Agjëro që të arrish gradën e devotshmërisë
Të gjitha veprat e mira që bëjmë nuk janë gjë tjetër veçse mjet që na afrojnë më tepër te Zoti. Gjithsecila prej tyre ka një ndikim të veçantë në botën tonë shpirtërore, por edhe në atë fizike dhe psikologjike. Një nga adhurimet që ka ndikime të veçanta te njeriu në shumë aspekte të ndryshme, është edhe agjërimi. Ai lë te njeriu gjurmë të mëdha, të cilat nëse ruhen si duhet, mund të sjellin edhe ndryshimin e jetës sonë. Me anë të këtij adhurimi, besimtari dëshmon thellë se ai përzgjedh kënaqësinë e Zotit, para dëshirës së tij për të ngrënë apo nevojave të tjera fizike.
Por, çfarë është agjërimi? A është vetëm privim nga të ngrënit, të pirit dhe marrëdhënieve bashkëshortore, apo diçka më tepër sesa kaq? Në kuptimin e jurisprudencës, agjërimi nuk përmbushet pa u larguar nga tri elementët e lartpërmendur dhe sigurisht, ato janë bazat mbi të cilat qëndron ky adhurim. Por asgjë nuk mbaron këtu. Nuk është vetëm uria dhe etja ajo që duhet të fitojmë në fund të ditës, por diçka tjetër. Objektivi përfundimtar i agjërimit është të na bëjë të devotshëm. Askush s’mund të pretendojë ndonjë gradë të devotshmërisë vetëm me braktisjen e ushqimit e pijes, pa parë me kujdes aspekte të tjera të gjendjes së tij gjatë agjërimit.
Për ta kuptuar drejt këtë koncept, le të shohim se çfarë klasifikimi i bën Imam Gazaliu agjëruesve, duke i ndarë në një farë mënyre sipas përpjekjes dhe vetëdijes së tyre gjatë agjërimit. Braktisjen e pijes, ushqimit dhe dëshirave trupore, ai e quan si agjërim të përgjithshëm, apo agjërimin e masës së njerëzve. Kuptohet që uria dhe etja nuk janë qëllim në vetvete i agjërimit. Zoti ynë s’ka nevojë për këto gjëra dhe ai kërkon të na mësojë më tepër gjatë agjërimit. Profeti (a.s) ka thënë: “Ka shumë agjërues që s’përfitojnë nga agjërimi i tyre veçse uri dhe etje.” Këtu tregohet qartë se nuk është ndonjë arritje e madhe të qëndrosh larg ushqimit dhe t’i rezistosh atij gjatë ditëve të agjërimit. Mendja e besimtarit duhet të shkojë diku gjetkë; ç’kërkon të më mësojë Zoti im me këtë lloj adhurimi?
Gradën e dytë të agjërimit, Imam Gazaliu e quan si agjërim të gjymtyrëve. Ai këtu tregon qartë se bashkë me stomakun, duhet të agjërojnë edhe gjymtyrët e tjera duke përmendur; agjërimi i syve, i veshëve, i gjuhës, i duarve dhe i këmbëve. Këto gjymtyrë agjërojnë duke qëndruar larg të ndaluarave, me frikën se mos dëmtohet ky adhurim i veçantë. Madje, disa dijetarë mbanin qëndrimin se agjërimi prishet kur njeriu gënjen apo përgojon dikë. E gjithë kjo teori mbështetet qartë në hadithin e Profetit (a.s), ku ai thotë: “Kush nuk e lë gënjeshtrën dhe punën me të, Zoti s’ka nevojë që ai njeri të lërë ushqimin dhe pijen.” Këtu vihet theksi për një kujdes të veçantë për sjelljen tonë gjatë kohës që jemi me agjërim.
Në gradën e tretë, Imam Gazaliu përmend ata njerëz që agjërojnë me zemrën e tyre dhe këtë e sheh si gradën më të lartë të agjëruesve. Këtu i referohet atyre që nga ana shpirtërore ia kanë kthyer shpinën kësaj bote, nuk presin më gjë prej saj, por duan vetëm Zotin. Ata e pastrojnë zemrën nga çdo gjë tjetër, e drejtojnë atë vetëm drejt Atij dhe kështu vazhdojnë të agjërojnë. Njerëzit që janë në këtë gradë, e konsiderojnë agjërimin e tyre të pavlefshëm, nëse në zemër i kalon diçka tjetër veç Zotit.
Nga ky shpjegim i shkurtër, mund të shohim lehtësisht se agjërimi është një adhurim me karakter transformues dhe edukues. Qëllimi i tij është ndryshimi i sjelljes sonë, përgatitja për t’u bërë më të fortë dhe më të qëndrueshëm në rrugën e Zotit. Çdo besimtar, sipas nivelit të tij shpirtëror, duhet t’i përcaktojë vetes disa pika ndryshimi këtë Ramazan. Kjo bëhet duke përcaktuar qartë disa vese apo mangësi, duke punuar fort për largimin e tyre dhe më pas duke mos u kthyer më asnjëherë në të tilla mangësi. Gjithashtu, besimtari duhet të përcaktojë disa mangësi në adhurimet e tij dhe të punojë fort për mbushjen e këtyre hapësirave. Kështu, Ramazani na kthehet në një stinë përpjekjeje dhe planifikimi. Nëse e shohim në këtë kënd, atëherë ai do të jetë më i begatë për ne.