A ka ndonjë mënyrë për ta shtuar riskun që është përcaktuar për ne?

Risku dhe fitimi i tij është një prej shqetësimeve të përditshme të çdo njeriu. Të gjithë zgjohemi në mëngjes dhe nisemi drejt punëve tona, për të kërkuar atë që Zoti ka përcaktuar për ne. Sipas Islamit, risku është caktuar për njeriun që në kohën që ai është në bark të nënës dhe çdo njeri s’do të vdesë pa e marrë pjesën e përcaktuar për të nga risku. Kjo temë është bërë aq e njohur në fenë Islame, saqë proverba arabe thotë: “Nëse nuk e di adresën e riskut tënd, dije se risku e di adresën tënde.” Çështja e riskut është e garantuar nga Zoti dhe njeriu duhet të jetë i qetë për këtë gjë, sepse të gjitha pasuritë e botës janë në duart e Tij dhe Ai i ndan ashtu si dëshiron.

Në anën tjetër, feja nuk lë pa na nxitur që ne t’i plotësojmë të gjitha shkaqet për mbërritjen te risku ynë. Njeriu s’mund të ulet këmbëkryq dhe të presë ardhjen e riskut, me pretendimin se ai është caktuar prej Zotit. Sigurisht, ai është caktuar, por ne jemi të ngarkuar që ta kërkojmë atë në formën më të mirë të mundshme. Meqenëse jetojmë në këtë botë, e cila njihet sipas një emërtimi si “vendi i shkaqeve”, ne duhet të vihemi në kërkim të asaj që është përcaktuar për ne. Ajo që do të arrijmë të sigurojmë për veten dhe familjen, ka qenë pjesa jonë prej riskut dhe atë që nuk e marrim dot, domethënë s’ka qenë e caktuar për ne.

Teksa i marrim parasysh të dy aspektet e riskut, ku në njërën anë qëndron siguria se ai është garantuar për ne dhe në anën tjetër qëndron përgjegjësia jonë për ta kërkuar atë, ne s’duhet të anashkalojmë edhe disa elementë të cilët e begatojnë më tepër riskun tonë, e kësisoj e shtojnë atë. Njëri prej këtyre elementëve është kërkimi i faljes, apo siç njihet ndryshe “istigfari”. Po, njeriu mund ta shtojë pasurinë e tij dhe ta begatojë atë më tepër, duke kërkuar sa më shumë falje prej Zotit. Por, ç’është istigfari dhe cili është argumenti se me anë të tij shtohet pasuria jonë?

Istigfar do të thotë të kërkosh falje për të gjitha gjynahet e tua, qofshin të vogla apo të mëdha, të jashtme apo të brendshme. Besimtari përpiqet vazhdimisht të qëndrojë larg mëkateve të mëdha, por është e pashmangshme që ai të mos bjerë në disa gjynahe të vogla. Kjo është natyra njerëzore, njeriu shpeshherë rrëzohet dhe i duhet të çohet duke përdorur istigfarin. Një dijetar e kishin pyetur se cilit duhet t’i jepnin më tepër përparësi, kërkimit të faljes apo lavdërimit të Zotit? Ai iu përgjigj me një pyetje retorike, përgjigja e të cilës është shumë e qartë. Nëse do të kishe një rrobë të papastër, a do ta laje fillimisht për t’i pastruar njollat, apo do të nisje ta zbukuroje atë? Parë në këtë këndvështrim, istigfari është burimi ynë i vazhdueshëm i pastrimit dhe është një vepër të cilën ne duhet ta veprojmë në përditshmërinë tonë.

Profeti (s.a.s) ka thënë: “Kush është i vazhdueshëm në kërkimin e faljes, Allahu do t’i japë lehtësim për çdo vështirësi, do t’i japë rrugëzgjidhje për çdo problem dhe do ta furnizojë prej andej nga ai nuk e pret.” Në fund të hadithit theksohet qartë koncepti i shtimit dhe bekimit të pasurisë. Nëse je i vazhdueshëm në kërkimin e faljes, atëherë furnizimi do të vijë nga çdo drejtim i mundshëm. Profeti (a.s) na sugjeron që çdo ditë të kthehemi tek Allahu me pendim dhe kërkim falje. Së fundmi, nuk duhet harruar që koncepti i riskut është tepër i gjerë. Ai nuk kufizohet vetëm me gjërat materiale, të prekshme dhe të matshme, por shtrihet përtej tyre. Risk është shëndeti që gëzojmë, familja që kemi, besimi në zemrat tona dhe çdo mirësi që na vjen nga Zoti i gjithësisë. Atëherë, le të bëhemi prej atyre që falënderojnë për gjithçka Zoti i ka bekuar.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: