Ç’është nijeti dhe si ta kuptojmë procesin e tij brenda nesh?

Nijeti është një prej temave që diskutohen para se të diskutohet çdo gjë tjetër. Ai i paraprin çdo pune, vepre që ne bëjmë dhe si i tillë përcakton edhe përfitimin që do të kemi nga ajo vepër. Profeti (a.s) ka thënë: “Padyshim që punët janë sipas qëllimit të tyre dhe çdokush do të marrë atë që kishte për qëllim.” Në gjuhën shqipe fjalën nijet e përkthejmë si qëllim, synim, apo edhe vendim. Të gjitha këto kanë të bëjnë me një gjendje tonën psikologjike dhe shpirtërore para se të kryejmë një vepër të caktuar. Nijeti lidhet shumë me vendimet që ne marrim çdo ditë të jetës sonë, prandaj kuptimi se si funksionon ky proces mund të na ndihmojë që të marrim vendime më të mira në jetë.

Çdo gjë fillon nga një mendim. Para se të marrim një vendim të caktuar, ai në fillim ka qenë veçse një mendim. Mendimet janë disa llojesh si; engjëllore, djallëzore dhe egocentrike. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të klasifikojmë mendimin që na vjen në kokë dhe më pas të marrim masat e caktuara. Mendimet engjëllore janë shtysë për të bërë vepra të mira dhe lënë pas një gjendje qetësie te njeriu. Këto mendime duhet të hidhen edhe në praktikë. Mendimet djallëzore janë një thirrje për vepra të këqija dhe lënë pas paqëndrueshmëri në gjendjen tonë shpirtërore. Mendimet egocentrike kanë të bëjnë me indicien për të ndjekur dëshirat e ulëta të vetes dhe kanë karakterin që të jenë përsëritëse.

Këto kanë qenë arsyet që i kanë shtyrë shumë njerëz të lartë që të merren në mënyrë specifike me mendimet e tyre dhe t’i dallojnë me lehtësi ato. Tani do të jeni në gjendje të klasifikoni mendimet që ju vijnë në kokë dhe të dini reagimin në çdo situatë të caktuar. Në fazën e dytë të marrjes së një vendimi vjen ajo që quhet prirje, anim kah diçkaje të caktuar. Pasi na vjen një mendim çfarëdo në kokë, pas tij vjen edhe prirja, animi drejt tij, apo duke u larguar nga ai.

Animi ynë kah diçkaje është i varur drejtpërdrejt nga natyra e nefsit (shpirtit) tonë. Nëse e kemi pastruar atë, ai do të anojë lehtësisht nga mendimet engjëllore dhe do të largohet po aq shpejt nga ato djallëzoret dhe egocentriket. Nëse shohim që në këtë fazë kemi vështirësi dhe ndonjëherë anojmë në formë të natyrshme nga mendimet e këqija, atëherë duhet bërë një përpjekje e vazhdueshme (muxhahede) për të arritur gradën e pastërtisë së vetes. Njeriu vazhdon të mos jetë përgjegjës për dy fazat e para, përderisa ai e ende nuk ka ndërmarrë vendimin për të bërë diçka.

Faza e tretë e marrjes së një vendimi njihet si gjykimi i mendjes. Në dy fazat e para çdo gjë ishte e lidhur me anën emocionale, ose me gjëra që njeriu nuk i ka gjithnjë në kontroll. Tani është radha e mendjes për të dhënë gjykimin e saj rreth mendimit dhe prirjes sonë drejt atij mendimi. Që mendja të japë gjykim të saktë, ajo duhet të jetë e mbushur me diturinë e shenjtë. Ajo duhet ta njohë mirë të lejuarën, të ndaluarën dhe gjendjet e tjera të një çështjeje të caktuar. Në këtë fazë kuptojmë rëndësinë e të lexuarit, mësuarit dhe kërkimit të diturisë fetare.

Në fazën e katërt dhe të fundit arrijmë tek ajo që njohim të gjithë, nijeti ose marrja e vendimit. Pasi në qenien tonë ndodhin në një kohë shumë të shpejtë, ndonjëherë pa e ndier aspak tri fazat e mësipërme, ne arrijmë tek ajo më e rëndësishme, përzgjedhja për ta bërë diçka të caktuar. Kjo është faza ku ne fitojmë ose humbasim diçka prej shpërblimit. Nëse zgjedhim ta bëjmë të mirën, do të fitojmë shpërblimin, por edhe kur nuk arrijmë ta bëjmë, fitojmë shpërblimin e nijetit. Në anën tjetër, kur e bëjmë të keqen, na shkruhet sa një e keqe dhe kur e vendosim ta bëjmë e më pas heqim dorë, na shkruhet si një e mirë.

Njohja me procesin e nijetit, marrjes së vendimeve, mund ta ndryshojë tërësisht jetën tonë. Duke njohur me detaje këto faza, mund të jemi më të kujdesshëm kur hedhim një hap para për të vepruar. E gjithë dita jonë është e mbushur me vendimet të panumërta. Qëllimi i gjithçkaje është marrja e sa më shumë vendimeve pozitive dhe kësisoj afrimi më tepër me Zotin e gjithësisë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: