Dua t’i mësoj fenë djalit tim 8-vjeç, a bëj gabim?
Jolanda, 35, Shkodër
Pyetje
Pyetja ime është në lidhje me djalin tim 8 vjeçar. Unë kam dëshirë t’i mësoj fenë por shoqet dhe im shoq më thotë se është shumë herët. Kur i duhet mësuar fëmijëve adhurimi?
Përgjigje
Në kohët kur fëmija është i rrethuar me shumë informacion dhe me sprova të shumta të cilat e tërheqin çdo ditë e më shumë, është e rëndësishme që edukimi fetar të jepet sa më i shëndoshë dhe në kohën e duhur. Neglizhimi i kësaj teme sjell jo rrallë probleme të pakapërcyeshme në familje. Veset e këqija, shoqëria jo e përshtatshme etj., në shumicën e rasteve vijnë për shkak të injorimit të edukimit fetar në familje. Edukim ky që duhet të fillojë në moshë shumë të hershme por në mënyrën e duhur. Profeti Muhamed(a.s) na porosit që t’ua mësojmë namazin fëmijëve duke filluar nga mosha shtatë vjeçare.
Deri në atë moshë, pra shtatë vjeçare, fëmija i kupton gjërat me mënyrën e tij duke ndjekur dhe vëzhguar veprat që kryejnë prindërit. Ajo që i ngel një prindi shembullor është “ta marrë për dore” dhe t`i shpjegojë ato që ka parë, në disa raste ta nxisë, në rastet e duhura ta paralajmërojë. Pra nëse deri në një moshë të caktuar është e rëndësishme tregimi me vepra (një prind që falet, që pasqyron jetën e një besimtari të drejtë), pas një kohe të caktuar duhet shpjeguar çdo gjë sipas logjikës dhe nivelit psikologjik të fëmijës.
Fëmija, për disa në moshën gjashtë vjeçare, për disa tetë dhe maksimumi dhjetë vjeçare duhet të njihet me madhështinë e Allahut. Për të arritur këtë prindi duhet ta respektojë fëmijën si një person madhor dhe me një kujdes të madh, me zellin dhe durimin e një pejgamberi duhet të fillojë të përgatisë fëmijën e tij në mënyrë që ai të fillojë adhurimin dhe ta zbatojë atë. Edhe përpjekjet për ta mësuar fëmijën të fillojë adhurimin, kërkon po të njëjtin seriozitet.