Kush ishte Ebu Bekri r.a.?

Nëse në njërën anë të peshores do të vendosej besimi i Ebu Bekrit dhe në anën tjetër besimi i gjithë umetit tim, besimi i Ebu Bekrit do të peshonte më shumë.”[1]

 

Çdo njeri ka një veçori të tijën që e bën atë të dallohet nga të tjerët. Gjithashtu e bën atë më të përparuar në një pikë krahasuar me të tjerët. Kështu ishin edhe njerëzit e të Dërguarit të Allahut. Meqenëse qëllimi i tyre në jetë ishte të arrinin përsosmërinë dhe t`i ngjanin Mësuesit të tyre të pashembullt, rrjedhimisht, ky qëllim nxiste tek të gjithë ata ndjenjën e përgatitjes së vetvetes së tyre në çdo aspekt. Njëri prej burrave të njerëzimit, ishte edhe i nderuari Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

Kush ishte Ebu Bekri?

Një nga personalitetet më të veçantë mes sahabeve të Dërguarit të Allahut. I veçantë në besnikëri, i veçantë në drejtësi, i veçantë në sakrificë. Një jetë e mbushur plot e përplot me mirësi dhe shembuj për të gjithë ata që kërkojnë të instalojnë diçka në jetët e tyre sot.

Hz. Ebu Bekri jetoi pastër edhe para Islamit. Qoftë edhe një moment të vetëm, nuk i bëri dëm asnjë sendi frymor, apo jo frymor. Që në ato kohë pëlqehej nga shoqëria e Mekës. Ishte njeri me reputacion, i pasur dhe referencë për të dobëtit. E karakterizonte miqësia e ngushtë me të Dërguarin e Allahut edhe pse Islami nuk kishte ardhur akoma.[2] Në literaturën islame nuk gjenden shumë informacione rreth fëmijërisë dhe rinisë së tij. Tregohet se që në moshë të re është marrë me tregti mëndafshi dhe veshjesh duke bërë tregti mes vendeve si Siria dhe Jemeni. Në kohën që pranoi Islamin, kishte një pasuri prej 40.000 dirhem. Gjithashtu transmetohet se ka qenë në të njëjtin karvan me atë të Dërguarit të Allahut kur i Dërguari i Allahut ishte 25 vjeç.[3]

Emri i tij ishte: Abdullah b. Ebi Kuhafe Osman b. Amir el-Kurejshi et-Tejmi. Lindi në Mekë 3 vite pas ndodhisë së elefantit. Nëna e tij quhej Ummu`l-Hajr Selma binti Sahr, e cila e pranoi Islamin në periudhën e Mekës në shtëpinë ku i Dërguari i Allahu mblidhej shpesh dhe organizonte ligjërata të ndryshme për njerëzit. Mes njerëzve kishte epitete të ndryshme. Për shkak se ishte një personalitet me rrënjë të vjetra fisnore, i bukur në pamje dhe që prej vogëlisë shquhej për punë të mira, për butësi e për mirësi, ai thirrej më së shumti me pseudonimin “Atik”, që do të thotë i fismë, i pashëm, i butë. Gjithashtu, para ardhjes së Islamit, mes njerëzve thirrej me epitetin Abdul Kabe. Ndërsa i Dërguari i Allahut, këtë e ndryshoi në Abdullah. Më vonë, mori famë me epitetin “Siddik”, që do të thotë besnik. Ai e tregoi besnikërinë e tij karshi të Dërguarit të Allahut në rastet kur askush nuk e besonte. Dhe kështu filloi të thirrej mes shokëve të tij, Ebu Bekër es-Siddik. Ia vlen të përmendim edhe se Ebu Bekri ishte gjithashtu pjesë e parisë së Mekës. Njeri autoritar dhe i pasur. Më vonë, të gjitha këto përparësi shoqërore, do t`i shnëdrronte në vegla shërbimi për në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kështu ato mirësi të përkohshme duke u bashkuar më nje ideal të tillë, automatikisht do të fitonin përjetësi brenda qenies së tyre.[4]

Si u bë mysliman?

Vajza e tij, hz. Aisheja r.a. tregon: Një ditë, babai doli nga shtëpia. Isha e bindur se po shkonte te Zotëria i Njerëzimit. Ata ishin miq ende pa ardhur Islami. E njihnin shumë mirë njëri-tjetrin. Hz. Ebu Bekri hyri te shtëpia e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe i tha: “O Ebul Kasim, po na mungon shumë nëpër kuvendet tona. Nuk po merr më pjesë. Për më tepër, po flitet keq për prindërit e tu.” I Dërguari i Allahut i tha: “Unë jam i Dërguari i Allahut. Po të ftoj t`i besosh Allahut.” Hz. Ebu Bekri u bë mysliman akoma pa përfunduar fjalët Resulullahu (salallahu alejhi ve sel’lem). Ai u lumturua aq shumë kur Ebu Bekri u bë mysliman, sa nuk besoj se gjendej ndokush tjetër atë ditë më i lumtur sa ai”, tregon hz. Aisheja r.a.[5]

I Dërguari i Allahut tregonKëdo që kam ftuar në besim, pa dyshim që ka përjetuar një moment mëdyshjeje, përveç Ebu Bekrit.”[6] Një ditë tjetër, i Dërguari i Allahut e risolli edhe një herë në qendër të vëmendjes cilësinë e hz. Ebu Bekrit dhe iu drejtua kështu të pranishmëve: “Nuk ka dyshim që Allahu më ka dërguar pejgamber për ju. Kur unë jua përcolla juve këtë, të gjithë më thatë ‘gënjen’. Ndërsa Ebu Bekri më tha: “Ke thënë të vërtetën” dhe bashkë me fjalën e dhënë, i besoi kaq shumë kësaj rruge saqë dha çdo gjë nga aftësitë e tij dhe nga pasuria e tij. Më pas, përsëriti dy herë: “Tani, nuk do të ma mërzisni më mikun tim, apo jo?”[7]

Le të vazhdojmë pak me hadithin e lartëpërmendur nga nëna e besimtarëve, Aisheja, për të kuptuar dashurinë që kishte hz. Ebu Bekri për të Dërguarin e Allahut dhe për Islamin që sapo e pranoi: Pasi Ebu Bekri dëgjoi këto fjalë nga i Dërguarii Allahut, menjëherë vrapoi te shokët e tij të afërt, të cilët ishin edhe paria e vendit për t`i ftuar në besim. Kështu, vetëm pas një dite, hz. Ebu Bekri erdhi pranë të Dërguarit të Allahut së bashku me shokët e tij si Ubejdullah, Zubejr bin Avvam, Sad bin Ebi Vakkas, Ebu Ubejde bin Xherrah, Abdurrahman bin Auf, etj.[8]

Momenti më kulminant në jetën e tij

Njeriu njihet në dy momente gjatë jetës së tij, në mirësi dhe në vështirësi. Megjithatë, një personalitet si Ebu Bekri, i përgatitur nga vetë i Dërguari i Allahut, qoftë në vështirësi, qoftë në mirësi, nuk ndryshonte qëndrim. Për këtë arsye sot e kësaj dite zë një vend të veçantë në bashkësinë islame dhe është një prej personaliteteve të hasura rrallë mes myslimanëve. Pasi i Dërguari i Allahut ndërroi jetë, ishte nevoja për një drejtues, që njerëzit të dinin të orientoheshin vetëm në një pikë dhe kështu të bëhej i mundur eliminimi i konflikteve dhe përçarjeve. Megjithatë, hz. Ebu Bekri nuk e kërkoi vetë pushtetin e as nuk e dëshiroi qoftë edhe me zemër. Mjafton t`i hedhim një këndvështrim kësaj ngjarjeje për ta kuptuar më mirë:

Transmetohet nga një person i familjes Rebia, i cili thotë: “Pasi u vendos që Ebu Bekri do të ishte kryetar i shtetit, u largua për në shtëpinë e tij në një gjendje të plogështuar. Vendosi të mbyllej në shtëpi për disa ditë për t`iu përkushtuar vetëm adhurimeve dhe meditimeve. Kur hz. Omeri r.a. shkoi te shtëpia e tij, hz. Ebu Bekri r.a. i tha: “Ti ma ngarkove këtë detyrë” duke dhënë mesazhin se nuk do ta përballonte dot përgjegjësinë e dhënies së gjykimeve mes njerëzve. Hz. Omeri r.a. i drejtohet duke i thënë: “O Ebu Bekër! A nuk e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut që thotë: “Nëse një gjykatës (pasi konsultohet) gjykon dhe del saktë gjykimi merr dy sevape dhe nëse gjykon gabim merr vetëm një sevap?”[9]

Siç e shikojmë, hz. Ebu Bekri e ndjeu thellë peshën e përgjegjësisë së drejtuesit dhe megjithëse është një personalitet me një performancë të lartë si fizikisht edhe shpirtërisht, veten e shikoi të dobët përpara kësaj përgjegjësie. Kjo gjendje as nuk e shtyu në arrogancë e as në shpërfillje të jetesës sipas asaj që i kishte mësuar fjala e Allahut (Kur`ani) dhe i Dërguari i Tij, por e shtyu akoma më shumë në devotshmëri.

Por nuk mbaroi me kaq. Ebu Bekri ishte i gatshëm që të tërhiqej nga detyra. Sa herë që gjente momentin e duhur, e përsëriste këtë vendim. Në një hytbe, ai i drejtohet xhematit me këto fjalë:

O njerëz! Gaboheni nëse mendoni se unë e kam pranuar këtë detyrë me dëshirën time apo se e shikoj veten më të denjë se të tjerët. Pasha Allahun, jo! Betohem në Allah që nuk e kam pranuar këtë detyrë as me dëshirën time, e as se e shikoj veten më të denjë se ju. Qoftë edhe një ditë, nuk më ka lindur në zemër dëshira për të qenë drejtues. Nuk e kam kërkuar nga Allahu këtë as haptazi e as fshehurazi. Më është ngarkuar mbi supe një detyrë që nuk do ta përballoj dot. Pa ndihmën e Allahut, kam për t’u ndrydhur poshtë kësaj peshe. Tani, këtë detyrë po ia lë kujtdo prej sahabeve të Dërguarit të Allahut, i cili do të gjykojë me drejtësi. Nuk jam më hafife-kalif (drejtues shteti). Jepjani këtë detyrë kujt të dëshironi. Pas këtij momenti, unë jam njëri prej jush!”[10]

Isa bin Atijje tregon se një ditë, pasi Ebu Bekrit iu ngarkua detyra e kryetarit të shtetit doli mes njerëzve dhe tha: “O njerëz! Kam dhënë dorëheqjen. Nuk jam unë më i miri prej jush. Jepjani këtë detyrë atij që është më i miri prej jush.” Pas fjalës së tij, njerëzit u ngritën në këmbë dhe thanë: “O prijësi i besimtarëve i ngarkuar nga i Dërguari i Allahut! Betohemi se ti je më i miri prej nesh!”[11]

Gjithashtu transmetohet se imam Aliu r.a. ka thënë: “Vallahi nuk e pranojmë dorëheqjen tënde. Kush mund ta lërë mbrapa atë njeri që vetë i Dërguari i Allahut e ka vendosur para të gjithëve?”[12]

A ndryshoi stili i jetës dhe personaliteti i Ebu Bekrit pas kësaj detyre?

Një tregues i fortë i personalitetit prej besimtari ideal, që kishte Ebu Bekri, ishte edhe periudha e jetës së tij pasi u bë kryetar shteti. Le ta dëgjojmë këtë nga vetë goja e sahabeve të nderuar dhe njerëzve të tij më të afërt:

Hz. Aisheja, Ibni Omeri, Ibnul Musejjeb r.a. dhe shumë të tjerë tregojnë:

Ditën e hënë të vitit 11 të hixhretit kur i Dërguari i Allahut ndërroi jetë, u bë betimi i Ebu Bekrit. U zgjodh si prijësi i besimtarëve. Shtëpia e Ebu Bekrit ndodhej në një lagje në periferi të Medines e cila quhej Sunh. Ebu Bekri jetonte me bashkëshorten e tij Habibe. Kishte ndërtuar një shtëpi të vogël me qerpiç. Qëndroi në Sunh derisa erdhi koha që të transferohej në Medine. Edhe pasi u bë kryetar shteti, vazhdoi të jetonte në këtë lagje. Çdo mëngjes, ngrihej herët dhe nisej për në Medine duke ecur me këmbë për të falur namazin e sabahut. Rrallë herë përdorte kalin për të përshkruar rrugën. Kishte një veshje shumë të thjeshtë. Këtë ritual e kishte të përditshëm dhe çdo ditë u printe njerëzve në namaz. Pasi mbaronte faljen e jacisë, rikthehej përsëri te familja e tij në Sunh. Kohët që ai vetë nuk vinte dot në Medine, namazet i printe hz. Omeri r.a. Ditëve të xhuma, qëndronte në Sunh deri pak para kohës së xhumasë. Pasi përgatitej, lyente flokët dhe mjekrën, vinte në Medine dhe printe namazin e xhumasë.

Hz. Ebu Bekri ishte njeri i punës dhe merrej me tregti. Çdo mëngjes, dilte në pazar dhe bënte shit-blerje. Kishte një kope me dele të cilën nganjëherë e milte vetë nganjëherë punësonte dikë tjetër. Shpeshherë, ashtu siç milte delet e veta, merrte për të mjelur edhe delet e të tjerëve. Një ditë, një vajzë e vogël pasi kishte marrë vesh që hz. Ebu Bekri ishte zgjedhur për të qenë kryetari i shtetit, i tha: “Më duket se nuk do të m’i mjelë më njeri delet.” Hz. Ebu Bekri i drejtohet: “Ju betohem se do të vazhdoj t`i mjel unë. Shpresoj që kjo detyrë që m`u ngarkua, mos të më privojë nga zakonet e mia të mëparshme”. Me të vërtetë, hz. Ebu Bekri edhe pse u bë kryetar shteti, vazhdoi t`i mjelë delet e të gjithë njerëzve që ua milte përpara. Shpeshherë e pyeste vajzën e vogël: “A t`i mjel me shkumë apo pa shkumë?” Vajza i thoshte: “Mili me shkumë” dhe hz. Ebu Bekri bëntë atë që vajza i thoshte.

Kështu, hz. Ebu Bekri vazhdoi të jetojë gjashtë muaj në Sunh. Pas gjashtë muajsh, u transferua në Medine. Pas njëfarë kohe filloi të mendonte se tregtia po i merrte shumë kohë nga koha që duhej të jepte për të zgjidhur problemet e njerëzve. Kështu vendosi ta braktisë tregtinë. Pas këtij vendimi, këshilli vendosi që hz. Ebu Bekrit dhe familjes së tij, t`i jepej një rrogë vjetore prej 6000 dirhem, me kusht që të shpenzohej në kohët e umres dhe haxhit.

Kur u afruan momentet e fundit të jetës, vendosi që çdo mall që kishte në shtëpinë e tij dhe i takonte thesarit të shtetit, të rikthehej. As sendi më i vogël të mos mbetej në shtëpi. Për më tepër, edhe tokën që zotëronte vendosi t`ia japë thesarit të shtetit dhe të përdorej nga myslimanët. Kështu, tokën që posedonte, një deve që kishte, ustain e shpatave që i shërbente gjatë kohës që ishte kryetar shteti dhe një copë kadifeje me vlerën e pesë dirhemeve, vendosi t`ia dorëzojë kryetarit të ardhshëm të shtetit, hz. Omerit r.a. Omeri i cili ishte dëshmitar për gjithçka që Ebu Bekri e hoqi nga pjesa e tij dhe e dha për interesin e përbashkët të myslimanëve, thotë se: “Hz. Ebu Bekri la për pasardhësit e tij një jetë pothuajse të vështirë për t`u jetuar.”[13]

Ebu Hurejre r.a. transmeton se: “Një ditë ishim bashkë me Ebu Bekrin pranë të Dërguarit të Allahut. I Dërguari i Allahut i tha: “Të përgëzoj! Të erdhi selam nga Allahu xh.xh. Sapo më erdhi Xhibrili dhe më pyeti: `Kush është ai që qëndron ulur në krahun tënd të djathtë, i mbuluar me kaporanë?` `Është Ebu Bekri. U bë mysliman përpara çlirimit të Mekës. Shpenzoi pasurinë për mua. Më besoi dhe më qëndroi besnik. Më dha vajzën për bashkëshorte`, – i thashë. Xhibrili më tha: `O Muhamed! Allahu i dërgon selame. Pyet në është i kënaqur me Allahun, apo jo?` Pasi dëgjoi këtë, hz. Ebu Bekri u këput i gjithi dhe qau për një kohë të gjatë. Më pas tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë i jam dorëzuar kaderit të Allahut.”[14]

Secili është në gjendje të bëjë krahasimin e këtyre kolosëve me veten e tij. Megjithëse ata patën një jetë të tillë, mundësitë ishin të pakta në krahasim me sot, por është për t’u mahnitur me faktin se ishin dhe janë njerëzit më shembullorë të parë ndonjëherë. Duke filluar që nga dashuria e flaktë që kishin për fenë, besnikëria që treguan në kohë të vështira, përqendrimi te kauza që kishin besuar, mostundimi përballë pasurisë, pushtetit, duartrokitjeve, lavdërimeve, etj., etj., janë tregues të rëndësishëm se ç`karakter solid dhe ç`besim të pastër në Zot kanë pasur këta njerëz. Është e qartë se suksesi nuk ka ardhur asnjëherë nga të mirat materiale, as nga fuqia e pushtetit, por vetëm nga lidhja e sinqertë me Krijuesin e çdo gjëje dhe me ndjekjen hap pas hapi të orientimeve të Dërguarit të Tij a.s.

Nga Hysni Merja

 

Fotoja eshte ilustuese

[1]. Tuhfetu`l Ahvezi, 7/298; Kenzu`l Ummal, 35614.

[2]. Ibn Haldun, Mukaddime, 206.

[3]. Islam ansiklopedisi, vëll.10, f.102.

[4]. Islam ansiklopedisi, vëll.10, f. 102.

[5]. Kandahlevi, Hajatu`s-Sahabe, vëll 1, f. 78.

[6]. Kandahlevi, Hajatu`s-Sahabe, vëll 1, f. 79.

[7]. Ibn Hisham, sire 2/90.

[8]. Kandahlevi, Hajatu`s-Sahabe, vëll 1, f.78-79.

[9]. El-Hindi, Kenzu`l-Ummal 5/851 (14110).

[10]. El-Hindi, Kenzu`l-Ummal 5/852 (14112).

[11]. Kandahlevi, Hajatu`s-Sahabe, Muhtasar Ömer Lutfi Erdal, Işık Yayınları 2008, vëll 1, f. 400-401.

[12]. El-Hindi, Kenzu`l-Ummal 8/863 (14145).

[13]. El-Hindî, Kenzu’l-Ummal 5/840 (14077).

[14]. Shiko: Kenzu’l-Ummal, h. 35649.

Postime të ngashme