Butësia, një nga cilësitë më të dalluara të Profetit tonë (s.a.s.)
Butësia është e rëndësishme në të gjitha çështjet, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet dhe sjelljen me njerëzit e tjerë. Mungesa e kësaj vlere i largon njerëzit dhe i shmang ata nga bërja e asaj që është e drejtë. Butësia është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për drejtimin e të kthyerve rishtas në Islam në çështjet e fesë. A nuk i tha Zoti Profetit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të), “Kështu që në sajë të mëshirës së Zotit [O Muhamed], ti ishe i butë me ta. Dhe nëse do të ishe i vrazhdë [në të folur] dhe i ashpër me zemër, ata do të ishin shpërndarë rreth teje.” [Kuran, 3: 159]. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) është shembulli i përsosur se si të sillemi me të rinjtë në Islam, por edhe përgjithësisht me njerëzit. Ai e dinte që ashpërsia dhe vrazhdësia mund të sillnin reagime të dëmshme për cilindo njeri.
Në një incident, një beduin erdhi në xhaminë e Profetit dhe urinoi brenda saj. Sahabët ishin shumë të zemëruar dhe nxituan ta ndalonin, por Profeti i urdhëroi që të mos vepronin derisa ai të përfundonte veprimin e tij. Ai pastaj thirri beduinin dhe i tha: “Në këto xhami nuk është e drejtë të bësh diçka si urinimi ose jashtëqitja; ato janë vetëm për të kujtuar Zotin, për t’u lutur dhe për të lexuar Kuran.” Pastaj urdhëroi një burrë të sillte një kovë me ujë dhe ta hidhte mbi [urinën].
Në vend që ta qortonte njeriun, Profeti (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) e këshilloi butësisht dhe i shpjegoi ndalimin e veprës. Ai u tha sahabëve: “Ju jeni dërguar për t’i bërë gjërat më të lehta dhe jo për t’i bërë ato të vështira.”