ZEKATI NË KAFSHË
Meqë kafshët konsiderohen pasuri, atëherë s’ka dilemë se edhe për to jepet zekat. Për dhënien e zekatit të kafshëve ekzistojnë shumë hadithe, por më të njohurit janë: hadithi i Ebu Bekrit, që përshkruan sasinë e dhënies së zekatit të deveve dhe hadithi i Muadhit, i cili përshkruan nisabin për dhënien e zekatit të lopëve. Juristët myslimanë, për dhënien e zekatit të kafshëve i kushtëzuan këto arsye:
– Kafsha për të cilën jepet zekati duhet të jetë kafshë shtëpiake, pra të mos jetë kafshë e egër. Sipas dijetarëve të shkollës juridike Hanefi, nëse kafsha që e kemi në pronësi është e lindur nga nëna që është shtëpiake, për to detyrohet zekati, sepse te kafshët fëmija ndërlidhet me nënën e vet.
– Kafsha të jetë saime, që do të thotë ajo kafshë, e cila kalon në kullota gjashtë muaj e më shumë. Në këtë kategori përfshihen kafshët, të cilat nuk janë të përcaktuara për tregti, ngase kafsha e përcaktuar për tregti nuk ka nevojë ta plotësojë këtë kusht.
– Të plotësohet nisabi i kafshëve, i cili është i ndryshëm, varësisht nga lloji i kafshëve.
– Kafsha të plotësojë vitin hënor në pronësinë e pronarit, sepse plotësimi i vitit është kusht, i përfituar nga hadithi i transmetuar nga Ibn Omeri sesi Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka zekat në pasuri pa e plotësuar vitin.”
– Për kafshët, të cilat ruhen për të shtuar llojin e tyre, qofshin kafshë për transport apo ngarkese, bartje (kafshë barre) d.m.th. për punë, nuk jepet zekat.
Llojet e kafshëve për të cilat jepet zekat janë: devetë, lopët, përfshirë edhe buallicat, dhentë dhe dhitë, andaj në vazhdim do të flasim për secilën në veçanti.
Nisabi i zekatit në lopë
Argument për detyrueshmërinë e dhënies së zekatit të lopëve është hadithi i Profetit a.s. kur e dërgoi Muadhin në Jemen dhe e urdhëroi që për çdo 30 lopë të marrë zekat nga një viç motak (njëvjeçar), kurse për çdo 40 lopë të marrë zekat nga një viç, që ka mbushur 2 vjet.
Nga ky hadith i Profetit a.s., përveç asaj që nënkuptohet, detyrueshmëria e zekatit të lopëve, gjithashtu është argument edhe për nisabin e lopëve. Në këtë kategori përfshihen edhe buallicat. Nisabi i lopëve është si vijon:
– Prej 30 deri 39 lopë apo buallica jepet zekat një viç motak (njëvjeçar),
– Nga 40 deri 59 lopë apo buallica jepet zekat një mështjerrë apo viç, që ka mbushur dy vjet,
– Nga 60 deri 79 lopë apo buallica, jepet zekat një mështjerrë apo viç që ka mbushur 2 vjet dhe një që ka mbushur 1 vit.
– Nga 80 deri 89 lopë apo buallica jepen zekat dy mështjerra apo viça që kanë mbushur nga dy vjet.
– Nga 90 deri 99 jepen zekat tre viça që kanë mbushur nga një vit,
– Për 100 lopë ose buallica jepen dy viça që kanë mbushur nga një vit dhe një që ka mbushur dy vjet.
Duke vepruar sipas hadithit të Muadhit, përfitohet rregulli se: në çdo 30 lopë jepet zekat nga një viç që ka mbushur një vit, kurse në çdo 40 krerë jepet zekat nga një mështjerrë apo viç, që ka mbushur 2 vjet. Ky është rregulli që praktikohet për dhënien e zekatit në lopë dhe buallica.
Sipas mendimit të nxënësve të Ebu Hanifes, Imam Ebu Jusufit dhe Imam Muhamedit, jepet edhe fetvaja në shkollën juridike Hanefi, për tepricën prej 40 lopëve derisa të plotësohen 60. Për këtë sasi lopësh nuk jepet asgjë për zekat, por kur të plotësohet ky numër, atëherë jepet zekat një mështjerrë ose viç që ka mbushur dy vjet.
