Agjërimi i kujton njeriut takimin me Zotin

Çdo orë, çdo minutë dhe çdo sekondë e atij që agjëron është e çmuar sepse ia kujton atij të mirat dhe dhuntitë e Allahut dhe të mirën më të madhe për nga përfundimi, bashkimin me Allahun. Këtë funksion të tij, agjërimi e kryen në dy mënyra. Këtë mund ta përmbledhim kështu: me perëndimin e kënaqësive (tokësore), dëshirë për kënaqësi që s’do të kenë të perënduar dhe kënaqësi tjetër që vjen me perëndimin e dhimbjeve. Edhe nëse njeriu që rri nga mëngjesi në mbrëmje i uritur e i etur, vuan në dukje, frytet shpirtërore që ka për t’i sjellë adhurimi i agjërimit e bëjnë t’i harrojë dhimbjet dhe vuajtjet në dukje. Gjatë gjithë ditës, agjëruesi mendon bashkimin me Zotin e vet për hir të të cilit ka braktisur epshet, ngrënien e pirjen. Falë të këtij mendimi, të gjitha fakultetet jetësore zhvillohen në kuadrin e orientimit në rrugën e drejtë. Edhe Profeti ynë ka thënë: “Për atë që agjëron, ka dy kohë qetësuese: e para, koha e iftarit kur çel agjërimin dhe e dyta, koha kur do të takohet me Zotin e vet!”

Agjërimi e lartëson njeriun në nivel engjëllor

Te njeriu ka dy aspekte: aspekti engjëllor dhe aspekti shtazor. Kur njeriu ecën në kahje të kundërt me ndjenjat shtazore, e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se aspekti engjëllor i zhvillohet, kurse aspekti shtazor i dobësohet. Njeriu është krijuar nën engjëjt dhe mbi gjallesat e tjera. Ndërkaq, Allahu e ka pajisur njeriun me mundësinë dhe aftësinë për t’iu përshtatur cilësdo pike të një vije që shtrihet nga pozita më e lartë gjer poshtë e më poshtë. Për rrjedhojë, njeriu herë-herë e kapërcen botën e engjëjve duke i lënë pas ata si gradë, kurse herë-herë struket në një vend nën djajtë. “Ne njeriun e krijuam në formën më të bukur. Pastaj e hodhëm atë poshtë e më poshtë. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira. Për ta ka një shpërblim të pasosur!”

Njëra nga veçoritë që e dallon njeriun nga engjëjt është se njeriu ka ego. Te engjëjt s’ka gjëra të tilla, si ngrënie-pirje, martesë, kundërshtim të Allahut, etj. Si domosdoshmëri e krijimit të tyre, engjëjt janë qenie të pafajshme, janë qenie që merren vazhdimisht me madhërimin dhe adhurimin e Allahut. “Ata nuk flasin para Tij, ata lëvizin e veprojnë me urdhër të Tij. Allahu e di se ç’kanë ata para e ç’kanë lënë pas. Ata nuk ndërhyjnë për faljen e dikujt tjetër veç atyre për të cilët dëshiron Allahu dhe dridhen nga frika prej Tij!” Kurse njeriu mund ta vazhdojë jetën vetëm me të ngrënë e me të pirë. Mundësia që njeriu të kundërshtojë Zotin, që të bëjë gabim, ekziston gjithmonë. Por sa për njeriun që agjëron, ai, duke mos ngrënë e mos pirë nga mëngjesi në mbrëmje, duke e zotëruar epshin, duke u shmangur nga përfolja dhe padrejtësia ndaj të tjerëve, fiton pothuajse një cilësi engjëllore. Madje, me këto sjellje e qëndrime, ai i lë pas engjëjt. Zoti krenohet para engjëjve me rob të tillë të Tij, ua tregon engjëjve si shembull!

Postime të ngashme