Istigfari, pastrimi i zemrës prej gjynaheve dhe mbrojtës i saj prej ndryshkjes

Krenaria e Njerëzimit Profeti Muhamed (s.a.s) në një hadith na thotë se: “Çdo gjynah i bërë le një njollë të zezë në zemrën e besimtarit. Nëse ai gjynah nuk fshihet me istigfar-kërkim faljeje prej Allahut, atëherë ai gjynah bëhet thirrës për gjynahe të tjera.”

Duke u bazuar tek ky hadith i Profetit (s.a.s) duhet të kthehemi menjëherë tek Allahu xh.xh dhe të kërkojmë falje për çdo gabim që e kemi bërë me dije apo pa qënë të vetëdijshëm. Njeriu bën gabime në çdo çast të jetës së tij, sepse gjendet në një ambjent ku është i rrethuar nga të katërta anën me gjynahe, ku shejtani ka ngritur një kurth për të dhe është duke pritur që të bjerë në gjynah. Këto janë pikërisht ato gjynahe që njeriu i bën joqëllimisht por duke u “penguar” prej shejtanit i cili i flet me përshpërima që vetëm nefsi i tij mund ta kuptojë.

Kjo është pikërisht situata në të cilën njeriu duhet të kthehet menjëherë tek Allahu duke bërë sa më shumë “istigfar”.

Të bësh istigfar sa më shumë duhet që të shikohet edhe si një mirësi prej Allahut (xh.xh) sepse na e ka mundësuar që të kthehemi sërish tek Ai duke kërkuar falje për gjynahun që kemi bërë. Për këtë mirësi, mirësia e të bërit istigfar e të kërkuarit falje prej Allahut (xh.xh) është e nevojshme që të falenderosh sa më shumë sepse ka njerëz që bëjnë gjynahe por që fatkeqësisht nuk e kanë mundësinë që të kërkojnë falje.

Për të pasur një zemër të pastër pa gjynahe dhe që ta mbajmë të ndritshme është e rëndësishme që të shtojmë istigfarin sa më shumë. Kemi shembullin më të mirë që mund të marrim i cili është Profeti Muhamed (s.a.s) i cili bënte aq shumë istigfar edhe pse tek Ai s.a.s mundësia e gjetjes së një gabimi ishte e pamundur. Por sërish Ai (s.a.s) bënte aq shumë istigfar në ditë sa në dy hadithe të ndryshme na tregohet sesa herë bënte istigfar Profeti Muhamed (s.a.s). Në një hadith të transmetuar prej Ebu Hurejres (r.anhu), Ai (s.a.s) na thotë kështu: “Vallahi unë pendohem dhe kërkoj falje prej Allahut më shumë se 70 herë në ditë.” Ndërsa në një hadith tjetër thotë: “O ju që keni besuar pendohuni dhe kërkoni falje tek Allahu sepse unë bëj istigfar 100 herë në ditë.”

Këto janë dy hadithet e bukura të Profetit Muhamed (s.a.s) i cili na tregon rrugën që ne ta mbajmë zemrën të pastër dhe se si ta pastrojmë atë pasi e kemi njollosur me shenjat që lë gjynahu. Ilaçi më i mirë i përdorur për pastrimin e zemrës është pikërisht istigfari, kërkimi falje prej Allaut (xh.xh), por ndërkohë që kërkojmë falje duhet edhe ta falenderojmë Allahun që na e dha mundësinë të kërkojmë falje ose përndryshe zemra jonë do të mbetej në një errësirë totale dhe ne nuk do të merrnim kënaqësi prej asnjë adhurimi që do të bënim.

Kjo është më e keqja që i bën gjynahu zemrës tonë, sepse mbyll çdo derë e cila të dërgon tek Allahu (xh.xh) dhe pastaj hap çdo derë pas të cilës fshihet shejtani bashkë me gjynahet e tjera të reja. Kur gjynahu nuk fshihet me një vepër të mirë apo me istigfar zemra jonë fillon dhe zë ndryshk. Sa më shumë gjynahe që të bëjmë aq më shumë do të ndryshket zemra jonë dhe do të jetë e pamundur që ajo zemër të kthehet edhe një herë tek adhurimi i Allahut.

Duke kërkuar falje prej Allahut zemra qëndron energjike, punon më mirë, nuk zë ndryshk dhe e ndjen më mirë çdo adhurim që bën. Por nëse do ta lemë zemrën ashtu të njollosur me gjynahe atëherë do të largohemi shumë prej Allahut dhe do të afrohemi sa më shumë me shejtanin i cili gëzohet në maksimum kur e sheh që një njeri është duke bërë gjynah dhe nuk kërkon falje për të.

Duke bërë istigfar sa më shumë njeriu e ndjen edhe një herë që është një krijesë e dobët dhe ka nevojë patjetër për ndihmën e Allahut që ta shpëtojë nga gjynahu. Sepse istigfari është trokitja në derën e Allahut (xh.xh) duke kërkuar ndihmë prej Tij. Dhe Allahu i premton robit të Tij që do tia pranojë pendimin e tij dhe do ta fali për gjynahet që ka bërë edhe nëse ato do të jenë sa shkuma e detit.

Të gjitha këto arrihen me një pendim të sinqertë, pendim i atillë i cili bëhet shkak që të na falen të gjitha gjynahet e bëra me vetëdije dhe pa vetëdije. Kështu urdhëron Allahu në një ajet kuranor: “O ju që keni besuar pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë…” (Tahrim, 8)

Çdo kërkim faljeje me sinqeritet gjen pranim tek Allahu (xh.xh), prandaj sa më shumë istigfar që të bëjmë aq më e pastër, më energjike dhe aq më shumë do të lidhet zemra jonë me Allahun (xh.xh).

Përgatiti: Andreot Sefa

Postime të ngashme

%d bloggers like this: