Tre investimet më të rëndësishme të besimtarit gjatë jetës së tij

Një ndër principet më të rëndësishme që Islami i fton njerëzit është edhe ftesa për të dhënë një kontribut në shoqëri, apo thënë ndryshe, shërbimi ndaj krijesave të Allahut. Çdokush që gjallon do të ishte më se i lumtur nëse pas vdekjes së tij, njerëzit do ta kujtonin për mirë. Që të arrihet kjo gradë, njeriu duhet të marrë në konsideratë kontributin e tij në shoqëri, apo mënyrat e investimit në jetën e kësaj bote. Allahu e ka bërë të lehtë për gjithsecilin prej nesh, që ai të jetë i dobishëm sa është gjallë apo edhe kur të vdesë. Në këtë shkrim të shkurtër do të përqendrohemi në një fjalë të Profetit Muhamed (s.a.s.), ku ai na jep një qasje se si të investojmë në rrugën e mirësisë.

Ai ka thënë: “Kur vdes njeriu i ndërpritet e gjithë puna e tij, përveç tre gjërave; lëmosha e vazhdueshme, dituria prej së cilës përfitojnë njerëzit e tjerë dhe fëmija i mbarë i cili lutet për të.” Duke u nisur nga ky hadith shohim se veprimtaria e njeriut dhe ndikimi i tij s’mund të pengohet as nga vdekja, nëse ai është prej atyre që jetojnë një jetë kuptimplotë, duke u mbështetur në mësimet më të vyera që na jep feja jonë. Në bazë të këtij hadithi, ne do t’i ndajmë investimet e njeriut në këtë botë në tri kategori të ndryshme, në mënyrë që gjithsecilit t’i lehtësohet kuptimi i kësaj rruge dhe më pas të dëshirojë të bëhet pjesë e saj. Këto investime i kemi emërtuar në këtë formë; investimi material, investimi intelektual dhe investimi shpirtëror.

Le të nisim menjëherë me investimin material. Zoti i Lartësuar ka begatuar çdokënd prej nesh me një sasi të caktuar furnizimi, i cili është çështje e garantuar prej Tij. Ne duhet të dimë se pasuria që kemi përveçse është bekim për ne, ajo sjell me vete edhe disa përgjegjësi. Një prej përgjegjësive që lind nga pasuria është edhe ndarja e saj me ata që janë në nevojë, apo thënë në mënyrë të përgjithshme, investimi i saj në rrugën e Allahut të Madhëruar. A është kusht që të jemi shumë të pasur për të investuar në rrugën e Allahut, apo kjo mundësi e mirë mund t’i jepet kujtdo? Në fakt, kontributi në rrugën e mirësisë nuk bëhet vetëm nga super të pasurit, por nga çdo njeri i cili kërkon të vërë një shpatull në një kauzë të caktuar.

Për të kuptuar se si myslimanët e kanë investuar pasurinë e tyre në këtë drejtim dhe se si mirësia e atij investimi i ka ndjekur edhe pas vdekjes, do t’ju japim një shembull konkret. Myslimanët themeluan institucionin e vakëfit me pasurinë që u kishte dhënë Allahu. Këto institucione ishin ngritur plotësisht vetëm për shërbimin ndaj krijesave të Allahut, pa marrë pas asnjë lloj përfitimi. Këto institucione nuk u shërbenin vetëm njerëzve pa asnjë dallim, por ishin shtrirë edhe te kafshët. Kishte vakëfe të veçanta që u shërbenin kafshëve, po ashtu edhe njerëzve sipas nevojave të veçanta. Në këtë institucion mund të kontribuonin të gjithë dhe mbarëvajtja e tij do t’i bënte këta njerëz pjesë të kësaj lëmoshe rrjedhëse.

Investimi i dytë dhe shumë i rënëdsishëm që mund të bëjë besimtari është ai intelektual. Ne e dimë mirë se prej mirësive më të mëdha që na ka bekuar Zoti dhe që e ka bërë kriter dallimi mes nesh dhe çdo krijese tjetër, është aftësia jonë për të menduar, logjikuar dhe perceptuar. Sigurisht, çdo mirësi ka mënyrën e saj të falënderimit. Ndoshta mënyra më e mirë e falënderimit për mirësinë e mendjes do të ishte në radhë të parë përdorimi i saj në formën më të mirë dhe përpjekja për të nxjerrë prej saj gjëra të dobishme për të tjerët. Kontributin intelektual nuk e japin vetëm mësuesit e fesë, por çdokush që zotëron një aftësi, zanat apo dituri të caktuar.

Po të ndalemi në aspektin fetar, mund të themi se çdokush prej nesh mund të bëhet pjesë e këtij shpërblimi nëse ai tregon pak përkushtim. Si është e mundur kjo? Sa herë që ndeshemi me një besimtar më të ri sesa ne, apo më pak të ditur në disa aspekte bazë të fesë sonë, ne me përulësi mund t’i mësojmë atij disa gjëra që kemi arritur t’i mësojmë vetë. Nuk po flasim këtu për përfaqësim të fesë, dhënie të gjykimeve fetare apo pretendimit të kompetencës për çështje të thelluara, sepse kjo është një çështje që u përket ekspertëve të fushës. Një besimtar mund t’i mësojë dikujt që ka nevojë disa gjëra të ngjashme si më poshtë; suren fatiha, ndonjë sure tjetër, mënyrën se si ta falënderojë, madhërojë Allahun, si të marrë abdes, pjesë nga jeta e Profetit a.s., etj. Sa herë që dikush t’i veprojë këto gjëra në jetën e vet, atëherë ne do të marrim pjesën tonë të shpërblimit.

Investimi i tretë dhe më sfidues për njeriun është ai që bën në familjen e tij, apo më specifikisht me fëmijën e tij. Pse thamë që ky është investimi më sfidues dhe më lart e quajtëm atë si investim shpirtëror? Ky është investim shpirtëror sepse hadithi e ka cilësuar pasardhësin që na bën dobi si të hajrit, të drejtë dhe të devotshëm. Që pas vetes të lëmë një pasardhës të tillë, duhet që t’u japim atyre mundësinë që të modelojnë prej nesh shembullin më të mirë. Kjo e fundit kërkon një sakrificë të vërtetë. Njeriut do t’i duhet t’i jetojë në formën më të lartë të mundshme të vërtetat e besimit dhe më pas të presë diçka të ngajshme nga fëmija i tij. Do të ishte absurde dhe me pak efekt nëse do të kërkonim prej fëmijës sonë të vepronte gjëra që ne vetë nuk i bëjmë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: