Personi që kishte vrarë njëqind njerëz

Tregon Ebu Said r.a se Profeti a.s kishte thënë:

Kohë më parë ka jetuar një person i cili kishte vrarë 99 veta. Fillon të kërkojë për njeriun më të ditur në botë dhe njerëzit e drejtojnë te një prift. Shkon te prifti i tregon për veprën që kishte kryer dhe e pyet nëse kishte ndonjë mundësi pendimi për të.

–           Jo nuk ke mundësi pendimi! I thotë prifti. Ai e vret dhe priftin duke plotësuar kështu njëqind.

Vazhdon të kërkojë akoma njeriun më të ditur, por këtë herë e drejtojnë te një dijetar. Shkon pranë dijetarit pasi i tregon se kishte vrarë 100 veta, e pyet nëse ka mundësi pendimi për të?

–           Po, ka, kush mund të pengojë pendimin që do të bësh ti? I tha dhe shtoi diçka tjetër:

–           Por, ti duhet të largohesh nga ky vend. Sepse ti do të shkosh në një vend ku gjenden një popull i cili e adhuron Allahun, dhe ti do të rrish atje me ta, nuk do të kthehesh më në vendin tënd, sepse ai është një vend i ligë.

Njeriu u nis dhe kur arriti në gjysmë të rrugës i erdhi vdekja.

Atëherë erdhën engjëjt e mëshirës dhe engjëjt e dënimit dhe filluan të diskutonin.

Engjëjt e mëshirës thanë:

–           Ai ka ardhur deri këtu i penduar për mëkatet me zemër të drejtuar nga Allahu i Madhërishëm.

Kurse engjëjt e dënimit thanë:

–           Asnjëherë më parë nuk ka bërë mirë.

Atëherë këtyre engjëjve u vjen një engjëll tjetër në formë njeriu dhe këta e marrin për gjykatës, që të gjykojë se kush ka të drejtë.

Ky u thotë: Matni distancën mes dy vendeve, vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve. Më afër cilit vend të jetë, atij vendi i takon.

Engjëjt e matën hapësirën mes dy vendeve dhe panë se i penduari ishte më afër vendit që synonte (të adhurimit), prandaj e morën engjëjt e mëshirës.”

Në Sahih Buhari është ky transmetim:
“Njeriu i penduar ishte më afër vendit të ibadetit vetëm për një pëllëmbë, prandaj u llogarit si banor i xhennetit.” Po ashtu, në Sahih Buhari i shtohet edhe ky citat: “Allahu e urdhëron këtë tokë të largohet, kurse tokën tjetër që të afrohet, pastaj tha: “Mateni largësinë e dy vendeve” dhe engjëjt panë se i penduari është vetëm për një pëllëmbë më afër vendit të adhurimit, prandaj iu falën mëkatet.” Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Me gjoksin e tij ishte i drejtuar nga vendi i pendimit.”

Burimi: Buhari, Enbija 50; Muslim, Teube 46, (2766); İbnu Maxhe, Dijat 2, (2621).

 

Përgatiti: Marius Tafani

© URTËSI.AL

Postime të ngashme