Thënie rreth diturisë
Hz. Aliu i tha nxënësit të tij Kumejlit: “O Kumejl! Dija është më e mirë se pasuria. Dija të ruan ty, ndërsa pasurinë duhet ta ruash ti. Dija është gjykuese, ndërsa pasuria e gjykuar. Harxhimi e pakëson pasurinë, dija shtohet duke e shpërndarë.”
Fetih el-Musuliu ka thënë: “A nuk vdes një i sëmurë nëse nuk ushqehet, nuk i jepet për të pirë dhe nuk kurohet? Edhe zemra kështu është, ajo vdes nëse për tri ditë rresht privohet nga dija dhe urtësia.”
Një person i privuar nga dija e ka zemrën të sëmurë dhe të vdekur. Përveç kësaj, nëse ai e do shumë këtë botë dhe është shumë i dhënë pas saj, e humbet të gjithë ndjeshmërinë.
Hasan Basriu ka thënë: “Boja e derdhur prej penës së dijetarit peshohet me gjakun e dëshmorëve dhe ajo rëndon më shumë se gjaku i tyre.” Për ajetin: “O Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër”, ai ka thënë se mirësia e dynjasë është dituria dhe adhurimi, ndërsa mirësia e botës tjetër është Xhenneti.
Siç tregohet, Llukmani i urtë i ka thënë djalit të tij: “O djali im! Qëndro bashkë me dijetarët. Mos u ndaj asnjëherë prej pranisë së tyre. Sepse Allahu, ashtu siç e ngjall tokën e vdekur me anë të shiut, i ngjall zemrat e vdekura me anë të urtësisë.”
Disa njerëz të urtë kanë thënë: “Kur vdes një dijetar qajnë zogjtë në qiell dhe peshqit në ujë. Ndoshta fytyra e tij harrohet, por përkujtimi i tij mbetet gjithmonë.”
Ihjau Ulumi’d-Din