Njeriu që mbante mbi supe Xhenetin

Kur u takova me të moshuarin që e donin më shumë në lagje, bisedova pak me të dhe i thashë:

– Bëni dua për mua, gjysh! E gjithë bota sikur është mbi supet e mia.

Me duart që i dridheshin më tërhoqi veshin e më tha:

– Në krahasim me ata që mbajnë në supe Xhenetin, s’kanë ç’të thonë ata që mbajnë botën.

Dhe si i tha këto fjalë, më tregoi se ku mund ta gjeja atë njeri që mbante mbi supe Xhenetin.

Personi për të cilin më foli plaku, ishte një i ri që banonte në fshatin pranë dhe që vinte të premteve në qytet. Me sa më shpjegoi i moshuari, kohët e fundit vinte shpesh në të njëjtën ndërtesë dhe nuk e lëshonte nga supet ngarkesën e bekuar, qoftë edhe për një çast.

Kur erdhi e premtja, prita në vendin ku më tha plaku. Ky vend ishte kati i sipërm i një ndërtese në qendër. Pasi prita një copë herë në korridorin ku ishin dyert e zyrave, dëgjova nëpër shkallë hapat e dikujt. Isha shumë kureshtar, pashë poshtë shkallëve dhe vura re njeriun që mbante mbi supe Xhenetin. Ishte shumë i dobët. Dhe me të ëmën mbi supe, mundohej të ngjitej në klinikën e doktorit, e cila ndodhej në katin e pestë të ndërtesës, që si gjithmonë e kishte të prishur ashensorin. E ëma e djaloshit i kishte hedhur në qafë krahët e saj të pafuqishëm dhe fytyrën e mbështjellë me shami e kishte kthyer mënjanë dhe e kishte mbështetur në supe.

Pata frikë se ngarkesa e shtrenjtë që mbante mbi supe mund të shqetësohej, prandaj dhe nuk e ndihmova dot. Por iu afrova dhe i thashë:

– Allahu qoftë i kënaqur prej teje! A e di që po mban mbi supe Xhenetin?!

Fytyrën e zbehtë dhe të djersitur të djaloshit e ndriçoi një buzëqeshje e ngrohtë, por nuk foli asnjë fjalë. Ama Allahu e di se në atë buzëqeshje kishte një ngrohtësi dhe bukuri që nuk e kam parë tek askush tjetër gjatë gjithë jetës sime.

Këtë kujtim, të cilin e përjetova në fillimin e viteve ‘90, e shkrova me dëshirën e vëllezërve të mi. Dhe që prej asaj dite, kur shoh dikë që i shërben nënës apo babait të vet, gjithmonë më kujtohet ai djalë i lumtur, sigurisht bashkë me fjalët e Profetit tonë që thotë: “Çuditem me ata njerëz që e kanë nënën e babanë të plakur e që nuk e fitojnë Xhenetin!”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: