A ekziston nevoja për të besuar që prej lindjes?

Psikologu zviceran Pierre Bovet shprehet në librin e tij “Ndjenja fetare dhe psikologjia e fëmijës”, se pas një moshe të caktuar të gjithë fëmijët normalë kanë një lloj ndjenje të natyrshme drejt fesë. Në formimin e këtij besimi fillestar përveç shoqërisë, ndikon ndjeshmëria e individit, aftësia për të perceptuar dhe imagjinuar. Ndoshta fëmija është i aftë t’i përcaktojë vetë konceptet fetare që ai përfiton nga shoqëria e tij. Por, me kalimin e kohës mund të ketë kundërshti mes tij dhe shoqërisë dhe ai formon bindjen e vet personale. Profeti ynë (a.s) ka thënë:

“Të gjithë fëmijët lindin mbi natyrshmërinë e pastër. Më pas, janë prindërit që i “kthejnë” ata në hebre, të krishterë apo adhurues të zjarrit.” (Buhariu)

Rreth konceptit “fe e natyrshmërisë” kanë bërë kërkime shumë shkencëtarë dhe mendimtarë. Njëri prej tyre është edhe filozofi William James. Ai vendosi të bënte një studim rreth ndenjës së natyrshme të fesë tek fëmijët, por kur kjo e fundit është e pandikuar nga shoqëria. Që ta realizonte këtë, ai analizoi kujtimet dhe sjelljet e një djali të quajtur Ballard, i cili ishte shurdh-memec. Ky djalë i përmblodhi kështu mendimet e tij rreth metafizikës, para se të merrte një edukim të mirëfilltë:

“Kishte raste kur dilja shëtitje me tim atë. Natyra dhe pamjet e mrekullueshme ndikonin shumë tek unë. S’dija të flisja dhe të shkruaja, por mund të mendoja. Pyesja me vete: Si mund të jetë krijuar kjo botë? Si e filloi jetën njeriu? Si erdhën në jetë bimët dhe krijesat e tjera? Cili është shkaku i ekzistencës së botës, diellit dhe hënës? Kush m’i sillte të gjitha këto pyetje në mendje? Si erdhën në jetë pa një “farë” njeriu i parë, kafsha e parë dhe bima e parë? Nga ku kemi ardhur dhe ku po shkojmë? Si mund të ishte vallë fillimi i gjithësisë?

S’mund të gjeja një përgjigje specifike për këtë pyetje. Mendoja, hiqja dorë së menduari, por pas një farë kohe filloja të mendoja sërish të njëjtën çështje.” (Pierre Bovet, “Ndjenja fetare dhe psikologjia e fëmijës”, f. 71-72.)

Rreth kësaj çështje kanë bërë studime shumë psikologë të tjerë dhe rezultati në të cilin kanë arritur është pak a shumë i njëjtë. Kështu, ata kuptuan që fëmijët që në moshë të vogël bëhen kureshtarë ndaj gjithësisë, natyrës dhe fillojnë të pyesin pyetjet e mësipërme. Siç u pa, këto pyetje nuk preokupojnë vetëm filozofët dhe mendimtarët, por zënë edhe mendjen e fëmijëve, të rinjve dhe të të gjithë njerëzve të tjerë.

 

 

 

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: