Si duhet t’i qasemi veprave që emërtohen si të pëlqyera nga ana e fesë?

Ndarja e veprave në kategori të ndryshme sipas aspektit fetar është një çështje e njohur në jurisprudencën islame. Prej tyre mund të përmendim gjykimet fetare rreth veprave si; e detyruar, e pëlqyer, e lejuar, e ndaluar dhe e papëlqyeshme. Në këtë shkrim të shkurtër do të qëndrojmë në një aspekt të kufizuar të çështjes. Le të mendojmë pak për gjërat që i kemi detyrim t’i bëjmë dhe për ato që janë të pëlqyeshme. Ç’rëndësi ka në jetën e besimtarit veprimi i asaj që është e urdhëruar dhe asaj që është e pëlqyeshme?

Le të mendojmë për pak kohë rreth rrugëtimit tonë drejt Zotit. Ne të gjithë duam të fitojmë afërsinë dhe dashurinë e Tij. Por, si arrihet kjo shkurtimisht? Kjo gjë shpjegohet në pjesën e hadithit të mëposhtëm: “Robi nuk afrohet tek Unë me diçka më të dashur për Mua sesa gjërat që ia kam bërë obligim. Ai vazhdon të më afrohet me gjërat vullnetare (nafile, të pëlqyeshme) derisa Unë e dua atë…”

Komentimi i hadithit kudsi mund të jetë shumë i gjerë, por do të përmendim një ngjarje të shkurtër domethënëse që na tregon se si t’i qasemi gjërave të pëlqyeshme në jetën tonë. Dikush erdhi te Imam Hasan Basriu dhe i tha për një çështje të caktuar që ai mund të mos e e vepronte atë sepse fundja, ‘ishte nafile’. Imami iu përgjigj: “Ajo është nafile për dikë që i ka plotësuar të gjitha farzet.”

Çfarë synoi ai me fjalën e tij? Ajo është nafile për atë që i ka plotësuar të gjitha farzet, ndërsa unë s’e shoh veten të tillë. Imam Hasan Basriu e shihte veten si dikush që nuk i kishte plotësuar të gjitha obligimet, prandaj nuk ia lejoi vetes braktisjen qoftë edhe të asaj që ishte nafile. Po, është e vërtetë se ajo që është nafile mund edhe të braktiset, por njeriu mund të humbasë shumë të mira në këtë pikë.

Ndoshta Ditën e Gjykimit do të kesh nevojë për veprat e pëlqyera ashtu sikurse ke nevojë për ato që kanë qenë të detyruara. Si është e mundur kjo? Për të kuptuar këtë sillni ndërmend se cila është vepra e parë për të cilën do të pyetet njeriu Ditën e Llogarisë dhe ç’do të ndodhë me të. Ju e dini që ai do të pyetet për namazin dhe fillimisht për atë farz. Nëse nuk e ka plotësuar atë si duhet, mangësitë do të plotësohen me namazet nafile. Veprat nafile s’është mirë të neglizhohen dhe sidomos të bëhet zakon kjo e fundit. Ato vepra na sjellin më pranë Zotit tonë dhe bëhen garantuese të fitimit të dashurisë së Tij.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: