Qëllimi i dërgimit te profetëve
1. ADHURIMI
Qëllimi i dërgimit të profetëve bashkohet në të njejtën pikë me qëllimin e krijimit të njeriut. Dhe kjo pikë qëndron në vijën që përcakton pozitën e njeriut si rob i Zotit, për rrjedhojë, adhurimin e Tij nga njeriu.
Allahu urdhëron kështu në Kur’an: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit vetëm për të më adhuruar!” (Kur’ani, Dharijat: 56).
Kjo do të thotë se qëllimi themelor për të cilin jemi krijuar, është ta njohim Zotin dhe ta kryejmë denjësisht detyrën e robit ndaj Tij. Nuk është të hamë e të pimë, të vëmë mall e pasuri e të bëhemi pronarë ndërtesash të dimensioneve të kësaj bote. Profetët na kanë ardhur për të na treguar këtë rrugë enigmatike. Në Kur’an bëhet fjalë për këtë specifikë: “Nuk pati të dërguar para teje që të mos i kemi reveluar: “Nuk ka zot tjetër përveç Meje, prandaj më adhuroni!” (Kur’ani, Enbija: 25).
Edhe në ajetin e mëposhtëm preket e njëjta specifikë duke e lidhur qëllimin e dërgimit të profetëve me urtësinë e largimit dhe ruajtjes nga idhujt si dhe kryerjes së rolit të prijësit të njerëzimit në udhën e adhurimit të Zotit:
“Ne i dërguam çdo populli nga një të dërguar me porosinë: “Adhuroni vetëm Allahun dhe largohuni prej djajve!” Allahu i orientoi një pjesë të njerëzve në rrugë të drejtë, por pati edhe prej atyre që u gjykuan me humbje. Udhëtoni, pra, nëpër botë dhe shihni sesi qe fundi i përgënjeshtruesve të së Vërtetës!”
(Kur’ani, Nahl: 36).
E veçanta e Profetit tonë
Kurse gjendja e Profetit tonë është më e veçantë. I dërguar si mëshirë për të gjitha botët, ai është i ngarkuar me detyrën për të futur në rrugën e adhurimit edhe njerëzit, edhe xhindët. Abdullah b. Mesud e përcjell kështu një ngjarje të jetuar nga ai vetë:
“Shkuam bashkë me Profetin diku. Pasi vizatoi një rreth përreth meje, më tha të mos largohesha prej aty, kurse vetë u largua. Më pas fillova të dëgjoja zhurma. Po shqetësohesha seriozisht se mos i kishte ndodhur ndonjë e keqe të Dërguarit të Allahut, por edhe nuk mund të lëvizja sepse ashtu më kishte porositur. Pas një farë kohe, Profeti u kthye. E pyeta për shkakun e zhurmës: “O i dërguari i Allahut, ç’ishin ato zhurma e ato të goditura?” Dhe ai m’u përgjigj: “Fisi i xhindëve më shprehu besimin dhe më dha fjalën. Pastaj filloi polemika midis tyre. Besimtarët dhe mosbesimtarët u grindën. Ajo ishte zhurma që dëgjove ti. Përveç kësaj, m’u lajmërua edhe vdekja.”
Me fjalët e tij të fundit, Profeti donte të thoshte se qëllimi i dërgimit të tij ishte hapja e rrugës së drejtë për xhindët dhe njerëzit. Fakti që atë ditë atij i kishin shprehur besimin dhe bindjen edhe xhindët, do të thoshte se qëndrimi i mëtejshëm i tij në botë s’kishte më kuptim.
Kështu mendonte ai dhe, përmes pohimeve të veta, zbërthente enigmën e synimit e të qëllimit të kumtesës profetike të tij. Në të vërtetë, ai na pati mësuar një lutje lidhur me çështjen e zgjedhjes mes kësaj bote dhe jetës së pasosur: “Zoti im, më mbaj gjallë për sa kohë jeta ime të jetë e dobishme për mua. Kur të vijë çasti që vdekja të më jetë më e dobishme, merrma shpirtin duke i dhënë fund jetës sime!”
2. SHEMBULL I BUKUR
Një tjetër specifikë që do ta quanim si qëllim të dërgimit të profetëve, është edhe që ata të bëhen një shembull i bukur për bashkësitë e tyre.
Në Kur’an Allahu thotë: “Ishin ata që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, prandaj edhe ti përshtatiu atyre!” (Kur’ani, En’am: 90). Duhet të na vërë në mendime fakti që edhe vetë Profetit tonë, pasi i përmenden profetët e kaluar emër për emër, i thuhet që të ecë në rrugën e tyre! Edhe neve kështu na bën zë Kur’ani: “I Dërguari i Allahut është një shembull i bukur për ata që shpresojnë shpërblimin e Allahut në Ditën e Ringjalljes, për ata që e përmendin shpesh Allahun.” (Kur’ani, Ahzab: 21)
Profetët janë për ne prijës dhe imamë. Ashtu siç i shkojmë pas imamit në falje, po ashtu veprojmë në përputhje me shembullin e Profetit edhe në çdo fragment të jetës. Sepse për ne, jetën e vërtetë ai dhe profetët e tjerë e kanë përfaqësuar. Ata që e patën përjetuar periudhën e parë të Islamit, e patën ndjekur Profetin milimetër për milimetër. Prandaj edhe ata si dhe pasardhësit e tyre patën pasur fatin të cilësohen si më poshtë nga Profeti i Dy Botëve. Profeti urdhëron e thotë:
“Do të vijë një kohë që një grup njerëzish do të luftojnë dhe atyre do t’u bëhet kjo pyetje:
– A ka midis jush që ta kenë parë të Dërguarin e Allahut?
– Po, – do të përgjigjen dhe pas kësaj atyre do t’u bjerë në pjesë fitorja.
Pastaj një grup tjetër njerëzish do të luftojnë dhe, gjithashtu, atyre do t’u bëhet pyetja:
– A ka midis jush që të ketë parë pasuesit e të Dërguarit të Allahut?
– Po, – do të thonë. Edhe atyre do t’u bjerë në pjesë fitorja.
Pastaj përsëri një pjesë njerëzish do të shkojnë në luftë dhe do të pyeten:
– A ka midis jush që të jetë shok me ata që i kanë parë pasuesit e të Dërguarit të Allahut?
– Po, – do të përgjigjen edhe ata. Pastaj atyre do t’u hapen portat e kalave dhe do t’u bjerë në pjesë fitorja.”
Në një hadith, porosi të tijën, Profeti ynë urdhëron: “Më të dobishmit e njerëzve janë ata që kanë jetuar të njëjtën kohë me mua. Pastaj pasardhësit e tyre dhe, më pas, pasardhësit e këtyre të fundit.” Me këtë ai kërkon të theksojë vlerën dhe virtytin e periudhave të afërta me periudhën e tij. Sepse njerëzit që patën jetuar në ato periudha, qenë sjellur shumë të ndjeshëm e të kujdesshëm për t’i përngjarë të Dërguarit të Allahut në jetë, në ndjenja e në mendime. Në të vërtetë, dëshira për t’i ngjarë atij njeriu që Allahu kishte zgjedhur si model, si shembull, duhet të përbënte një qëllim dhe ashtu ngjau.
Po, sahabet, pasuesit e Profetit; tabiinët, pasardhësit e pasuesve dhe tebe-i tabiinët, pasardhësit e këtyre të fundit, të gjithë këta, kanë qenë më të ndjeshmit në këtë çështje. Dhe në këtë aspekt, ata janë më të dobishëm se njerëzit që kanë jetuar në shekujt e tjerë. Hz. Mesihu thoshte: “Flamurët ndodhen në duart e shenjtorëve.” Me këtë fjalë ai aludonte për bashkësinë e Profetit tonë. Dhe ky ishte një vlerësim i madh. Në një porosi tjetër, i Dërguari i Allahut thotë: “Dijetarët e ummetit tim janë si profetët e të bijve të Izraelit.”
Ja njëri prej këtyre, Omeri, është shembulli më i goditur! Ai e pati pranuar plotësisht Profetin si një prijës dhe udhëzues për vete dhe gjithë jetën ia pati përngjasuar atij. Ishte njeriu i pashoq, trajta e jetesës së të cilit i përngjante plotësisht asaj të Profetit! Megjithëse i qenë hapur kat më kat dyert e Romës e të Bizantit, megjithëse popuj dhe sundimtarë pranonin t’i bëheshin skllevër, në jetesën e tij nuk pati ndodhur as ndryshimi më i vogël. Jerusalemi në kohën e tij ishte triumfuar; ai Jerusalem sot i mërzitur, i brengosur, i robëruar, njollë e zezë në ballin e botës Islame. Megjithëse ishte realizuar praktikisht pushteti ushtarak, priftërinjtë ngulmonin të mos i jepnin çelësat e qytetit duke thënë: “Nuk i japim sepse nuk e shohim midis jush atë fytyrë që duhet t’i marrë çelësat e qytetit…” Kur situata i njoftohet Kalifit Omer, ai niset për udhë. Meqë nuk kishte deve të vetën, merr hua një deve nga prona e familjes profetike dhe, duke u shkëmbyer rregullisht me shërbëtorin, shkojnë në Jerusalem. Për ironi të fatit, kur do të hynin në qytet, radha për të hipur në deve i takon shërbëtorit. Pavarësisht nga këmbëngulja e shërbëtorit, kalifi zbaton radhën, e hip këtë të fundit në deve, merr kapistrën në dorë dhe ashtu hyjnë në qytet…
Ata që e shohin këtë pamje, shkrijnë në çast si qiriu dhe thonë: “Ja, ky është njeriu që përmendet në librat tanë!” Dhe ia dorëzojnë çelësat e qytetit!
Ai Omeri i madh shtrihej i sëmurë nga plagët e hanxharit të një iranasi adhurues të zjarrit. E nxirrte çdo gjë që hante e pinte, s’bënte zë e rrinte indiferent ndaj zërave. Kur shërbëtori vinte për ta pyetur nëse donte të hante a të pinte gjë, ose nuk i jepte përgjigje, ose i përgjigjej negativisht vetëm me vështrim. Kurse kur e lajmëronte me fjalët “O emiri i muslimanëve, është koha e namazit!”, i përgjigjej në çast: “Ja, po ngrihem. Kush e lë namazin, s’ka pjesë nga Islami!” Dhe ashtu, me plagë të përgjakura ngrihej e falej.
Vepronte kështu, sepse kështu kishte parë te i Dërguari i Allahut. Do t’i përshtatej atij, do të vepronte si ai, do t’i përngjante atij dhe, kështu, do të bëhej shembull për pasardhësit.
3. SIGURIMI I DREJTPESHIMIT BOTE – AMSHIM
Profetët kanë ardhur për të realizuar drejtpeshimin botë – amshim.
Me drejtpeshimin e sjellë prej tyre do të shpëtonte njeriu nga qëndrimet ekstremiste të indiferencës dhe teprimit dhe do të gjente kahjen e duhur. Po, as tërheqje nëpër manastire duke braktisur çdo gjë të kësaj bote siç bëjnë priftërinjtë dhe murgjit, as dhe shtënie me gjithçka duke u bërë skllav i saj, por gjetje e udhës së mesme dhe një jetesë e tillë që, në vetvete, është një meritë që mund të shtihet në dorë vetëm nën ndriçimin e revelacionit hyjnor. Sa për mendjen dhe ndërgjegjen, me këto nuk mund të arrihet një drejtpeshim i tillë. Veçanërisht me shkencat abstrakte nuk mund të ngjitet njeriu në një nivel të tillë.
Kur’ani e karakterizon kështu këtë drejtpeshim: “Dhe me ato që të ka dhënë Allahu, kërko të fitosh botën tjetër pa lënë mangut atë që të takon nga kjo botë. Dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty e mos syno për të këqia, se Allahu nuk i do ata që shkaktojnë të këqia e çrregullime në tokë.” (Kur’ani, Kasas: 77)
Në njërën anë të peshores së këtij drejtpeshimi hyjnor ndodhet e vërteta “Me të mirat që të dha Zoti, trego (udhëzo)” (Kur’ani, Duha: 11), kurse në tjetrën anë ndodhet ajeti “…atë ditë do të pyeteni për të gjitha të mirat e kësaj bote” (Kur’ani, Tekathur: 8) me shprehjen e tij paralajmëruese. Ja, brenda këtyre kritereve do të ruhet drejtpeshimi!
Hz. Ebu Bekri e pati shpenzuar tërë pasurinë për Allahun. Sepse besnikëria këtë e kërkonte. Në kohën e hilafetit të tij, një ditë, i patën dhënë një gotë me ujë të ftohtë, e pati pirë dhe, pastaj, papritmas, pati nisur të qante me ngashërim, aq sa i kishte bërë edhe të tjerët të qanin. Pastaj e patën pyetur për shkakun dhe u qe përgjigjur kështu: “Një ditë kur isha bashkë me të Dërguarin e Allahut, m’u duk sikur shtynte diçka me duar sikur të donte t’i thoshte “Largohu prej meje, qëndro larg meje…” E pyeta: “O i Dërguari i Allahut! Diçka po largon me duar, por unë s’po shoh gjë…” Dhe ai urdhëroi e tha: “Përballë m’u shëmbëllye bota me tërë shkëlqimin e saj duke më kërkuar që ta pranoja, kurse unë i thashë të qëndronte larg meje. Duke u tërhequr tutje për në një breg, po më thoshte: “Edhe nëse ti shpëton prej meje, të betohem se ata që do të vijnë pas teje, nuk do të munden të shpëtojnë nga dora ime!” Edhe unë qava se m’u duk sikur bota më bëri për vete me këtë gotë uji të ftohtë!”
Po, ai dhe të tjerët si ai, megjithëse i kishin mundësitë të bënin një jetë të qetë e të begatë, patën jetuar vazhdimisht një jetë të matur, sepse ashtu kishte jetuar shembulli i tyre, ai Shembulli i Përgjithshëm, ai Udhëzuesi i Përsosur!
4. MBYLLJA E DERES PRETENDIMEVE
Profetët janë dërguar që Ditën e Gjykimit njerëzit të mos kenë asnjë pretendim ndaj Providencës Hyjnore.
Një ajet-argument i Kur’anit e shpjegon kështu këtë specifikë: “Dërguam pejgamberë myzhdedhënës dhe paralajmërues në mënyrë që pas tyre njerëzit të mos kishin pretendime para Allahut. Allahu është Sovran dhe i Gjithëditur!” (Kur’ani, Nisa: 165).
Përjashtuar profetët, liderët e tjerë rregullisht nuk kanë mundur t’i bëjnë masat t’u besojnë. Edhe në qoftë se i kanë bërë, meqë mesazhet dhe propozimet e tyre kanë qenë të mangëta nga mbështetja hyjnore, me asnjë mesazh, me asnjë fjalë dhe me asnjë sjellje nuk kanë mundur ta kapërcejnë njerëzoren dhe mjedisi i tyre me kohë është shpërndarë si gjethet e zverdhura në vjeshtë…
Kurse prijësia e profetëve nuk është e tillë. Ashtu siç thamë edhe më parë, ata janë njerëz të porositur. Ata janë pejgamberë qysh në mitrën amësore. Jetesa e tyre është harmonike si muzikë, po ashtu edhe të folurit e tyre pothuaj si një poezi! Kur flasin ata, qenia e tërë ngreh veshët dhe i dëgjon. Sa e sa ngjarje e dukuri ndërrojnë ecuri me ardhjen e tyre dhe sa e sa ndjesi lidhen pas tyre. Ligjet efektive në gjithësi disa herë për hir të tyre nuk funksionojnë dhe disa herë ndërrojnë funksion me dëshirën e tyre…
Me ardhjen e Të Dërguarit të Allahut materja kishte fituar kuptim dhe kishte dalë nga gjendja e të qenit kaos. Me gjuhën e Kur’anit ai thoshte “…nuk ka asnjë send që të mos e madhërojë Atë, por ju s’e kuptoni (sepse s’është në gjuhën tuaj)…” (Kur’ani, Isra: 44) dhe me këtë sikur i frynte shpirt e jetë çdo qenieje.