Zekati në kuaj, mushka dhe gomerë
Nëse kuajt, mushkat apo gomerët janë për tregti, atëherë ato kafshë radhiten në mallrat e tregtisë dhe për to jepet zekat. Imam Ebu Hanifja është i mendimit se për ato kafshë që kullosin të lira (saime) dhe të përziera meshkuj dhe femra ose vetëm femra, e ruhen për shtimin e tyre, pronari i tyre detyrohet me dhënie të zekatit. Pronari i tyre në këtë rast ka të drejtë të zgjedhë, nëse dëshiron për çdo kalë jep zekat nga një dinar (monedhë), e, nëse jo, atëherë i shndërron në vlerë dhe për çdo 200 dërhemë jep zekat nga pesë dërhemë ngjashëm si zekati në mallra tregtie. Argumenti ku mbështetet ky mendim është hadithi i transmetuar nga Xhabiri r.a., i cili ka thënë: “Për çdo kalë që ushqehet në kullota, jepet një dinar ose dhjetë dërhemë.” (Bejhekiu)
Kundër mendimit të Imam Ebu Hanifes, janë dy nxënësit e tij, Imam Muhamedi dhe Imam Ebu Jusufi, që thonë se për kuaj, gomerë dhe mushka nuk jepet zekat fare, veçse kur ato janë për mallra tregtie, andaj edhe fetvaja në shkollën juridike Hanefi, jepet sipas mendimit të tyre.
Nisabi i zekatit në kafshë të imëta-dele dhe dhi
Zekati në kafshë të imëta përfshin dele dhe dhi. Argumenti për detyrueshmërinë e zekatit në dele është hadithi i Enesit, për shkresën e Ebu Bekrit, ku thotë: “Në zekatin e dhenve të cilat kullosin (saime), nëse janë 40 deri në 120, jepet një dele.” Nisabi prej ku fillon detyrueshmëria e zekatit në kafshë të imëta është si vijon:
Prej 40 – 120 – një dele;
Prej 121 – 200 – dy dele;
Prej 201 – 399 – tri dele;
Prej 400 – 499 – katër dele;
Më pas, për çdo 100 dele mbi numrin 499, jepet një dele.
Në këtë kategori të zekatit përfshihen edhe dhitë. Nëse bagëtia është e përzier dhen dhe dhi, atëherë zekati jepet prej atij lloji që janë më shumë, e nëse janë të barabarta në numër, atëherë zekati jepet sipas dëshirës. Nëse nuk plotësohet nisabi, fjala vjen sikur të jenë 39 dele, në këtë rast nuk jepet zekat, me përjashtim nëse këtë e bën vullnetarisht pronari i mallit. Delja ose dhia, e cila do të jepet për zekat, patjetër duhet të ketë mbushur një vit.
Kafshët që i merr grumbulluesi i zekatit
Prijësi shtetëror, respektivisht institucioni përgjejgës që merret me mbledhjen e grumbullimin e pasurisë së zekatit, angazhon njerëz për të dalë në terren dhe për ta tubuar zekatin.
Sipas mendimit të juristëve të medhhebit hanefi, njerëzit e angazhuar në terren për tubimin e zekatit, duhet të jenë të drejtë dhe njohës të çështjeve të zekatit. Tubuesit e zekatit nuk kanë të drejtë të marrin për zekat kafshët më të mira, sepse dëmtohet pronari i kafshëve, vetëm nëse këtë e dhuron pronari i tyre. Gjithashtu, nuk kanë të drejtë të marrin më të dobëtën e kafshëve, ngase me këtë dëmtojnë interesin e të varfërve. Tubuesit e zekatit nuk kanë të drejtë ta marrin as kafshën, e cila ka të voglin e saj që është duke pirë qumësht nga nëna e vet, e as kafshën barrsë, e cila ka të voglin në barkun e saj.
Tubuesit e zekatit nuk guxojnë që të marrin zekat te devetë nga gjinia mashkullore, por vetëm femra, sepse kjo është çështje e caktuar tekstualisht përmes haditheve të Profetit a.s. Ata kanë të drejtë të pranojnë edhe kundërvlerën e tyre, kurse te kafshët e tjera mund të marrin zekat edhe nga gjinia mashkullore e jo vetëm nga ajo femërore.