“Kush e lë namazin, s’ka pjesë në Islam…”

Hz. Omeri e pati pranuar plotësisht Profetin si një prijës dhe udhëzues për vete dhe gjithë jetën ia pati përngjasuar atij (a.s.). Ishte njeriu i pashoq, trajta e jetesës së të cilit i përngjante plotësisht asaj të Profetit! Megjithëse i qenë hapur kat më kat dyert e Romës e të Bizantit, megjithëse popuj dhe sundimtarë pranonin t’i bëheshin skllevër, në jetesën e tij nuk pati ndodhur as ndryshimi më i vogël. Jerusalemi në kohën e tij ishte triumfator; ai Jerusalem sot i mërzitur, i brengosur, i robëruar, njollë e zezë në ballin e botës Islame. Megjithëse ishte realizuar praktikisht pushteti ushtarak, priftërinjtë ngulmonin të mos i jepnin çelësat e qytetit duke thënë: “Nuk i japim sepse nuk e shohim midis jush atë fytyrë që duhet t’i marrë çelësat e qytetit…” Kur situata i njoftohet Kalifit Omer, ai niset për udhë. Meqë nuk kishte deve të vetën, merr hua një deve nga prona e familjes profetike dhe, duke u shkëmbyer rregullisht me shërbëtorin, shkojnë në Jerusalem. Për ironi të fatit, kur do të hynin në qytet, radha për të hipur në deve i takon shërbëtorit. Pavarësisht nga këmbëngulja e shërbëtorit, kalifi zbaton radhën, e hip këtë të fundit në deve, merr kapistrën në dorë dhe ashtu hyjnë në qytet…
Ata që e shohin këtë pamje, shkrijnë në çast si qiriu dhe thonë: “Ja, ky është njeriu që përmendet në librat tanë!” Dhe ia dorëzojnë çelësat e qytetit!
Ai Omeri i madh shtrihej i sëmurë nga plagët e hanxharit të një iranasi adhurues të zjarrit. E nxirrte çdo gjë që hante e pinte, s’bënte zë e rrinte indiferent ndaj zërave. Kur shërbëtori vinte për ta pyetur nëse donte të hante a të pinte gjë, ose nuk i jepte përgjigje, ose i përgjigjej negativisht vetëm me vështrim. Kurse kur e lajmëronte me fjalët “O prijësi (emiri) i muslimanëve, është koha e namazit!”, i përgjigjej në çast: “Ja, po ngrihem. Kush e lë namazin, s’ka pjesë nga Islami!” Dhe ashtu, me plagë të përgjakura ngrihej e falej. (Ibni Said, Tabakat, 3/350; Hejthemi, Mexhmau’z-Zevaid, 1/295.)
Vepronte kështu, sepse kështu kishte parë te i Dërguari i Allahut. Do t’i përshtatej atij, do të vepronte si ai, do t’i përngjante atij (s.a.s.) dhe, kështu, do të bëhej shembull për pasardhësit. Po, njëri prej qëllimeve të dërgimit të profetëve ishte që ata t’i bëheshin shembull bashkësisë së tyre…

Postime të ngashme

%d bloggers like this: