Sadakaja e fitrit

Fitr” do të thotë “krijim, natyrë, mbyllje e agjërimit”, etj. Sadakaja ose lëmosha e fitrit quhet shkurt edhe “fitre”. Sadakaja e fitrit është një adhurim pasuror (material) që e kanë për detyrë ta zbatojnë myslimanët që zotërojnë pasurinë e quajtur nisab (përveç nevojave të përditshme) si dhe personat që kanë nën kujdestari, të cilët arrijnë bajramin e ramazanit.

Dhënia e sadakasë së fitrit, sipas hanefive është vaxhib, kurse sipas shkollave të tjera është farz. Sadakaja e fitrit quhet ndryshe edhe “zekat për kokë”. Ky emërtim niset nga fakti që sadakaja e fitrit është një përgjegjësi e mbështetur mbi personat (mbi numrin e personave të familjes të përbërë nga kryefamiljari ose kujdestari dhe personat që ka nën kujdestari). Kurse shkaku i konkludimit të sadakasë së fitrit si vaxhib, e shprehur teknikisht, është arritja e personit në ditën e parë të bajramit të ramazanit.

Në shumë hadithe, Profeti paqja qoftë mbi Të ka urdhëruar dhënien e sadakasë së fitrit. Një hadith profetik i rrëfyer nga Abdullah b. Omeri, është kështu: “I Dërguari i Allahut e ka caktuar sadakanë e fitrit 1 sá (masë) hurma dhe 1 sá elb për person (skllav, mashkull, femër, të madh, të vogël) dhe ka urdhëruar të jepet para se njerëzit të dalin për të falur namazin e bajramit (të ramazanit ose fitrit).

Një rivajet i ardhur nga Ebu Said el Hudri mbi këtë çështje, është kështu: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut, ne e jepnim fitren nga lëndët ushqimore në masën 1 sá. Lëndët tona ushqimore në atë kohë ishin elbi, rrushi i thatë, hurma dhe djathi pa yndyrë.”

Kurse në një hadith tjetër thuhet kështu: “Jepni sadakanë e fitrit për njerëzit që keni nën kujdestari!”

Sadakaja e fitrit është një adhurim që ka zënë vendin e vet në fé si një falënderim ndaj dhuntisë së jetës dhe trupit të favorizuar nga Allahu për personin dhe personat që ai ka nën kujdestari. Prandaj mbajtja e agjërimit nuk është kusht që sadakaja e fitrit të jetë ose të bëhet vaxhib. Edhe ata që s’mbajnë agjërim ose që s’munden të mbajnë agjërim e kanë vaxhib të japin sadakanë e fitrit.

Sadakaja e fitrit bart edhe kuptimin e falënderimit ndaj Allahut të Lartë që i bëri myslimanët, të cilët mundën ta plotësojnë atë vit adhurimin e agjërimit, të aftë për ta kryer këtë adhurim.

Në të njëjtën kohë, siç bëhet e ditur në hadithin profetik, për myslimanin që ka mbajtur agjërim, sadakaja e fitrit plotëson mangësitë e adhurimit të tronditur me sjellje që s’i kanë hije personit të agjëruar. Gjithashtu, sadakaja e fitrit siguron pjesëmarrjen e të varfërve në gëzimin e bajramit.

Veçanërisht, është thënë se dhënia e sadakasë së fitrit është pretekst për pranimin e agjërimit, për shpëtim, për lehtësimin e vuajtjeve të çastit të vdekjes dhe të varrit. Sadakaja e fitrit zbatohet nga personat përgjegjës në një kuadër shumë më të gjerë se zekati. Kështu, çdo njeri që ka mundësi për të dhënë sadakanë e fitrit, shijon kënaqësinë e dhënies së diçkaje në rrugën e Allahut, sheh dhe kupton më nga afër gjendjen e njerëzve nevojtarë në shoqëri. Nga ana tjetër, edhe njerëzve të varfër u zgjatet dora e ndihmës duke ua ruajtur nderin dhe duke mos i lënë të detyruar të kërkojnë. Kështu, mes individëve që jetojnë në të njëjtën shoqëri, ngrihet dhe funksionon edhe një urë tjetër vëllazërie dhe miqësie!

Postime të ngashme