Koha e natës së Kadrit

Ashtu siç është mbajtur e fshehtë ajo që quhet “koha e pranimit” në ditën e premte, pra ora kur pranohen të gjitha lutjet, apo robërit e lartë në mesin e njerëzve, apo Emri i Madh mes Emrave të Bukur, edhe nata e Kadrit është mbajtur e fshehtë në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan. Dhe kësisoj, nga besimtarët pritet që ata të jenë vazhdimisht të zgjuar dhe të kujdesshëm, ta kalojnë kohën me adhurime pa ndërprerë dhe të mos u ikë nga duart asnjë mundësi për të bërë mirë.

Nga nëna jonë, Aishja e nderuar (radijallahu anha) na është transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem), dhjetë ditët e fundit të Ramazanit i kalonte i mbyllur në faltore duke ia dhënë veten krejtësisht adhurimit, fakt ky që e kemi treguar edhe më parë. Profeti ynë i Nderuar (paqja qoftë mbi Të) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit mes dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit!” Ndërsa, njëherë tjetër ka thënë: “Natën e Kadrit kërkojeni në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit!”

Siç na transmetohet nga Abdullah bin Omeri (radijallahu anh), një grup nga sahabët patën parë në ëndërr se nata e Kadrit ishte në një nga shtatë netët e fundit të Ramazanit. Kur e dëgjoi këtë, i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u tha atyre: “Shoh se ëndrrat tuaja në lidhje me natën e Kadrit bashkohen në pikën që ajo është në shtatë netët e fundit. Atëherë, kushdo që kërkon natën e Kadrit, ta kërkojë atë në shtatë netët e fundit të Ramazanit!” E në një transmetim tjetër, na këshillohet që atë ta kërkojmë veçanërisht në natën e njëzeteshtatë të Ramazanit.

Profeti ynë, Krenaria e Njerëzimit, e dinte kohën e saktë të natës së Kadrit. Por, një ditë, pati thënë: “Mua më qe treguar se në cilën dite ishte nata e Kadrit. Dola jashtë për t’jua treguar, kur pashë dy njerëz që po debatonin me njëri-tjetrin. Teksa u mora me ta, Mua m’u harrua nata e Kadrit.” Kështu pati thënë dhe me këto fjalë pati vënë theksin te fakti se sa shumë e kishte plagosur thellë edhe një mosmarrëveshje dhe përplasje e vogël mes besimtarëve, si dhe në atë se çfarë mund të shkaktojë përplasja dhe mosmarrëveshja mes besimtarëve.

Edhe shprehja frazeologjike, “Çdo natë ta dish Kadër, çdo njeri ta dish Hizër.”, është një fjalë shumë kuptimplotë. Sepse, ashtu siç nata e Kadrit është e fshehur mes netësh, edhe Hizri (alejhis’selam) është i fshehur në mesin e njerëzve. Nëse ju tregoni respekt për çdokënd, i ndihmoni në çdo nevojë, e mbani çdokënd për dore dhe ia hapni zemrën që aty të mund të hyjnë të gjithë, një ditë përballë do t’ju dalë një Hizër dhe kopshti i zemrës suaj do të lulëzojë. Kështu, duke i fshehur këto të dyja Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) na ka drejtuar të gjithëve ne që të sillemi vazhdimisht me shumë kujdes dhe të jemi pa ndërprerë të përfshirë në një tension metafizik, që të jemi përherë të zgjuar dhe të kujdesshëm.

Mirëpo, nëse nuk keni një lidhje kaq të fortë e të përzemërt me Allahun (xhel’le xhelaluhu), është shumë e vështirë që t’i gjeni, si natën e Kadrit, ashtu edhe Hizrin. Këto të dyja janë të mundura vetëm kur në zemrën tuaj të kapni shkallën e besimit dhe besnikërisë; jua hap juve perden e fshehtësive vetëm kur ju të kërkoni njëherë e ta gjeni në zemrën tuaj atë. Nëse ka te ju mendime të gjetjes së gjërave gati, “ta gjej menjëherë, ta shoh menjëherë, ta fitoj menjëherë” dhe jeni të varura nga ndjesi të këtilla, atëherë ta dini se do t’ju duhet të prisni shumë.

Në këtë këndvështrim, ata që janë në kërkim të gjërave të lira, nuk besoj se do të përfitojnë plotësisht nga nata e Kadrit. Ata le të presin përgjatë një viti të tërë; le të gjallërojnë vetëm natën e njëzeteshtatë të Ramazanit të Bekuar dhe të fitojnë mirësitë hyjnore që Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) i ka falur për ata që e vlerësojnë siç duhet natën e Kadrit. Por, nëse nuk ka një mirësi hyjnore të rrafshit të së jashtëzakonshmes, kjo nuk është diçka që mund të ndodhë shumë. Andaj edhe Imam Ebu Hanifeja ka thënë: “Nata e Kadrit nuk është vetëm në netë të caktuara, por ajo duhet kërkuar në secilën prej treqind e gjashtëdhjetë e kusur netët e vitit. Nëse ju i mbani të gjalla me kujdesin më të përsosur të treqind e gjashtëdhjetë e kusur netë, nuk ka dyshim që Allahu i Lartësuar do t’i përgëzojë zemrat tuaja të sinqerta.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: