Shkallët kuptimore të ajeteve

Profeti (s.a.s) në një hadith të tijin thotë: “Sigurisht që çdo ajet ka një kuptim të jashtëm (dhahiri), një kuptim të brendshëm (batini), një cak dhe një kufi të përcaktuar. Dhe për çdonjërën prej këtyre ka degë e sythe, ndarje dhe funun (kuptime për çështje dhe shkenca të ndryshme). {Dejlemi}.

Sipas asaj që kuptohet nga ky hadith, ajetet e Kuranit përmbajnë në vetvete shumë kuptime. Dhe ashtu duhet të jetë. Përderisa Kurani është shërimi i sëmundjeve trupore e shpirtërore i të gjithë njerëzve deri në kiamet, atëherë ai duhet t’i drejtohet të gjitha shtresave të ndryshme të njerëzve, në shekuj të ndryshëm, t’i japë mësim e të përmbushë nevojat e tyre. Dhe me të vërtetë, Kurani Famëlartë ka komunikuar me të gjithë, në çdo shekull, me çdo shtresë dhe botëkuptim.

Studiuesit e fikhut (jurisprudencës islame) e kanë ndarë në katër shkallë kuptimin e ajetit, përkatësisht në: IBARE, DELALET, ISHARET, IKTIDA. Psikologjia nga i njëjti ajet nxjerr një ligj të vetin, sociologjia një parim të pandryshueshëm për jetën shoqërore, tasavufi një tjetër thellësi, ndërkohë që shkencat e tjera gjejnë në të rregulla të tjera për çdonjërën prej tyre.

Përpara se të kalojmë në studimin e çështjeve shkencore, le të japim ca shembuj sipas disa kuptimeve:

Në ajetin e 7-të sures Nebe’, thuhet kështu:

“A nuk i bëmë malet si shtylla mbështetëse?”

Një person i thjeshtë e kupton në këtë mënyrë këtë ajet: vështron malet që duken të ngulura si shtylla, mendon përfitimet dhe mirësitë tek to dhe falënderon Krijuesin.

Një poet arrin ta kuptojë në këtë mënyrë këtë ajet: shtresa e tokës është si një taban dhe qielli si një çadër madhështore e zbukuruar me llamba elektrike… dhe malet të cilat duken në fundin e qiellit i përfytyron si shtyllat e asaj çadre. Kështu adhuron plot admirim Krijuesin Fuqiplotë.

Një poet beduin arab këtë ajet e kupton kështu: sipërfaqja e tokës është shkretëtirë… vargmalet si të ishin çadra të shumëllojshme e të panumërta të beduinëve, – sikur- shtresa e tokës, mbi të ka të hedhura shtylla të larta, majat e mprehta të të cilave sikur kanë ngritur përpjetë perden e tokës e cila është vendbanimi i shumë krijesave.

Një gjeograf e kupton në këtë mënyrë këtë ajet: bota i duket si të ishte një anije që lundron në ajër dhe mbi oqeanin e eterit… malet i duken si të ishin direkë për ekuilibrin e asaj anije. I drejtohet të Plotfuqishmit që e ka bërë tokën si një anije, e cila duke na futur brenda saj, na shëtit gjithkund, duke thënë: “Të lartësoj Ty nga çdo e metë, veprat e tua janë madhështore.”

Një gjykatës i shoqërisë njerëzore e kupton në këtë mënyrë ajetin: toka është si një shtëpi… dhe shtylla e jetës së asaj shtëpie është jeta e gjallesave. Dhe shtylla e jetës së gjallesave janë kushtet e domosdoshme të jetesës: uji, ajri dhe toka. Shtylla e ujit, ajrit dhe tokës janë malet. Sepse malet i shikon si depozitë uji, si një filtër ajri (pastron ajrin nga gazrat e dëmshëm) dhe si një thesar që ka naftë dhe minerale të rëndësishme për jetesën e njeriut. Pastaj, me një shenjë mirënjohjeje dhe madhërimi, falënderon Allahun, i Cili i ka krijuar malet e larta si shtylla në shtëpinë tonë që është rruzulli tokësor dhe i ka bërë ata si depo thesari për jetesën tonë.

Një filozof e kupton në këtë mënyrë këtë ajet: Tërmetet dhe tronditjet të cilat ndodhin si pasojë e çrregullimeve dhe reaksioneve kimike në barkun e tokës, me ekzistencën e maleve gjejnë qetësi. Shkaku i vendosmërisë së tokës në trajektore dhe bosht si dhe i mosdaljes nga trajektorja vjetore nga tronditjet e tërmeteve, janë pikërisht malet. Duke kuptuar këtë si dhe rolin ajrues (filtrues) të maleve me vrimat e saj, arrin besim të plotë dhe thotë: “Urtësia i përket vetëm Zotit”. Kështu arrin të shikojë mijëra urtësi dhe përfitime në çdo gjë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: