SHBA, shkenca “flet” shqip përmes medresistëve

Nga Ferit Lika

Aurel Jolla nga Elbasani dhe Robert Vinjolli nga Kruja, konkurruan në fushën e inxhinierisë dhe morën vendin e tretë (medalje bronzi). Andi Alla nga Librazhdi dhe Dorian Beu nga Kavaja, konkurruan në fushën e mjedisit dhe fituan çmimin e katërt (medalje nderi).

Ata janë katër, jo katër musketierët e Kate Baldwin, por katër nxënësit më të talentuar të Medresesë së Tiranës. Ata janë: Aureli, Roberti, Andi dhe Doriani. Historia e tyre është një histori suksesi, njësoj si ajo e musketierëve, jo në forcë, por në mençuri. Pikërisht kjo zgjuarsi prej gjeniu i bëri ata që të fitojnë medalje në Teksas të SHBA-së, në konkursin I SWEEP.

Ndër 68 vende pjesëmarrëse me mbi 550 projekte dhe mes 1100 “shkencëtarëve” të rinj, djemtë e medresesë arritën të renditen ndër më të mirët.

Ata janë vetëm 16 dhe 17 vjeç dhe flasin me një pasion të jashtëzakonshëm për shkencën teknologjinë, mjedisin, për çdo gjë, me një finesë dhe me një elokuencë të admirueshme në komunikim.

I SWEEP

Olimpiada ndërkombëtare e zhvillimit të ideve të reja inxhinierike, energjetike dhe mjedisore, ndryshe I SWEEP, funksionon në mënyrë të tillë që, nga secili vend i botës dërgohen projekte nga shkolla të ndryshme të mesme, më pas juria përzgjedh për fazën finale vetëm disa prej tyre. Nga Shqipëria u dërguan gati 25 projekte dhe vetëm 4 prej tyre arritën të kualifikoheshin, dy projektet e Medresesë së Tiranës dhe dy projekte nga kolegji turk “Turgut Ozal”.

“Ne aplikuam në këtë kompeticion dhe u përzgjodhëm. Kishim gati 6 muaj që përgatisnim këto projekte dhe u shpërblyem. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, për Medresenë e Tiranës, kjo nuk është hera e parë që medresistët shqiptarë marrin një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar në të tilla kompeticione dhe ky fakt ne si mësues na gëzon dhe entuziazmon pa masë”, tregon profesori i Fizikës, Fatih Karaosmanoglu, i cili ka qenë edhe supervizori i nxënësve në përgatitjen e projekteve.

Në historinë e medreseve pjesëmarrja në konkurse të tilla nuk është një gjë e re. Çdo vit nxënës të këtyre shkollave marrin pjesë në gara të rëndësishme kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare ku dhe kanë marrë mjaft çmime. Një vit më parë medreseja e Cërrikut mori pjesë në I SWEEP dhe në një konkurs në Holandë. Mes mijëra konkurruesve ata dolën më të mirët, ku morën medalje ari dhe argjendi. Gjithashtu në maturën e vjetshme shtetërore në provimin e letërsisë, nxënësit e medresesë u pozicionuan në vend të dytë dhe të tretë në rang kombëtar.

I pyetur se ç’do të thotë kjo për një shkollë si medreseja, profesori i Fizikës tregon se, është një gjë mjaft e rëndësishme për shkollën dhe një vlerësim i një pune 6 mujore që nxënësit ia kushtuan përgatitjes, në disa raste deri në orët e vona pas mesnate.

“Ky çmim është shumë i rëndësishëm dhe do të thotë shumë, pasi këtu tek ne (në Shqipëri) ekziston një paragjykim se kjo shkollë është vetëm fetare, por në realitet këtu bëhet një ndërthurje mes njohurive fetare dhe atyre shkencore. Medalja që ne morëm e tregon mjaft mirë këtë, pra se çfarë cilësie e niveli arsimor ka kjo medrese, por edhe medresetë e tjera. Ishte një vlerësim mjaft i lartë”, shprehet i kënaqur Karaosmanoglu.

Vetë nxënësit flasin me entuziazëm këtë eksperiencë të veçantë të tyren. Konkurruam në fushën inxhinierisë e mjedisit, ishim mjaft të përgatitur dhe besojmë se ia dolëm. Edhe në shumë olimpiada të tjera ne kemi marrë mjaft çmime, në olimpiadën e Turqishtes, Matematikës, Letërsisë, etj, por ky ishte goxha i rëndësishëm, tregojnë ata.

Ndërsa Aureli nuk nguron të shprehë atdhedashurinë dhe krenarinë e të qenit shqiptar. “Jemi krenarë për rezultatin që arritëm, por mbi të gjitha për faktin që përfaqësuam denjësisht Shqipërinë”, thotë ai.

“Të prodhojmë beton rezistent, duke pastruar ambientin nga mbetjet e kromit”

Projekti i Aurelit dhe Robertit

Projekti i tyre kishte të bënte me inxhinierinë. Çdo ditë nga minierat nxirret krom, i cili nuk është i pastër duke mbartur me vete edhe mbetje të tjera. Për të marrë kromin e pastër bëhet shkrirja e tij në temperatura të larta, ndërsa mbetjet hidhen, pasi konsiderohen të padobishme.

“Ne morëm pjesë nga këto mbetje dhe i copëtuam në katër milimetra copën në formën e rërës, të gatshme për t’i përdorur në përzierjen e betonit. Pasi studiuam vetitë e kësaj lënde të përftuar, studiuam gjithashtu edhe vetitë e betonit në laboratorin e Universitetit “Epoka” dhe në Institutin e Ndërtimeve. Kur i përziem me njëri-tjetrin na rezultoi që forca shtytëse e këtij betoni në krahasim me betonin normal u rrit me 34 %, ndërsa fleksibiliteti (përkulja) u rrit me 39 %. Ky rezultat tregon se duke përdorur këtë lëndë përfitojmë një beton më të fortë dhe më rezistent dhe kështu pastrojmë ambientin”, tregon Roberti.

Në Burrel, fabrikat e përpunimit të kromit nxjerrin mjaft nga kjo lëndë. Që nga 1980 e këtej ka filluar me ritme të larta përpunimi i kromit. Vit pas viti tonelata të kësaj lënde hidhen vend e pa vend, duke u kthyer në një kërcënim serioz për mjedisin dhe shëndetin tonë.

Por ata thonë se projekti i tyre është internacional, jo vetëm për Shqipërinë, pasi mbetje të tilla kromi ka në Kinë, Afrikën e Jugut, Brazil, Turqi, Rusi, etj.

Si lindi ideja

Po si u lindi ideja e këtyre dy të rinjve? Nga mbetjet e kromit që hidhen përditë në mjedisin e virgjër duke shkaktuar dëme të mëdha, të transmetuara edhe në lajme, ata filluan të kërkonin dhe hulumtonim, mbi vetitë e tyre dhe doli që përveç efektit negativ që kanë në mjedis, ato kishin edhe një efekt shumë pozitiv nëse i nënshtroheshin një faze përpunimi, ç’ka shtonte fortësinë dhe fleksibilitetin e betonit, siç e vërtetuan dhe testet më pas.

“Ka pas raste që bashkë me profesorin pothuajse për një javë rresht kemi qëndruar deri në dy të natës duke përgatitur projektin”, tregon Roberti nga Kruja, i cili nuk qëndron në konvikt, por gjatë kohës së projektit i është dashur të sistemohet aty, për të kursyer sa më shumë kohë. Lidhur me planet e tyre të ardhshme edhe pse thonë që ka ende kohë pasi kanë edhe një vit shkollë, ata i kanë të qarta objektivat.

“Kemi marrë bursë nga “North American College” nga çmimet që morëm nga ky projekt – tregon me emocion Aureli nga Elbasani, – që më ka pëlqyer goxha. Jam njohur më shumë me inxhinierinë dhe mendoj që të vazhdoj në këtë fushë.”

“Një mënyrë e re dhe e lehtë për të pastruar derdhjet e naftës në det”

Projekti i Andit dhe Dorianit

Edhe projekti i dy të rinjve të tjerë që zunë vendin e katërt, është mjaft interesant. Projekti i tyre konsiston në kategorinë e mjedisit, përdorimin e pjesëve të bimës së lulediellit për të minimizuar ndotjen e detit nga nafta.

Derdhjet e naftës në det shkaktojnë dëme kolosale në mjedis, ekosistemet shkatërrohen, kryesisht ato ujore, dhe duhen disa dekada që mjedisi ujor të rikthehet në gjendje normale.

“Projekti ynë lidhet me përdorimin e kërcellit të bimës së lulediellit, konkretisht palcës së saj, një material i butë i bardhë. Ne e morëm këtë material e thamë në furrë në mënyrë që t’i kullonte ai pak ujë që kishte në vetvete dhe më pas e thërrmuam duke e bërë pluhur. Pra, kaluam në procesin e shirjes. Vijuam me eksperimentet duke e vendosur këtë material në një sitë dhe i hodhëm mbi të naftë dhe pamë që 1 gram nga ky pluhur thithte 30 gram naftë. Raporti 1/30 që përftuam ishte goxha shpresëdhënës. Më pas e provuam vetëm me ujë dhe vumë re se thithte shumë pak ose aspak dhe kur i provuam të dy përbërësit, ujin dhe naftën njëherësh, pamë që pluhuri thithte më shumë naftë, ndërsa ujin e nxirrte poshtë sitës”, shpjegojnë Andi dhe Doriani.

Realizimi në terren

Sipas tyre realizimi në terren i këtij projekti është tepër i lehtë dhe nuk kërkon ndonjë kosto të madhe. Në rastin e aksidenteve detare që sjellin derdhje të naftës në det, nafta për shkak të dendësisë së saj më të ulët pluskon mbi ujë, në sipërfaqe. Pasi të jetë përgatitur pluhuri, hidhet në këtë zonë dhe ajo thith naftën dhe jo ujin. Pastaj me anë të makinerive të posaçme, ky material mblidhet e kështu bëhet pastrimi.

“Janë përdorur edhe teknika të tjera më parë për pastrimin e kësaj ndotje. P.sh. është përdorur tallashi, por nuk ka rezultuar efektiv pasi thithte me shumë ujë sesa naftë”, tregojnë të rinjtë.

Si lindi ideja

Andi dhe Doriani tregojnë se ishte fare rastësore. “Ishim në orën e biologjisë dhe profesori po na tregonte një kuriozitet se si përdorimi i bimës së lulediellit në sapun është shumë i efektshëm dhe me më shumë veti pastruese dhe ne menduam ta provonim edhe në këtë rast, pasi kishim dëgjuar shumë për tentativat e pastrimin e detit nga derdhjet e naftës.”

Avantazhet janë disa. Pikësëpari është ana ekonomike, pasi kultivimi i plantacioneve të kësaj bime nuk kushton shumë, fare pak. Së dyti, harta e gjerë e mbjelljes, mund të kultivohet në çdo vend të botës, pra nuk është e vështirë për t’u gjetur dhe mund të transportohet shumë lehtë. Së treti, fitimi i kultivuesve. Ata që deri tani i kanë hedhur mbetjet e lulediellit (kërcellin), me realizimin e këtij projekti do të mund t’i shesin ato. Kështu që edhe ata fitojnë nga një pjesë e produktit që më parë e hidhnin në plehra apo e digjnin duke ndotur mjedisin.

Krenarë për vendin tonë

Ata, katër të dalluarit e kësaj shkolle, tregojnë se ndiheshin krenarë që po përfaqësonin Shqipërinë, shkollën dhe veten. “Sidomos kur na dhanë çmimin, kemi dalë atje me flamurin shqiptar. Shumë shqiptarë me banim në Hjuston, kishin ardhur dhe brohorisnin duke krijuar një atmosferë prekëse dhe emocionuese njëkohësisht”, shprehet Aureli.

Ata gjithashtu me një ndjenjë modestie rrëfejnë se u përpoqën të japin maksimumin, dhe se patën kohën e mjaftueshme. “Besoj se ishim goxha mirë, edhe pse ishte hera e parë për ne, një eksperiencë e re pasi nuk kishim patur ndonjëherë rastin të merrnim pjesë në kompeticone të tilla. Ne bëmë atë që kishim në dorë, dhamë më të mirën tonë. Kur jep maksimumin të tjerat pastaj vijnë vetë. Shkuam, prezantuam një projekt tonin edhe nëse nuk do të na jepej çmimi, përsëri nuk do të na kishte ngelur pishman pasi ne bëmë maksimumin e mundshëm dhe mbi të gjitha u kënaqëm”, thotë Doriani.

Ata gjithashtu falënderojnë profesorët për ndihmesën dhe lehtësirat e krijuara. “Nëse do të ishim në ndonjë shkollë tjetër, nuk besoj se do të na ishte dhënë kjo mundësi, ky favor dhe kjo mbështetje që na u dha këtu dhe për këtë i jemi shumë mirënjohës të gjithë profesorëve, sidomos profesorit të Fizikës, i cili na ka ndihmuar dhe inkurajuar”, thotë Andi.

Projektet e tyre janë pëlqyer shumë në SHBA. Universitete të ndryshme ua kanë kërkuar këtë projekt, kanë lidhur kontaktet me ta për të biseduar e për të parë se ç’mund të bëhet në të ardhmen.

Kur i pyet se kujt ia dedikojnë këtë sukses, ata përgjigjen pothuajse në një zë “shkollës, profesorit, por mbi të gjitha Shqipërisë, vendit tonë, sigurisht edhe familjeve tona, të cilat na kanë mbështetur në këtë iniciativë”.

Pavarësisht gjithçkaje, mjafton pjesëmarrja siç thotë dhe Aureli se “kur shkon dhe merr pjesë në një konkurs jashtë vendit sado i vogël të jetë, të jep një kënaqësi, krenari dhe një emocion të veçantë, pasi ti po përfaqëson vendin tënd atje dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Ata tregojnë gjithashtu se një moment tjetër tepër emocionues është, pritja që i bënë në aeroportin e Tiranës, ku familjarë, nxënës e mësues, miq e të afërm me flamuj në duar duartrokisnin e brohorisnin për ta.

Ata janë katër heronj të heshtur, të aftë e të përkushtuar në studime, ata janë modeli i një shkolle të përkryer. Por që projektet e tyre të mos mbeten thjesht në provëzat dhe epruvetat e laboratorëve, të mos mbeten thjesht në tavolinat e konkurseve, ata kanë nevojë për mbështetje, për dorën e shtetit tonë, shtetit të tyre, për të cilin ata ndihen krenarë, edhe pse në raste të tilla tregohet dorështrënguar më tepër se ç’duhet.

Sot nuk është më e pamundur, shkencëtarët mund të jenë edhe nga Shqipëria.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: