Perandori Romak dhe Abdullah ibn Hudhafe r.a

Në vitin e nëntëmbëdhjetë të hixhretit Omeri r.a. dërgoi një ekspeditë ushtarake për të luftuar kundër romakëve, në mesin e të cilëve ishte edhe Abdullah ibnu Hudhafe Es‑Sehmi`ju r.a. Cezari ishte informuar për motivacionin dhe moralin e lartë, me të cilin njiheshin ushtarët myslimanë, si dhe besimin e madh që kishin ata në luftën e tyre në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Cezari i urdhëroi ushtarët e tij që nëse e zënë rob ndonjë ush­tarë mysliman, t’ia sjellin të gjallë. Deshi Allahu xh.sh që Abdu­llah ibnu Hudhafe r.a të zihet rob dhe të bjerë në duart e romakëve. Ushtarët e dërguan te perandori i tyre dhe i thanë: “Ky është njëri prej sahabëve të parë të Pejgamberit a.s, me duart tona e zumë rob dhe ua sollëm juve.”

Perandori romak e shikoi gjatë Abdullah ibnu Hudhafen e pastaj tha:
– Unë të ofroj ty një gjë.
Abdullahu pyeti:
– Ç’është ajo?!
Perandori iu përgjigj:
– Të ofroj të bëhesh i krishterë. Nëse e pranon këtë, do të lë të lirë dhe do të nderoj me çfarëdo pozite të duash.

Abdullahu iu përgjigj me krenari dhe me vendosmëri:

– Larg asaj! Vdekja për mua është një mijë herë më e dashur se ajo që më ofron!
Cezari ia ktheu:
– Unë po shoh se je njeri i mençur. Nëse më përgjigjesh në atë që të ofrova, do të jesh pjesëmarrës në konzën time dhe do ta ndajmë së bashku pushtetin.
Abdullahu i lidhur me pranga buzëqeshi dhe tha:
– Të betohem në Allahun se, sikur të ma dhuroje tërë pasurinë tënde dhe tërë pasurinë që kanë arabët, me qëllim që ta braktis fenë e Muhammedit a.s, për aq sa vetëm njëherë lëviz syri, nuk do ta bëja kurrë.
Kur e pa kokëfortësinë e tij, Perandori i tha:
– Atëherë do të të vras.
Abdullahu ia ktheu:
– Bëj ç’të duash!
Perandori urdhëroi që të kryqëzohet dhe i tha xhelatit në gju­hën romake:
– Hidheni afër duarve të tij! I ofronte atij të bëhej i krish­te­rë, mirëpo ai refuzoi.
Atëherë i tha:
– Hidheni afër këmbëve të tij. I ofronte ta braktiste fenë e vet, por ai prapë e refuzoi ofertën.
Perandori urdhëroi të heqin dorë prej tij. Kërkoi prej xhelatit ta zbre­së nga dërrasa e kryqëzimit. Pastaj kërkoi t’i sjellin një vorbë të madhe, të cilën e mbushën me vaj dhe e vunë mbi zjarr derisa vloi. Pastaj i mori dy myslimanë të zënë robër dhe urdhëroi që njëri prej tyre të hidhet në të. Për një çast i tërë mishi iu shkri dhe iu panë eshtrat.
Perandori iu drejtua Abdullah ibnu Hudhafes r.a dhe i ofroi përsëri të bëhet i krishterë, por këtë herë refuzimi i tij ishte edhe më i fu­qi­shëm se herëve të tjera.
Pasi humbi çdo shpresë se do ta braktiste fenë islame, urdhë­roi ta hidhnin në vorbën e mbushur me vaj të vluar, në të cilin gje­ti vdekjen shoku i tij mysliman. Në momentin kur e morën ta hidhnin në të, i lotuan të dy sytë. Njerëzit e Cezarit e vërejtën këtë dhe i thanë: “Abdullahu po qan.” Perandori mendoi se ai po qan nga frika se po i dhimbsej jeta, prandaj urdhëroi e tha:
“Kthejeni tek unë!” Kur ia sollën përpara, i ofroi të bëhet i krish­ter, por Abdullahu r.a përsëri refuzoi.
Atëherë, Perandori e pyeti:
– Medet për ty. Ç’është ajo që të shtyu të qash?!
Abdullahu u përgjigj:
– Ajo që më bëri të qaj ishte se thashë me vete: “Të hedhin në këtë vorbë dhe të del shpirti. Do të dëshiroja që të kem aq shpirtra sa është numri i qimeve në trupin tim dhe të gjithë ata të hidhen në këtë vorbë, në rrugën e Allahut.
Diktatori, atëherë i tha:
– A don ta puthësh kokën time e të të liroj?!
Abdullahu iu përgjigj:
– Me kusht që t’i lirosh edhe të gjithë ushtarët myslimanë të zë­në robër.
Cezari u përgjigj:
– Po, do t’i liroj dhe myslimanët e zënë robër.
Abdullahu tregon:
Thashë me vete: “Ta puth kokën e njërit prej armiqve të myslimanëve dhe të lirohem unë dhe të gjithë myslimanët e zënë robër, ky ndoshta nuk është mëkat i madh për mua.
Pastaj iu afrua atij dhe ia puthi kokën. Atëherë, perandori ro­mak dha urdhër që të tubohen të gjithë myslimanët e zënë robër dhe të lirohen.

Pas lirimit nga robëria, Abdullahu shkoi te Omer ibnul Hattabi r.a. dhe i lajmëroi për këtë, Omeri u gëzua shumë. Pasi i shi­koi robërit, u tha:
– Është detyrim i çdo myslimani ta puthë kokën e Abdullah ibnu Hu­dha­fes dhe unë filloj i pari.
Pastaj u ngrit dhe ia puthi kokën…

 

Postime të ngashme