “Këtë kush do ta ringjallë?” përgjigjen Profeti ja jep nga Kurani: “Kush i dha jetë në fillim, Ai do ta ringjallë.”

Zoti që na mësoi ruajtjen e trupit pa u prishur, nëpërmjet balsamimit dhe ruajtjen e pamjes e të zërit në videokaseta, a s’mund ta ringjallë njeriun pas vdekjes së tij? Zoti që e krijoi njeriun nga hiçi, a pyetet se si do ta ringjallë pasi të dekompozohet e të shpërbëhet?

Ndërkohë që Allahu ruan programin e një peme të madhe në një farë të vogël, a mund të dyshohet se nuk i ruan dot shpirtrat e trupat e atyre që vdesin?

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: