Meraku për të ardhmen dhe frika prej saj

Kur mendojmë për të ardhmen gjëja e vetme që duhet të na vijë ndërmend është se çfarë duhet të bëjmë në këtë jetë që të fitojmë xhenetin në botën tjetër dhe se çfarë rruge duhet të ndjekim që të shpëtojmë prej zjarrit të xhehenemit dhe frikës prej tij. Kjo lloj frike tek njeriu është dhënë pikërisht për këtë arsye. Por shumica e njerëzve frikësohen dhe mendojnë se çfarë do të ndodhi pas pak, nesër, javën që vjen, muajin që vjen apo vitin që vjen më pas, apo pas 10 vitesh vallë çfarë do të ndodhë, si do të jetë jeta ime, në çfarë pozicioni do të jem etj me radhë.

Aq shumë lidhemi pas kësaj bote sikur kjo të ishte jeta e përtejmë dhe të gjitha planet tona i bëjmë për këtë jetë.  Veçanërisht koha në të cilën tek njeriu shihet më shumë frika e të ardhmes është mosha e rinisë, sepse edhe shejtani i afrohet nga çdo anë dhe mundohet që tia bëjë të vështirë çdo gjë.  E shtyn të mendojë se si do të jetë vetë nëse është beqar e bën të mendojë për formimin e familjes dhe frikën se vallë a do të formojë dot një familje të mirë apo jo. Atë që është i martuar e shtyn drej frikës sesi do të jenë fëmijët e tij, a do ti rregullojë dot me shkollimin, a do ti rregullojë dot që të kenë një shtëpi të tyren apo jo. Madje e shyn edhe drejt frikës se çfarë do të ndodhi kur ti rriten fëmijët, a do të kujdesen ata për të apo do ta lënë në mes të katër rrugëve.

Këtë lloj frike shejtani e fut në mendjen tonë dhe na bën vazhdimisht të frikësohemi prej të ardhmes. Në një hadith Profeti Muhamed(s.a.s) na thotë se: “ Shejtani i pengon që të ngrihen natën ata persona që duan ta ndriçojnë jetën e tyre me namazin e natës sepse e urren këtë gjë, iu fryn në fytyrë duke iu thënë “ Fli, fli”, nuk i lë të zgjohen për të jetuar jetën e tyre të ahiretit, dhe mundohet t’ia harxhojë kohën me ide kote të kësaj bote duke iu thënë: “Mendo për të nesërmen, mos e shkatërro të ardhmen tënde.”

Shejtani mundohet me forma nga më të ndryshmet që si e si ta bëjë atë njeri të frikësohet për të ardhmen e kësaj bote, dhe e bllokon çdo rrugë që do ta shtyjë atë të frikësohet për të ardhmen e  tij në botën tjetër sepse edhe ajo është një e ardhme. Madje ai ngre kurthe të shumta me qëllim që ai të rrëzohet në njërën prej tyre. Tek ata persona që nuk mendojnë ose nuk frikësohen për veten e tyre i shtyn ata që të frikësohen për familjen e tij dhe sesi do të jetë e ardhmja e tyre. Ai ia kufizon frikën e tij vetëm me frikën e kësaj bote, prandaj është e rëndësishme që njeriu të lidhet fort pas Allahut dhe të mbështetet tek Allahu aq shumë dhe të kërkojë mbrojtje prej shejtanit dhe prej sulmeve e vesveset e tij duke thënë: “ O Allah kërkoj mbrojtjen tënde prej vesveseve dhe të këqijave prej shejtanit, dhe kërkoj mbrojtjen tënde që ai (shejtani) të mos më shtyjë drejt punëve të këqija dhe të jem pranë tyre.”

Duke e shikuar në këtë perspektivë që shejtani mundohet medoemos që të na largojë nga mendimi për të ardhmen tonë në botën tjetër dhe që na jep mendimin dhe frikën se çfarë do të bëhet me ne në këtë botë, automatikisht ai na ka futur edhe në një rrugë të gabuar në të cilën do të bëjmë gabime dhe gjynahe madje do të na bëjë që ti shtyjmë edhe të tjerët të bëjnë gjynahe pasi ne nuk e kemi arritur atë kërkonim në këtë botë.

Mirësia më e madhe që Allahu i jep robit të Tij është ndjenja e shërbimit dhe e mos pritshmërisë ndaj asgjëje në këtë botë kalimtare por pritshmëria më e madhe që mund të ketë ai njeri është fitimi i xhenetit dhe fitimi i kënaqësisë së Allahut. Dhe duke menduar se shqetësimi i vetëm dhe frika e vetme që duhet të kemi është pikërisht jeta tjetër atëherë do të shohim dhe do ta ndjejmë që jeta jonë në këtë botë kalimtare do të marri një pamje tjetër dhe çdo veprim i joni do të jetë në përputhje me fitimin e xhenetit dhe kënaqësisë  së Allahut.

Duke u nisur nga kjo çështje që besimtari dhe njerëzit frikësohen vazhdimisht për të ardhmen e tyre është një ngacmim prej shejtanit i cili nuk ka asgjë tjetër për të bërë por vetëm që të merret me largimin e njerëzve prej rrugës së Allahut duke i vendosur frikën për të ardhmen dhe në këtë formë ai i largon ata që të frikësohen prej fundit të tyre në këtë botë dhe a do të arrijnë që të firojnë kënaqësinë e Allahut në botën tjetër. Frika dhe meraku i vetëm që duhet të ketë besimtari është frika se a do të jetojë dot në rrugën e besimit ndaj Allahut apo do të rrëshqasë prej saj. Por njeriu që jetën e kalon duke menduar për të ardhmen në botën tjetër atëherë çdo hap që do të hedhë në këtë botë kalimtare nuk do të ketë asnjë frikë, sepse plani i tij është që të njohë Allahun si duhet dhe të jetojë në këtë rrugë vazhdimisht, dhe njeriu që jetën  e tij e sheh dhe e jeton në këtë perspektivë atëherë për të nuk do të ketë kurrfarë frike, madje në vend të frikës në zemrën e tij do të ndjehet një qetësi dhe siguri e cila vjen prej besimit tek Allahu, i Cili na thotë: “ as mos u frikësoni e as mos u hidhëroni por, përgëzohuni me Xhenetin që ju është premtuar…” (Fusilet, 30)

Andreot Sefa

 

 

Postime të ngashme