Tre fëmijët që kanë folur që në djep

I pari prej këtyre është i biri i Merjemes, Isai (a.s).
I dyti është një fëmijë i vogël i cili ka folur përballë një murgu me emrin Xhurejxh nga Beni Israilët.
Ky ishte një person i cili bënte shumë adhurim, e kishte mbyllur veten e tij në manastir duke u larguar nga bota e jashtme dhe ishte bërë një murg.
Një ditë prej ditësh nëna e Xhurejxhit vjen në manastir dhe e thërret të birin e saj. Në këto momente ai ishte duke u falur dhe mendon në namaz dhe thotë: O Zot çfarë të bëj të vazhdoj namazin apo t’i përgjigjem nënës? Pastaj vendos që të vazhdojë namazin dhe kështu bën. Nëna pasi nuk merr përgjigje kthehet mbrapsht. Kështu vazhdon tre ditë rresht dhe ditën e tretë e mallkon të birin e saj duke thënë: “O Zot mos ma merr shpirtin pa e shikuar djalin të sprovuar nga gratë.”
Një ditë prej ditësh një grua e përdalë e cila ishte e njohur ndër njerëz dëgjon për Xhurejxhin dhe shkon te ai, i propozon atij të kryejnë imoralitet, por ai pa e parë fare i kthen shpinën dhe shikon punën e tij. Në këto momente gruaja e cila kishte dashur të kryente marrëdhënie seksuale, për shkak se ishte refuzuar shkon me bariun e manastirit dhe ngel shtatzënë dhe lindi një djalë.
Gruaja e përdalë u thotë njerëzve të tjerë që djalin e kishte me murgun Xhurejxh. Pasi dëgjojnë këto fjalë populli mblidhet te manastiri ku gjendej murgu dhe kështu filluan ta shembin atë. Në ato momente del Xhurejxhi pa kuptuar gjë se çfarë po ndodhte, njerëzit nga inati filluan ta godisnin dhe atë për arsye se mendonin që ai i kishte mashtruar ata.
Xhurejxh i kthehet atyre duke i thënë: “Çfarë keni, pse po silleni kështu, çka ndodhur me ju?” Ata i thanë ti ke kryer marrëdhënie me këtë grua të përdalë dhe ke një djalë me të.
Më sillni djalin thotë ai dhe pasi fali dy rekate namaz, merr djalin në krahë dhe pasi e prek në bark, e pyet se cili është babi yt?
Djali i vogël i cili akoma nuk mund të fliste, i përgjigjet: babai im është filan bari!
Pasi shikojnë këtë gjendje njerëzit të cilët më parë shkuan të shembnin manastirin e tij, kërkuan prej tij që ta ndërtonin prej ari, por ai refuzoi duke i thënë se mjafton prej balte ashtu siç ishte.
Tregon Profeti (a.s) se një foshnje tjetër që ka folur që në djep ishte duke pirë qumësht nga nëna e tij dhe në këto momente nëna e tij shikon një kalorës të pashëm, madhështor dhe me autoritet dhe lutet; O Zot bëje djalin tim të madhërishëm si ky person! Pasi dëgjon këtë foshnja e lëshon gjirin e nënës dhe shikon drejt kalorësit që po kalonte dhe i lutet Zotit; “O Zot mos më bëj mua si ky person!” dhe përsëri fillon të pijë qumësht nga nëna e tij.
Më pas aty në atë vend kalon një robëreshë e cila ishte kapur nga disa burra dhe po e rrihnin, duke i thënë se kishte vjedhur dhe kishte kryer imoralitet, por ajo nuk thoshte gjë tjetër veçse
‘Hasbijallahu ve ni’mel uekil’ Allahu më mjafto mua sa mbështetës i mirë është Ai.
Kur nëna shikon gjendjen e kësaj gruaje lutet duke thënë; O Zot mos e bëj djalin tim si kjo grua, mos e bëj atë të përçmuar në sytë e njerëzve! Foshnja e vogël përsëri pushon së piri nga gjiri i nënës dhe shikon drejt robëreshës.
Ai lutet “O Zot më bëj mua si kjo robëreshë!
Në këto momente fillon biseda mes foshnjës dhe së ëmës. Nëna e habitur nga kjo ndodhi që kishte ndodhur fillon të pyesë djalin e saj se ç’po ndodhte me të.
Unë u luta që Zoti mos të bënte si ajo robëreshë e cila akuzohej për vjedhje dhe imoralitet, ti kundërshtove duke thënë O Zot më bëj mua si ajo!. Kur thashë O Zot bëje djalin tim si ai kalorës madhështor ti përsëri kundërshtove duke thënë O Zot mos më bëj mua si ai!.
Në këto momente djali fillon të flasë përsëri dhe i thotë nënës së tij; Ai kalorës që ti e pëlqeje aq shumë ishte një person mendjemadh dhe bënte padrejtësi, prandaj unë u luta që të mos isha si ai një person mendjemadh dhe mizor, kurse sa i përket situatës së robëreshës, ajo edhe pse akuzohej për imoralitet dhe vjedhje, ajo ishte e pafajshme, prandaj unë u luta që të isha e pastër nga gjynahet ashtu siç ishte ajo.
|Muslim: nr 2550|

Postime të ngashme

%d bloggers like this: