Valsi i fundit i gjethes…
Nga Ali Zaimi
“Sa ftohtë që ndjej…
Ska me diell mjaftueshëm të më ngrohë, energjitë e mia po shterojnë.
Mundohem të rezistoj me tërë forcat e mia, por ngjyra ime ndryshon çdo ditë, çdo ditë më pak e gjelbër. Fytyra ime vishet me një vello të verdhë,
ashtu siç pikëllohet shpirti im, ashtu pikëlloj edhe ate që më shikon, por koha ka ardhur, nuk ka më kthim mbrapa. Detyra ime ka mbaruar, ç’të vonoj më shumë.
Mos ki frikë o shpirti im i brishtë lëshoje veten të qetë në krahët e erës që dhe ajo të endet e marrosur pas teje sepse pema tashmë është e mbushur me frutat e shijshme!”
E pra, shkëputja e gjethes nga dega vjen nga pjekuria e plotë e pemës. Frutat e shijshme të lidhura në degët e holla sikur përshëndesin me falënderim të gjitha gjethet, e gethja delikate dhe e zverdhur ia kthen përshëndetjen me një vals të fundit në ajër e sikur thotë: “Për ty erdha në këtë jetë, tashmë jam e lumtur të lëshohem në krahet e erës, le të jetë kjo përshendetja ime e fundit!”