Profeti Ynë (15) – Udhëzim hyjnor në mbrojtjen dhe mbështetjen e Tij

Ebu Talibi tashmë tregohej më tepër i kujdesshëm për nipin e tij të vogël. Me të dëgjuar edhe ato që tha Bahira, krahas gjithë atyre gjërave që kishte dëgjuar deri më tash, ai përpëlitej në përkujdesjen karshi të nipit, më tepër nga një lloj frike që e trembte se mos ndonjë gjë e keqe i ndodhte fëmijës së të vëllait.

Zaten, i nipi ishte rritur dhe ishte zhvilluar goxha trupërisht, aq sa mund të tërhiqte vëmendjen e kujtdo që e shihte. Ç’është më e çuditshmja dhe e veçanta, ai kishte disa mendime të ndryshme nga të të tjerëve. Ai nuk reshtte asnjëherë së analizuari çdo veprim në bazë të kritereve dhe parimeve të veta etike, duke arritur gjithnjë në përfundime të shëndosha. Prej këndej zinte fill edhe urrejtja e Tij ndaj idhujve të asaj kohe. Lëre që Ai nuk i afrohej fare lojërave të pahijshme që u afroheshin kushërinjtë e Tij, por Ai u largohej atyre me sa të mundej. Shkurt, në vend të mënyrës së jetesës që u ofronin ata që i rrinin pranë, Ai kishte një filozofi të vetën të jetës. Sepse Ai ishte i zgjedhuri midis syresh, pikërisht për të gjetur zgjidhjen e problemeve jetësore që e kishin ngërthyer mbarë njerëzimin. Dhe me çdo sjellje të Tijën, Ai mundohej që ta përfaqësonte këtë përzgjedhje.

Në vendin e quajtur Buvane gjendej një idhull, për të cilën mbarë kurejshët tregonin një interes tejet të veçantë, madje ata vinin disa herë brenda një viti për të kryer aty adhurime dhe lutje nga më të ndryshmet. Nganjëherë rrinin nga një gjysmë dite, ndërsa në disa ditë të tjera nga një ditë të tërë. Me të mbërritur, qethnin flokët dhe shtriheshin, njëlloj sikur t’i qëndronin dikujt me temena.

Sërish, në një kohë të këtillë, Ebu Talibi e mori sërish me vete nipin e tij, Muhamedin e nderuar për të shkuar kësaj here në Buvane. Sapo e ftoi, mori një reagim shumë të ftohtë dhe të menjëhershëm. E si mund të shkonte? A nuk ishte ai një njeri i përzgjedhur pikërisht për të zhdukur këtë farë dukurie? Ende nuk i ishte kumtuar detyra e shenjtë e profetësisë, mirëpo Ai prapëseprapë nuk dilte jashtë kornizës së sjelljeve që do ta karakterizonin këtë profetësi në vijim. Ai kurrsesi nuk mund t’i përgjigjej me “po!” asaj mendësie të prapë.

Ebu Talibi, i cili mori kësaj here një përgjigje krejt të papritur nga nipi i tij, fillimisht u nxeh, megjithëse nuk ishte vetëm ai që nxehej. Në mes ndërhynë edhe hallat e Profetit tonë paqja qoftë mbi Të!:

O Muhamed, e ç’kërkon të bësh duke mos ardhur te zotat tanë me familjen tënde në këtë ditë feste? Me të vërtetë që po na frikëson, sepse duke u larguar prej zotave, ty mund të të vijë ndonjë e keqe, – e kritikuan ato të nipin ende të vogël.

Po, patjetër që ata ishin të mëdhenjtë e Tij; nuk duhej treguar kurrfarë mungesë respekti karshi tyre. Mirëpo, edhe ato që thoshin ata ishin kryekrejet të papranueshme, për më tepër, ato bëheshin akoma më të çuditshme kur ata ngulnin këmbë në mendimin e tyre, derisa i Dashuri ynë Famëlartë u mërzit prej bisedave, për t’u larguar njëherë e mirë prej mexhlisit të mbledhur. Mendoi se do të ishte më mirë që të tërhiqej për pak çaste në vetminë e tij. Ai donte ta qetësonte veten nga kjo atmosferë mbytëse që kishte formuar mendimi idhujtar.

Pas pak çastesh, Më Besniku ndër njerëz u kthye shumë i shqetësuar dhe i frikësuar njëherësh. Aq sa edhe hallat e Tij u shqetësuan edhe më tepër kur e panë.

Çfarë të ka ndodhur? Pse je kaq i frikësuar, – e pyesnin duke u munduar që ta qetësonin të nipin njëfarësoj.

Kam frikë se mund të më ndodhë ndonjë gjë e keqe, – iu përgjigj i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të!

Mos u mërzit! Allahu nuk ka për të sprovuar ty me anë të djallit. Sepse me sa kemi parë ne, ti ke vetëm cilësi të mira, – i tha njëra prej tyre. Ishte e pamundur që përpjekjet e tyre për ta qetësuar t’i vendosnin pikën shqetësimeve të Tij, por mesa dukej kishte ardhur koha që Ai t’u fliste atyre për ndryshimin që Ai vetë kishte prej të tjerëve. Andaj, ai filloi t’u thoshte:

Sa herë që u afrohem idhujve tuaj, përpara më del një burrë i gjatë, i veshur në të bardha qelibar, i cili më thotë:

Kurrën e kurrës mos iu afro atyre, dhe mos lëviz prej vendit ku ndodhesh.

Kjo ishte biseda e fundit në lidhje me këtë temë. Një temë e tillë as që do të zihej më në gojë prej asnjërit prej tyre.[1]

Nuk ka dyshim, që Ai ishte nën një mbrojtje të veçantë hyjnore. Një ditë prej ditësh, teksa po kulloste delet në të dalë të Mekës, i kishte kërkuar leje shokut që kishte pranë për të shkuar njëherë deri në qytet. Shoku e pranoi kërkesën e Muhamedit të vogël, duke i thënë që të mos bëhej merak se do të kujdesej ai për delet derisa Ai të kthehej. Nuk kishte hyrë ende në Mekë, kur dëgjoi një zë që jehonte në hapësirë. Ishte një lajmërim-ftesë për në një dasëm. Donte së tepërmi që t’i kuptonte të gjitha ato që ndodhnin aty, kur ç’të mendojë, nga pas veshit ndjeu një goxha të goditur. I ra të fikët. Kaloi një kohë e gjatë, me ç’dukej, e ai erdhi në vete veçse në saje të rrezeve të forta dhe përvëluese të diellit. U çua ashtu i pluhurosur, për t’u kthyer menjëherë pranë shokut të Tij që po kulloste kopenë e deleve.[2]

Përgjatë punimeve që bëheshin për meremetimin e Qabes, Muhamedi i nderuar paqja qoftë mbi Të! kujdesej që të mos të mungonte në ndihmesë ndaj xhaxhait të Tij, Abasit. Gurët ishin të rëndë, dhe në të shumtën e herëve, ata shkaktonin plagë të dhimbshme në supe. Kështu ndodhi edhe me supin e të Dërguarit të Allahut sal’lallahu alejhi ue sel’lem. Xhaxhai e kuptoi gjendjen, andaj iu afrua që ta këshillonte:

Merre një pjesë të rrobës sate dhe vendose te supi, që mos të të rripet lëkura nga ashpërsia e gurit, – i tha ai.

Muhamedit të shtrenjtë i pëlqeu së tepërmi këshilla e ungjit të Tij, andaj vendosi që ta zbatonte pa një e pa dy, mirëpo me ta ngritur pak mbulesën për te supi i Tij, filluan t’i merreshin mendtë, derisa ra ashtu përdhe si i pllakosur. Kur erdhi në vete, filloi të belbëzonte:

Mbulesa ime! Filloi të këlthiste me të njëjtat fjalë, duke e shtrënguar fort e më fort rrobën që kishte veshur. Nuk do të ndodhte më asnjëherë tjetër, që Ai t’i tregonte ndokujt pjesët e ndaluara për t’u hapur të trupit.[3]

[1] Ibni Sad, tabakat, 1/158; Halebi, Insanu’l ujun, 1/164

[2] Suhejli, Radu’l Unf, 1/81

[3] Buhari, sahih, 1/143; Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/310; Halebi, Ujunu’l-Eser, 1/105

Postime të ngashme

%d bloggers like this: