Shpresa
Gjendemi në prag të një vargu ndryshimesh të mëdha dhe tejet serioze. Shoqërinë e kanë mbërthyer dhimbjet dhe u bë kohë që ajo përpëlitet syresh, megjithatë ajo është në pritje të lindjes së shumë gjërave të reja…
Masa të tëra, të cilat, për vite me radhë, janë larguar nga jeta e tyre e veçantë nën prangat e njëmijë e një paradokseve, jetojnë të shqetësuara dhe pa shpresë për atë se çfarë do të sjellë e ardhmja. Zemrave u mungon një ilaç… mendimet të varfëra… frymëzimet aspak të këndshme…
Këtyre masave, me një botë shpirtërore kaq të tronditur dhe me të ardhmen të mbuluar nga mjegulla e kaosit të shumëfishtë, shpirti u ka ardhur në majë të buzëve, gjunjët nuk u mbajnë më, ndaj presin që në zemrat e tyre të agojë një dritë e re.
Tanimë, gjëja më jetike dhe më e rëndësishme për shoqërinë njerëzore është pritja e apostullit, bashkë me të cilin shpresojnë se do të vijë jeta dhe lumturia, që të vijë me mesazhet e besimit dhe shpresës e t’i shpëtojë.
Shpresa, mbi të gjitha, është një çështje besimi. Njeriu që beson ka shpresë dhe sa ka besim, ka shpresë. Andaj, shumëçka që është fryt i besimit të shëndoshë, pandehet nga njerëzit si të jenë mishërim i vetë mrekullisë.
Në fakt, kur në një zemër lindin shpresa, vullneti dhe vendosmëria, të gjitha ato fenomene njerëzore, të cilat ne i konsiderojmë si normale, kapërcehen. Kurse ata që nuk kanë një jetë të kësisojtë në zemrat e tyre, e cilësojnë këtë si diçka që është avitur në kufijtë e së mbinatyrshmes.
Sidomos nëse njeriu ia ka dalë që ta zgjedhë saktë atë që beson dhe i është dedikuar asaj me gjithë zemër, atëherë aty nuk mbetet vend për mungesë të shpresës, pesimizëm apo fat të keq.
Individi arrin të ekzistojë për aq sa ka shpresë; falë saj ringjallet e tërë shoqëria, duke hyrë kësisoj në rrugëtimin e bukur të zhvillimit.
Ndërsa një individ, i cili e ka humbur krejtësisht shpresën, jo vetëm që ekzistenca e tij nuk mund të konsiderohet ekzistencë, por bashkë me të mund të themi se po paralizohet edhe një shoqëri e tërë.
Shpresë, do të thotë që njeriu të zbulojë shpirtin e vet dhe të ndijojë fuqinë e madhe që fshihet brenda atij shpirti.
Falë këtij ndijimi, ai arrin të krijojë lidhje me Fuqinë e Pashtershme të përtej gjithësisë, duke fituar kësisoj një forcë dhe fuqi që do të mjaftonte për t’ia arritur çfarëdolloj synimi.
Falë saj, thërrmija më e vogël mund të bëhet diell; pikla më e vogël e ujit një det i tërë; pjesa e tërë dhe shpirti të kthehet në një frymim të gjithësisë.
Shpresa e bëri të shkundej vendit Profetin Adem (alejhis’selam), në një kohë kur qiejt u nxinë, vullneti i tij u thye dhe shpirtin nisi ta ndiente jo më larg se buzët e tij, por ai u rilind duke thënë: “Unë i bëra padrejtësi vetes sime.”
Teksa djalli u vërtit në batakun e gjakut dhe plazmës së të qenit i pashpresë, derisa erdhi një çast dhe u mbyt në të…
Çdo hero i zemrës, rrugëtimin e tij e ka nisur duke mbajtur në dorë pishtarin e shpresës dhe me të u përball me tufanin, u kapërfyt me furtunat e njëpasnjëshme dhe u përplas frymë më frymë me dallgët.
Diku shpresa u bë për të farë e malit të “Xhudit”, diku “Kopshtije e Iremit”, diku u shndërrua në luginë, u bë edhe një njeri i shtrenjtë pranë Zotit dhe flamurtar i njerëzisë.
Por ka edhe një kohë kur gjithçka merr fund, beli i kombit përthyhet dhe krenaria copëtohet, kur besimi dhe shpresa marrin një trajtë legjendare.
Sipas gradës së besimit, ajo mund të kalojë nga njëra dorë në tjetrën dhe të përballet me mbarë gjithësinë; sikur pesëdhjetëmijë herë të përpiqen që ta thyejnë dhe t’ia prishin rehatinë, ajo vazhdon rrugëtimin pa u lëkundur; shfaq rreze të ekzistencës edhe në hiçmosgjë, për t’iu dhënë jetë shpirtrave të vdekura.
Le të lutemi për pak shpresë për këto zemra të privuara prej saj, posaçërisht në këto ditë kur njëmijë e një sytha të saj kanë nisur të buzëqeshin dhe njëmijë e një fara kanë filluar të presin rënien e shiut të ëmbël e të rrëmbyer të verës që të ujitë tokën…
Ai skllav berber, shpirtin e të cilit e kishin entuziazmuar shpresa dhe vendosmëria, po u sillte një nam të ri kolonave të Herkulit, duke u kthyer kësisoj në heroin legjendar të trevave të përtej detit.
Po njësoj, një komandant riosh i bërë rrufe prej shpresës, pati guxuar të luante me epoka të tëra dhe shumë të paktë kanë qenë ata njerëz që ia kanë dalë të arrijnë lartësive të tilla përgjatë historisë së njerëzimit.
Me shpresën ia dilet të çohen deri në fund edhe rrugët më të gjata; me shpresën kapërcehen dete të tëra gjaku dhe plazme dhe vetëm falë shpresës arrihet jeta dhe rendi i duhur dhe i përshtatshëm për të.
Ata që dalin të humbur në botën e shpresës, të humbur do të quhen edhe në praktikë. Ka sa e sa njerëz që ia nisin këtij rrugëtimi trimërisht dhe duke u mburrur për veten, të cilët kanë mbetur në gjysmë të rrugës për shkak të dobësisë së besimit dhe shpresës.
Në përballje me lëkundjen më të vogël, përballë edhe furtunës më të vogël, i merr rrjedha, duke ua thyer edhe atë pak vullnet dhe vendosmëri që mund të kenë. Po ata që janë lidhur fort pas tyre, me shpresë e besim, i ndjekin sërish, edhe në moçalishtën e pesimizmit dhe mbyten; kjo është një tjetër situatë e hidhur për çdo zemër.
Në të vërtetë, vështirë të ndodhë ndryshe me ata që nuk e kanë gjetur dot të vërtetën dhe nuk janë lidhur fort pas saj.
Ata që janë lidhur fort pas postit dhe pozitave, duke ua ushqyer atyre të gjithë shpresën e vet; që ia kanë falur zemrën pasurisë dhe arritjeve materiale, të cilët e kanë shkuar të gjithë jetën e tyre duke u ngushëlluar veç me disa gjëra të vogla e fare kalimtare, herët a vonë, do të shijojnë pashmangësisht humbjen e madhe.
Shpirt i rrallë është ai që dashurohet pas ngjyrës që nuk e njeh të zbehurin, pas dritës së pashuar dhe pas diellit pa perëndim; nata e të cilit ndriçon njëlloj me ditën dhe dita e tij është plot me ngjyra, sikur kopshtijet magjepsëse të Xhenetit.
Diejt lidhen dorë për dorë e hedhin valle në horizontet që nuk e njohin errësirën, teksa stinët i lënë vendin njëratjetrës, për të shpërfaqur panoramat më marramendëse dhe magjepsëse të krijimit.
Secili prej tyre, porsi ato pemët e moçme, të cilët e kanë hapur kraharorin e tyre në drejtim të qiellit, ndërsa rrënjët i kanë të futura thellë në zemrën e tokës; të cilin nuk e prekin as ashpërsia e borës dhe e breshërit, as e sqotës e as përzhitja përvëluese e rrufeve që shkëndijojnë njëra pas tjetrës.
Ata janë lidhur fort pas amshimit dhe të gjitha këto zemra plot shpresë nuk njohin as pranverë, as verë; as vjeshtë e as dimër, por e mbushin kraharorin me fruta, duke e plotësuar atë që pritet nga madhështia e tyre.
Të gjithë, si popull, kemi nevojë jo për këdo, por për udhërrëfyes që dinë të durojnë, pa u hidhëruar, që janë të vendosur e nuk heqin dorë nga vullneti i tyre, e që për mungesë të shpresës së të cilëve as që mund të mendohet.
Madje kemi nevojë për ta po aq sa ç’kemi nevojë për ujin, për bukën, për ajrin.
Kurse, kur vjen puna tek ata që e kanë nisur udhëtimin e tyre me një dëshirë shumë të madhe, por nuk kanë gjetur atë që u kërkonin dëshirat e tyre, ose kanë humbur shpresën, ose kanë ngritur krye ndaj Zotit; ata janë shumë shumë larg nga ne dhe ne jemi shumë shumë larg prej tyre.
Për rrjedhojë, zhvillimi i asgjëje që zë të ndodhë nën dritën e ditës nuk ka për të qenë ashtu siç e ka parashtruar filozofia e zënë erë e këtyre të ngratëve, apo ashtu siç e ka planifikuar gjeometria e tyre plot defekte dhe e prishur…!
Me lutjet e shpresës që një shpresë e re të lindë në zemrat e privuara prej saj, në këto ditë kur edhe toka e tharë është në pritje të shiut të verës që do t’u falë jetë njëmijë e një farave të shpresës që buzëqeshin…