• July 8, 2020

Mall do të ndiejmë për to…

Perëndoi edhe dielli i kësaj dite. I zbehtë,  me një rrezatim të dhimbshëm, me një mall vajtues. I tillë është perëndimi që mbart mallin e një fundi, por edhe shpresën e një fillimi të ri, pasi me siguri që perëndimi lindje do të jetë. Perëndoi edhe sot ky diell e hëna po vonon daljen e saj. Edhe ajo ndihet e vetmuar, edhe ajo nuk do të ketë me shkëlqimin e këtyre ditëve. Shkoi dhe ky muaj si gjithçka që shkon në këtë jetë, shkuan këto ditë të mbushura me dashuri, shkuan e ne mall do të ndiejmë për to.

Nuk e di nëse zemrat tona do të jenë kaq bujare sa këto ditë, nuk e di në shpirti ynë do të jetë kaq i qetë sa këto net, nuk e di në do të jemi ndonjëherë më të përulur se në ditët që shkuan. Nuk e di nëse balli ynë do të qëndrojë aq gjatë në sexhde. Nuk e di nëse lotët e zemrës do rrjedhin më ashtu sikur netëve zgjuar, nëse këto nuk ndodhin, duhet të jemi akoma më të trishtuar për perëndimin e zemrës tonë, duhet të jemi akoma më të pikëlluar për shuarjen e shpirtit tonë.

Nëse do të ishte kështu, ç’kuptim do të kishin ditët që lamë pas. Nëse do të ishte kështu, ç’kuptim do të kishte ky mall që po ndiejmë tani. Ky diell sot po perëndon dhe nuk e dua të njëjtin perëndim edhe në zemrën dhe shpirtin tim.

Malli i kësaj nate më shuhet me shpresën se pas një viti këto ditë të bekuara  do të kthehen sërish, por do të ishim të dështuar në qenësinë tonë nëse nuk do të ishim të aftë t’i shndërronim edhe muajt në vazhdim të njëjtë si ky që po lëmë pas.

Mbushem me shpresë kur kujtoj ato çfarë kam parë në këto ditë. Këto ditë pashë dorën e lypsarit të shtrihej e një dore tjetër që i përgjigjet. Pashë skamnorin tek agjëronte për hir të Zotit të tij e lëmoshë s’kërkonte. Sytë e përhumbur të jetimit këto ditë shkëlqenin, sepse dikush ish kujtuar për të.

Këto ditë pashë njerëz që s’kishin ushqim në sofër, por që sërish dhuronin diçka. Pashë pasanikun tek shpenzonte pasurinë e tij për të vobektët dhe ulej në një tryezë me ta si miq të vjetër e të përmalluar.

Këto ditë pashë njerëz që sakrifikonin për të tjerët; pashë barazi mes njeriut me pozitë dhe të papunit, mes të pasurit dhe të varfrit, mes pushtetarit dhe njeriut të thjeshtë, të dy i gërryente uria e i përvëlonte etja, të dy buzëshkrumbur përmendnin Zotin e tyre, të dy përçonin mëshirë e dashuri.

Këto ditë pashë zemrat e mbuluara plot mëshirë, dashuri e dhembshuri,  tek fluturonin ashtu si pulëbardhat në brigjet e shkëmbëta.

Këto ditë të nxehta të korrikut pashë etjen përvëluese në buzët e thara, të heroit të përjetësisë. Pashë bindjen dhe përkushtimin e përbetuar në fjalën e dhënë Krijuesit.

Kjo është forca e këtij muaji, e cila përkul e gjunjëzon edhe më viganin, e cila ul në një tryezë të pasurin me të varfrin. Ky është muaji që nënshtron egot e djeg mëkatet. Ky është muaji që pastron shpirtrat.  E kështu të pastër, këta shpirtra qiellorë ngjiten drejt mëshirës së pafund të të Gjithëpushtetshmit. Të bardhat zemra ndiejnë dashurinë hyjnore tek i rrëmben në qiejt e përkushtimit. Të lartat krijesa njerëzore ngrihen në piedestalin e lumturisë e përmallimit për Arshin e Tij.
Ditët nuk do të agojnë më të njëjta, netët nuk do të kenë më atë qetësi. Këto ditë po largohen, po ikin, e mall do të ndiejmë për to…

Postime të mëparshëm

Es salatu hajrun minen neum

Postime të rradhës

Kush ishte Ebu Bekri r.a.?