• July 10, 2020

Në kërkim të dashurisë sublime

“Dashuria është eliksiri që e kthen gurin në flori, dëlirëson shpirtin dhe i fal njeriut forcë, guxim e krenari, është uji i jetës të cilin njeriu e kërkon me aq etje.” Ali Ynal

Në një botë ku teknologjia e ka tejkaluar edhe kohën, ngrihet një problem akoma edhe më i madh, boshllëku shpirtëror që ajo krijon. Një boshllëk sado i vogël qoftë ai nuk mund ta mbushnin as “shpikjet” apo arritjet më të fundit, sepse teknologjia nuk e ka dhe nuk ka për ta gjetur formulën e lumturisë, për të mbushur këtë zbrazëtirë, këtë hon të thellë.

Modernizmi krah të cilit rrinë zhvillimi dhe globalizimi, ka bërë që njeriu t’i përvishet punës për përmbushjen e nevojave materiale, duke lënë pas dore ato shpirtërore. Ne, njerëzit sot, jetojmë në “dy botë”, një pjesë e të cilëve rendin kah materializmi dhe një pjesë tjetër e cila kërkon dhe gjen shpirtëroren. Se cila nga këto dy botë ka më shumë ndjekës nuk jam në gjendje ta them, por mund të them se çdo ditë e më shumë shihet një vrapim drejt botës shpirtërore, vrapim i cili sjell edhe zgjerimin e vazhdueshëm të saj.

“Është fakt që modernizmi ka shtënë egoizëm në qeniet njerëzore, duke i bërë aq të parëndësishëm, sa të bëhen pothuajse të padukshëm. Modernizmi i ka larguar njerëzit nga gjithçka që ata mbajnë të shenjtë, humane dhe etike, nga dashuria, përkujdesja, përkushtimi dhe vetësakrifica.”[1] Por në këtë botë ku gjithçka është përdhosur, ku e keqja bën karshillëk ditën me diell dhe ka infektuar çdo gjë, vetëm ajo (dashuria) mbetet e pa prekur. Mund të jetë e mënjanuar, e lënë diku në skuta të veçanta por e pa cenuar, sepse nuk ka forcë të së keqes që ta mposhtë atë.

Përpara çdo njeriu qëndrojnë miliona dyer të hapura që presin hyrjen e tij, qëndrojnë hapur dyert e dashurisë, por njeriu, në vend që të synojë sublimen e të përsosshmen, çoroditet pas gjërave të rëndomta e kalimtare, sepse vendin e dashurisë e ka zënë thashethemnaja, meskiniteti, smira, banaliteti, që ngërthehen aq shumë në brendinë e individit saqë nuk e lënë atë të mendojë objektivisht, pozitivisht.

Mesa duket ne jemi larguar nga burimi i dashurisë. Gjithçka varet nga raporte interesash të ulëta e përfitimi. “Shpirtrat e sëmurë të atyre që mohuan gjithçka, kanë nevojë për dashuri dhe mëshirë më shumë se kurrë, që të rilindin sërish, të heqin vellon e katranit e t’u ndrijë fytyra sërish.”

Por ka edhe nga ata njerëz të “mëdhenj” që nuk merren me gjëra të vogla dhe të rëndomta, por ia kushtojnë jetën gjërave të mëdha, dashurisë. Duke ecur mbi platformën e brishtë të kohës dhe veprimit, qeniet njerëzore kanë filluar të mendojnë seriozisht, se nuk qenka vetëm materializmi ai për të cilin kemi nevojë, por se shpirti ka një uri dhe një etje që nuk e ngop gjë tjetër veçse dashuria, mirësia e paqja. Rruga e dashurisë është e hapur për gjithsecilin, por udhëtari i saj duhet të jetë i sinqertë dhe i përkushtuar.

Ajo është shkaku i ekzistencës së gjithësisë, është drita dhe jeta e universit. Dashuria, siç thotë një mendimtar i njohur, është ndjenja e parë që e zgjon njeriun, djepi i parë ku ai përkundet. “Në zemrën e njeriut është përqendruar një dashuri që përfshin gjithë ekzistencën.”[2] Dhe padyshim që “botën e ndritur e të lumtur të së ardhmes mund ta ndërtojnë vetëm ata heronj të dashurisë, që veprojnë në emër të saj.”[3]

Gjithçka na rrethon shpreh dashuri, është dashuri. Vallë a e kuptojmë ne se dielli ndërsa lind e perëndon, yjet ndërsa vezullojnë, petalet e lules teksa shtrijnë krahët, cicërimat e zogjve, era që lehtas fytyrën përkëdhel, përçojnë mesazhin e një dashurie të pafund?!

Një ditë kur çdo gjë do të zhduket, të thërrmohet e të bëhet hi, ajo do të jetojë. Do të lulëzojë në zemrat e shpirtrat e mirë, si një filiz i pavdekshëm. Por një dashuri të tillë jo të gjithë e kërkojnë, por edhe ata që e kërkojnë jo të gjithë e gjejnë. Një gjë është e sigurt, ajo gjithmonë do t’i gjejë ndjekësit e saj, të përvëluar e të “çmendur” për të.

Çdo dashuri në këtë botë është e destinuar që të vdesë. Vetëm ajo nuk vdes kurrë, ajo është e përjetshme. Një dashuri e tillë nuk është e pamundur, ajo kërkohet dhe gjendet, duke medituar, duke reflektuar e duke lexuar Librin e Gjithësisë, e më pas duke hapur zemrën që ajo të hyjë, siç thotë Gylen “dashuria rritet dhe zhvillohet në gjirin e diturisë. Ata të cilët nuk janë të ditur nuk mund të dashurojnë gjithçka…”

Argumentet do të të çojnë në portën e saj, por brenda nuk mund të të fusin. Aty logjika e kualifikimi s’bën punë, aty duhet një lidhje e përshpirt, një lidhje që vetëm zemra e pastër mund ta realizojë. Të lumtur do të jenë ata që do ta gjejnë e do ta mbajnë fort pas vetes, që do ta bëjnë pjesë të jetës së tyre, në çdo frymëmarrje, e për ta në mes të shkretëtirës do të valëviten flamujt e shpëtimit, sepse “zemrat që nuk njohin dashurinë, nuk mund të shpëtojnë dot nga labirintet e vërteta të egos… Jetojnë e vdesin pa e kuptuar atë dashuri pafund që ka në themel ekzistenca.”[4]

Ne duhet ta kërkojmë këtë dashuri, dashurinë sublime, pavarësisht se në ç’rrugë të vështira do të na duhet të kalojmë, “mjafton që kjo rrugë të mbarojë në majën e besimit dhe në pikën e fundit të të përkryerës”[5] Dyert e dashurisë janë të mbyllura ndaj çdo pesimizmi dhe harmoninë e saj nuk e prish asgjë, zemrat me dashuri kurrë nuk do të vyshken por do të lulëzojnë nën dritën e saj. “Kudo ku është dëgjuar zëri i dashurisë, i butë dhe i ëmbël si një ninullë, të gjithë zërat e tjerë, të gjithë instrumentet kanë heshtur dhe të gjithë të bashkuar kanë soditur në qetësi melodinë e saj.”[6]

Edhe nëse do të jetonin qindra e mijëra vjet, shpirtrat pa dashuri nuk do të mund të ngriheshin kurrë në horizontin e përsosjes njerëzore. Drejt të përsosurës dhe së përkryerës shkohet duke sakrifikuar veten për të tjerët, duke dashur për fqinjin atë që do për veten, duke dhënë jetën për hir të fëmijës tënd, duke ia kushtuar jetën lumturisë për të tjerët, duke jetuar e duke vdekur për gjithë njerëzimin.

“Ata që arrijnë këtë dashuri sublime, janë të mëdhenj në vogëlsinë e tyre, të fuqishëm në pafuqinë e tyre, mjaft të pasur në varfërinë e tyre, për të merituar mbarë universin.”

Postime të mëparshëm

Shpëtimtari ynë!

Postime të rradhës

Es salatu hajrun minen neum