Shtëpia me dyzet pleq
Goja e popullit tona na thotë se ka pasur një herë, shumë kohë më parë, një shtëpi me dyzet pleq, një familje ku shumica e anëtarëve të saj, të mëdhenj e të vegjël, kishin marrë frerin e shtëpisë në dorë dhe vepronin e gjykonin gjithsecili “më tel të tij”, pa qëndruar të merreshin vesh me njëri-tjetrin si pjesëtarë e bij të së njëjtës familjeje që ishin.
Këta pleq të kësaj shtëpie, le që s’uleshin të bisedonin mbi çështjet e ndryshme të jetës së tyre – që fundi fundit s’mund të kenë qenë veçse mbi të njëjtat nevoja e probleme të jetës familjare – por aty edhe kur mblidheshin në shtëpi në darkë, do të grindeshin patjetër mbi çdo bisedë që të zinin, duke ngulur këmbë gjithsecili mbi mendimin e tij e duke e quajtur mendimin e tjetrit krejt të pavend e të gabuar, saqë asnjë marrëveshje nuk arrihej dot e niseshin prapë në mëngjes gjithsecili në drejtim të tij, duke marrë pas vetes dhe të paktët pasues që kishin nga të familjes, këta të fundit krejt të pafajshëm pos fatit që i kishte hedhur të lindnin në një familje me kaq shumë pleq-kryetarë.
Aq shumë egoistë dhe ambiciozë ishin bërë këta pleq sa ziheshin në shtëpi dhe për vendet ku do të uleshin të rrinin, duke dashur që të gjithë të zinin kryet e vendit, saqë më në fund u detyruan ta prishin krejt shtëpinë që nga themeli dhe ta bënin në formë shumëkëndëshi për të pasur secili një “kënd nderi” për të ndenjur, shtëpi e cila doli aq shumë e çuditshme saqë ka mbetur në kujtimin e njerëzisë deri në ditët e sotme…
Dhe kur një ditë na ndodhi që të thërritej nga një plak për çdo shtëpi për të b biseduar mbi disa çështje të rëndësishme të vendit, të gjitha familjet që ishin në dashuri e harmoni brenda për brenda e nisën menjëherë përfaqësuesin e tyre e vetëm “shtëpia e dyzet pleqve” ra në hall se kë të dërgonte. Asnjëri nga pleqtë s’e pranonte shokun si përfaqësues dhe vetëm pas një grindjeje që zgjati një natë të tërë (e la krejt lagjen pa gjumë) mezi u vendos dërgimi i gjashtë pleqve përfaqësues në vend të njërit që duhej. Edhe këta të gjashtë, thuhet se mezi arritën të gjallë se jo vetëm gjatë udhës donin që të shkonin paralel, duke mos lënë asnjërin që të shkonte një çap më përpara shokut, po kur erdhën dhe tek një urë e ngushtë, që nxinte vetëm një kalimtar, u shtynë aq keq sa ranë që të gjashtë në lumë e mezi dolën me not nga uji të lagur ujë e qull. Kur arritën në mbledhjen e caktuar, duke mos lënë asnjëri shokun të fliste e duke kundërshtuar çdo mendim të njëri-tjetrit, e detyruan këtë që t’i përzërë që të gjashtë dhe vendosë në mungesë të tyre për çështjen që i pat thirrur.
Më në fund fare, ngjau ajo që duhet të ngjante. Katundi i mërzitur i gjithë prej grindjeve të tyre të përditshme, u hodh një natë mbi ta, i përzuri që të dyzet nga shtëpia, ua mori plaçkë e pasuri dhe i nisi që në mëngjes rrugëve të botës. Shtëpia u shkretua dhe familja e ngratë ra në robërinë e sundimin e të tjerëve…
Dhe nga kjo ngjarje thuhet se na ka dalë fjala e urtë e popullit tonë: “Një shtëpi me dyzet pleq, kush e prish e kush e ndreq!”, që është një nga proverbat tonë më të dobishëm e më mësimdhënës, që kemi trashëguar nga përvoja e gjallë e stërgjyshërve tanë të lashtë e të shumëvuajtur.
Në këtë proverb kemi përpara nesh “Një të vërtetë të madhe” me një vlerë të patundshme për të gjitha kohërat.
Është me të vërtetë një fakt i çuditshëm jo vetëm për një shtëpi, por aty edhe për një shoqëri më të madhe që të ketë dyzet pleq kryetarë, e veçanërisht dyzet pleq të pamarrur dot vesh me njëri-tjetrin, por nuk është aspak një gjë e pangjashme. Ndodhitë e jetë sonë të përditshme na japin një tog prova se bota, ndërsa ka përparuar në hapje e çelje rrugësh e limanesh, në ngrehje e goditje pallatesh e fabrikash, në fluturime mbi tokë, qiell e dete, në matje drite, nxehtësie dhe elektriku, kur vjen puna në çështjet shpirtërore dhe mendore, po vuan sot nga të njëjtat sëmundje të kohës së lashtë: nga egoizmi, nga vetëçmimi dhe nga kokëfortësia. Ndërsa gjithë bota ka ndryshuar përpara njeriut, ky në të vërtetë ka ndryshuar fare pak në brendësinë e tij. Etja përvëlonjëse e njeriut për të sunduar të tjerët me anë të forcës brutale qëndron sot po aq e fortë sa në kohën e Qesarëve dhe Neronëve të Romës së Vjetër. Egoizmi, për ta quajtur veten të vetmin gjykatës në botë, nuk është më i paktë sot nga në kohën e Luigjit të XIV-të, që bërtiste më çdo rrugë: “Unë jam shteti”. Mendjemadhësia dhe kokëfortësia e njeriut për ta gjykuar çdo mendim e çdo send të tij “flori e xhevahir” dhe mendimit e tjetrit “bakër e nikel të keq” nuk është më e paktë sot nga kohën e Mesjetës, kur për fanatizmë të verbër dhe për keqkuptime të kota u organizuan kaq kryqëzata fetare për të vrarë njerëzimin, ndërsa profetët kishin predikuar vëllazërimin dhe bashkimin e popujve dhe dashurinë e respektimin e njëri-tjetrit.
“Një shtëpi me dyzet pleq” tregon sëmundjen e madhe të pasionit, të egoizmit, të vetëçmimit, të vetëpëlqimit dhe të absolutizmës, që janë sëmundjet shpirtërore më të rrezikshme që mund ta kapin një shoqëri dhe një komb. Nuk e besoni? Bëni atëherë këtë provë të vogël: I hiqni mënjanë këto epshe të tmerrshme të egërsisë shtazore të jetës së njeriut dhe atëherë do të shikoni se nuk ka asnjë problem që të mos zgjidhet dot me një bisedim të shtruar e të urtë, pa qenë nevoja të vritet as edhe një mizë. Janë këto në mes, herë haptazi, ashtu siç janë me gojë të shqyer vesh më vesh, e herë mbyllazi, nën dhe, të pështjelluara mirë e bukur si shishet e barnave farmakonjëse, që bota sot po kacafytet nga njëri kënd në tjetrin pa kurrfarë mahie. Janë këto epshe shtazore të futura thellë në shpitin e njeriut, që ky edhe pas kaq vjet shkolle e qytetërimi, paraqitet sot aq brutal dhe aq gjakpirës sa t’ua kalojë shumë herë më keq dhe më llahtarshëm edhe bishave më të egra të pyllit, atyre që ka paturpësisht duam të akuzojmë si barbare dhe gjakpirëse, duke harruar sjelljet tona të përditshme që ua kalojnë këtyre jashtë çdo mase e përpjesëtimi.
“Një shtëpi me dyzet pleq”, a ka mundësi të vejë mbarë? A ka fatkeqësi më të madhe në botë kur njerëzit, të një fisi e gjaku, nuk qëndrojnë dot të merren me njëri-tjetrin, të ulen dhe të bisedojnë problemet e tyre shtruar nën hijen e logjikës, të arsyes dhe të mendimit të kthjellët, por nisen gjithsecili të ndjekë një drejtim të ndryshëm nga shoku, nga vëllai, nga miku? E si do të ketë paqe e lumturi, sigurim e jetë një vend, një shoqëri a një komb, kur çdo pjesëtar i tij bëhet udhëheqës dhe flamurtar, kur çdo njeri bëhet edhe komandant edhe gjykatës, edhe plak që jep mend mbi çdo gjë e çdo send që e rrethon me të vërtetë, një komb a një shoqëri që bie në një kaos të këtillë, ku çdo njeri, flet dhe vepron si të dojë, pa marrë parasysh se dhe vëllai e shoku i tij ka një të drejtë shpirti e mendimi, po të aq vlefshëm sa dhe të tijat, ky komb ka rënë në një humnerë aq të rrezikshme sa ka fare pak shpresë jete dhe shpëtimi.
E si i bëhet halli atëherë? A duhet të rrimë ta shikojmë me duar të lidhura këtë humnerë që është hapur përpara jetës sonë si një gropë varri gllabëronjëse? A duhet që të gjithë të bëhemi rob i pasioneve, i egoizmave dhe i kokëfortësisë dhe të ecim drejt greminës dhe shkretimit?
Përgjigja është një dhe e vetme: shoqëritë, popujt dhe kombet, që kanë ndjenjën e ekzistencës së tyre të gjallë, që kanë ëndje të vazhdojnë rrugën e jetës dhe të gjallërisë, kanë vetëm një rrugë shpëtimi, një rrugë të vetme që ka mundësi t’i nxjerrë të gjallë nga kjo luftë e madhe që ka shpërthyer e tmerrshme në të katër anët e globit: Të rrokin Flamurin Kombëtar dhe të bashkohen vëlla me vëlla. Bashkimi ka qenë kurdoherë shpëtimi i njerëzimit. Popujt që nuk e njohin këtë të vërtetë do të zhduken. Popujt që i binden këtij ligji natyral të madhërueshëm, marrtë çdo rrugë e çdo formë bota mbarë, do të rrojnë e do të jenë të fortë, të sigurt dhe të respektuar.
A e duam jetën, Kombin, Atdheun, tokën stërgjyshore që na ka lindur dhe na ka rritur? A duam të respektohemi dhe të jemi të respektuar sot, nesër e kurdoherë? Atëherë, le t’i hedhim mënjanë pasionet dhe egoizmat dhe çdo “izmë” tjetër që na përçan dhe na fut në grindje. Atëherë le të mos shikojnë kush është plak dhe i parë, kush shkon përpara dhe kush pas, por le të punojmë që të gjithë pa përjashtim për të mirën e vendit dhe të shoqërisë sonë, pa pritur të kemi “falënderime” dhe “medalje” në gjoks nga asnjeri dhe nga asnjë anë.
“Shtëpia me dyzet pleq” është në rrezik. Shtëpia e bashkuar me një dëshirë e një qëllim s’ka asnjë rrezik të zhduket se, para Bashkimit çdo pengesë shkrin si akulli përpara diellit.
Beqir Haçi
Botuar në revistën “Njeriu”, nr. 6 (18), dhjetor 1943.