Përballimi i katastrofave natyrore nëpërmjet besimit

Ditët e fundit kemi dëgjuar dhe jemi përballur me një katastrofë natyrore, e cila ka prekur gjithësecilin prej nesh në forma të ndryshme. Komuniteti shkencor përcakton se këto katastrofa vijnë si pasojë e fenomenit të ngrohjes globale, apo shkaqe të tjera natyrore, të përcaktuara brenda ligjeve të fizikës. Por, si çdo gjë tjetër në këtë botë, në këndvështrimin fetar, këto fenomene dhe reagimi ynë ndaj tyre, duhen bazuar te besimi. Ky kuptim do të bëhet i qartë për ne, nëse do të shohim se çfarë na thotë libri ynë i shenjtë Kur’ani dhe mësimet e Pejgamberit Muhamed a.s., rreth këtyre ngjarjeve. Kjo qasje nuk është e kufizuar vetëm te fatkeqësitë natyrore, por përfshin çdo gjë me të cilën ne përballemi në jetë, qoftë e mirë apo e keqe.
Allahu në shumë vende në Kur’an, na thotë qartazi se kjo jetë është një test dhe për këtë arsye, ajo nuk është një parajsë. Por, fatkeqësisht shumica jonë, biem në shtrat, në një gjendje hutie dhe pakujdesie, duke harruar botën në të cilën jemi duke jetuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen! Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Kur’an, 21:35). Ky verset përcakton qartazi mënyrën sesi ne duhet ta shohim këtë botë, ku e mira dhe e keqja, janë që të dyja sprovim nga ana e Zotit.
Në këtë këndvështrim, kur godet e keqja, besimtari e kupton që ky është një test, edhe pse mund të jetë shumë i vështirë. Kjo gjë nuk e bën atë të humbasë besimin, apo shpresën te mëshira e Zotit, në këtë botë dhe në botën tjetër. Në fakt, ata që janë akoma më të thelluar në besim, e dinë që në të vërtetë këto teste dhe fatkeqësi, veprojnë veçse si mjete, për t’i afruar ata edhe më shumë te Zoti dhe për t’i pastruar mëkatet e tyre.
Allahu thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe me uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (Kuran, 2:155-157)
Pejgamberi a.s. thotë: “Nuk ka ndonjë shqetësim, që i vjen besimtarit, përveçse ia pastron mëkatet atij, qoftë edhe një gjemb, që i ngulet.”
Durimi dhe qëndrueshmëria janë dy cilësi esenciale, për t’u përballur me sfidat e jetës, megjithatë kjo nuk do të thotë, të mos kërkojmë prej Zotit, të na e lehtësojë barrën dhe çështjet tona. Allahu ka përmendur lutjen e besimtarëve, të cilën e mbajmë në zemër, kur përballemi me fatkeqësi të ndryshme. “Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu siç i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundra atyre që nuk besojnë!” (Kuran, 2:286)
Besimtarët i shohin fatkeqësitë natyrore nëpërmjet lenteve të besimit dhe nuk ballafaqohen me to vetëm nëpërmjet durimit, por duke i parë edhe si mundësi, për t’i shërbyer të tjerëve dhe për t’ju gjendur pranë në kohë të vështira. Ka edhe aspekte të tjera që ne mund të shohim te fatkeqësitë natyrore. Prej tyre është pyetja: Sa ishim ne në gjendje, t’i vlerësonim mirësitë e Zotit, përpara se fatkeqësia të godiste? A ishim ne falënderues, për shëndetin, familjen dhe çdo mirësi të dhuruar prej Zotit? A e kishim kuptuar, se çdo moment i jetës është dhuratë dhe mundësi për t’u afruar më shumë te Zoti?
Një nga efektet anësore të hutisë sonë, është se ne i themi vetes sonë, se ne jemi të fortë dhe mund të bëjmë çdo gjë. Megjithëse, është e vërtetë që njerëzimi është begatuar me mundësi të atilla, që mund të transformojnë edhe botën. Shejtani mund ta përdorë këtë, për të na mashtruar dhe duke i shtyrë njerëzit të mendojnë, se ata nuk ia kanë nevojën asgjëje, qoftë edhe Zotit. Fatkeqësitë, që janë përtej fuqive tona, na rikujtojnë sesa e gabuar është kjo ide dhe sa nevojtarë jemi për Zotin. Në këto kohë, më shumë sesa kurrë, e kemi të nevojshme të kthehemi te Zoti me pendim dhe kërkim falje. Ajo që mundet të na shpëtojë në situata të tilla është pendesa e sinqertë dhe vrapimi në ndihmë të njerëzve në nevojë. Për ta mbyllur, Allahu thotë në Kur’an: “Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë, një ose dy herë e prapëseprapë as nuk pendohen, as nuk e mbledhin mendjen?!”

Përgatiti: MSc Aorel Senja

Postime të ngashme

%d bloggers like this: