Ç’është feja?

Në kuptimin leksikor fjala “din”, që në shqip do të thotë fe, mbart disa kuptime ndër të cilat: shpërblim, llogari, adhurim i pranueshëm, ligj, bindje, ndëshkim, etj.

Dijetarët myslimanë e përkufizojnë fenë si “tërësi rregullash dhe parimesh të përcaktuara nga Allahu xh.sh., të cilat kanë për qëllim ngritjen dhe përsosjen e njeriut në çdo aspekt, duke e shtyrë atë drejt të mirës absolute”. Këto tërësi rregullash, të përcaktuara nga Allahu xh.sh., u janë shpalosur njerëzve nëpërmjet Profetëve a.s.

Kur’anin Fisnik bëhet e qartë ekzistenca e fesë bashkë me njeriun e parë. Aty shprehet qartë se Ademi a.s. ishte njeriu dhe njëkohësisht edhe i dërguari e profeti  i parë i ngarkuar me mision nga Allahu xh. sh.

Feja është domosdoshmëri për njeriun, pasi vetëm nëpërmjet saj arrihet njohja e ekzistencës dhe njëshmërisë së Allahut xh.sh. Përmes saj arrihet kthjelltësia shpirtërore duke vepruar në rrugën e Allahut xh.sh., arrihet virtyti më i lartë moral; arrihet harmonizimi i marrëdhënieve me njerëzit; arrihet ndjenja e përgjegjësisë, interesimi dhe dashuria ndaj të gjitha krijesave.

Feja i drejtohet njeriut për të ndriçuar mendjen e tij. Ajo është e nevojshme për njeriun që ai të jetojë i lumtur dhe i qetë, sepse besimi dhe adhurimi i japin atij qetësi shpirtërore dhe njëherazi forcë për të përballuar jetën. Feja mundëson që njerëzit të jetojnë në paqe, harmoni dhe siguri, sepse ajo ndalon të këqijat dhe padrejtësitë; i ndalon krimin, mërinë, gënjeshtrat e mashtrimet dhe, në anën tjetër, urdhëron për dashuri, respekt, për ndihmë të përbashkët, ndershmëri dhe sjellje të mira mes njerëzve. Feja rregullon raportet e njeriut me Krijuesin e tij, por njëkohësisht edhe raportet me krijesat rreth tij. Kërkon që njerëzit të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, të kenë respekt për të drejtat e njëri-tjetrit dhe këshillon jetesën në paqe. Kështu shoqëria fiton qetësi, siguri dhe lumturi.

Feja është e dërguar nga Zoti, por, me kalimin e kohës, njerëzit janë larguar nga feja që ua ka dërguar Zoti dhe kanë formuar besime të ndryshme, të bazuara në mendimet dhe në gjykimet e veta. Si rrjedhojë, kanë lindur besime të ndryshme me burim njerëzor. Nga ky vështrim, fetë ndahen në dy lloje:

1. Feja e shpallur: Nocioni “Fe e shpallur” nënkupton fenë, e cila bazën e ka në shpalljen e transmetuar përmes Pejgamberëve, si p.sh.: Hebraizmi, Krishterimi dhe Islami.

2. Fetë jo të shpallura janë fetë e hartuara nga njerëzit, duke u bazuar në idetë e traditat e popujve, si p.sh.: Budizmi, Taoizmi, Zoroastrizmi, etj.

Megjithatë, feja e të gjithë Profetëve është Islami, e me Muhamedin a.s., si Profeti i fundit, feja islame arriti përkryerjen, duke vënë pikën e fundit mbi fenë. Këtë fakt Kur’ani e shpreh kështu:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَ أَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَ رَضِيتُ لَكُمُ الإِسْلامَ دِينًا

Sot përsosa për ju fenë tuaj, e plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe.” (Maide, 5/3)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: